venerdì 17 febbraio 2017

Ditë festimesh dhe reflektimesh

Nëntë vjetori i pavarësisë së Kosovës

Shkruan: Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Si sot nente vjet me pare, me 18 shkurt 2008 u shpall pavaresia e Kosoves. Kjo date do mbetet perjete ne kujtesen e mbare popullit shqiptare si nje hap tjeter i avancuar, mbas atij te shpalljes se pavaresise te Shqiperise ne nentor 1912, drejt realizimit te projektit te Rilindjes Kombetare Shqiptare.

Dite festimesh...

Ne Kosove, Shqiperi, Maqedoni, Mal te Zi, Presheve, ne mbare diasporen e vjeter dhe emigracionin e ri rreth 15 milione shqiptare sot festojne me legjitimitet dhe krenari per Kosoven e pavarur.

Ne kete dite historike kombetare mirenjohja me e thelle shkon per popullin martir te Kosoves qe per me shume se 100 vjet u perball me regjimin kolonial Serb, pa u dorezuar dhe pa hequr dore asnjehere per arritjen e lirise dhe pavaresise.
Ne menyre te vecante nderimi me i larte shkon per ata qe dhane jeten me pushke e pene, me dije dhe sakrifica sublime. Kujtimi i tyre do ndricoje nder shekuj rrugen e Shqiptareve per aspiratat legjitime Kombetare.

Ne kete dite, mbare Shqiptaret nderojne dhe u shprehin mirenjohje te thelle Aleateve te Medhenj Perendimore, ShBA, NATO, BE per mbeshtetjen maksimale per arritjen e Kosoves se pavarur.

Kjo dite eshte jo vetem mirenjohje per Aleatet e medhenj te lartpermendur, por edhe zotim per nje miqesi te perjeteshme te Kosoves e popullit te saj me ShBA, NATO dhe BE.
Arritjet e Kosoves ne keto nente vjet jane te pamohueshme nga askush brenda dhe jashte saj. Me arritjet e saj te ketyre nente viteve, Kosova deshmon se pavaresia e saj ka qene dhe mbetet plotesisht e merituar. Kosov tregon cdo dite se eshte modeli nje shteti demokratik te sukseshem. Rruga e saj mbetet e pakthyeshme.

Dite reflektimesh...

17 shkurti eshte edhe dite reflektimesh serioze per Kosoven dhe Shtetin e saj. Natyrisht ne dite festash nuk ka vend per analiza te thella. Por, padyshim ka vend per refleksione serioze qe pervjetoret e ardhshem ta gjejne Kosoven me te realizuar dhe popullin e saj me te lumtur.
1.Te ruhet uniteti politik
Uniteti politik ka qene guri i themelit ne keshtjellen e Kosoves se pavarur. Ky gure themeltare lypet te ruhet i pacenuar me cdo cmim dhe sakrifice. Uniteti nuk ruhet pa dedikimin e te gjithe aktoreve dhe faktoreve te shoqerise Kosovare. Uniteti nuk ruhet me protagonizma dhe diferencime. Uniteti ruhet me gjitheperfshirje, me respekt per kontributin e te gjitheve, me tolerance, mirekuptim dhe perkushtim per qytetaret e Kosoves dhe per Aleatet e tyre kudo ne bote.
2. Te ruhet kohezioni social
Kosova perbehet nga nje shoqeri demokratike dhe multietnike. Kjo shoqeri ka nevoje te investohet vazhdimisht per ruajtjen e kohezionit te saj social dhe multietnik. Kohezioni social dhe multietnik eshte deshmuar i suksesshem deri tani. Por, kjo arritje madhore kercenohet nga projekte te rrezikshme sic eshte asociacioni i komunave me shumice Serbe. Ky kercenim lypet te menjanohet me durim dhe mencuri, me profesionalitet dhe diplomaci.
3. Te arrihet zhvillim i qendrueshem ekonomik
Kosova, pavaresia, uniteti politik dhe kohezioni social e multietnik i saj kane nevoje per arritjen e nje zhvillimi te qendrueshem ekonomik. Kjo sfide eshte serioze ne nje kohe dhe mjedis krizash ekonomiko-financiare ne mbare eurozonen ku ben pjese edhe ekonomia Kosovare. Kosova ka nevoje per me shume ekonomi dhe me pak politike.
4. Te forcohet shteti ligjor
Themelet e Kosoves se pavarur ngrihen mbi shtetin ligjor, qeverine e vogel, lirine dhe te drejtat e njeriut dhe ekonomine e tregut te lire. Keto baza juridike kerkojne respekt per kushtetuten dhe ligjin, per forcimin e institucioneve demokratike, per rritjen e kapaciteteve administrative ligje-zbatuese dhe me prioritet forcimin e pavaresise, integritetit dhe profesionalitetit te sistemit te drejtesise.
5. Politike te jashtme dhe diplomaci me efikatese
Kosova e pavarur eshte njohur nga tre Fuqi te Medha dhe 110 shtete antare te OKB. Gjithashtu, Kosova ka progresuar ne politiken me fqinjet, ka hedhur hapa te mencur ne rrugen e normalizimit te marredhenieve me Serbine, ka shenuar perparime drejt integrimit rajonal dhe Europian.
Por, gjithsesi hyrja e Kosoves plotesisht ne sistemin dhe ne marredheniet nderkombetare ngelet nje sfide e veshtire afatgjate. Perballja me kete sfide lype nje politike te jashtme te bazuar ne nje strategji me te qarte dhe afatgjate, kerkon prioritete me te percaktuara dhe ne dinamike, nje diplomaci me proaktive dhe profesionale.

Epilogu
Si sot nëntë vjet më parë Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe multietnik. Arritjet e deritanishme e bëjne Kosovën projekt të suksesshëm, në një rrugë të drejtë e të parikthyeshme.
.

lunedì 6 febbraio 2017

Rrjetet sociale dhe Gjuha shqipe (me) pa gabime


Rrjetet sociale dhe Gjuha shqipe (me) pa gabime

“Kultura e gjuhës është e domosdoshme për çdo shkrimtar, për çdo gazetar, për çdo intelektual, për çdo njeri. Ai që nderon gjuhën, nderon atdheun. Përpikëria, qartësia, thjeshtësia dhe koloriti i gjuhës janë aq të nevojshme për çdo shkrimtar sa gjithë veglat e punës për punëtorin.” – Dritëro Agolli

Shkruan: Xhemi Hajredini – Administrator i grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”

Rrjetet sociale, kultura e gjuhës, kujdesi për të shkruar gjuhën shqipe pa gabime kanë qenë dhe janë çështje që janë diskutuar dhe diskutohen vazhdimisht. Janë hartuar vepra normative që kanë rregulluar drejtshkrimin dhe kulturën e gjuhës, që ne pasardhësit e veprimtarëve të Rilindjes kombëtare ta ruajmë pastërtinë e e gjuhës. Niveli kulturor i një individi tregohet nëpërmjet pastërtisë së gjuhës.
Problemet teorike dhe praktike vazhdojnë të jenë të pranishme dhe jo vetëm në rrjetet sociale. Gjuha shqipe sot është gjuhë e shumë grupeve virtuale, portaleve, gazetave, forumeve dhe blogeve në internet. Varietete me bollëk. Shkruajnë tutkunët e kalemxhinjtë mediokër. Stabilizimi i urave të komunikimit dhe zhvillimi i mendimit me kulturë gjuhësore është vështirësuar edhe përkundër mundësive të shumta teknologjike.
Megjithatë, nuk duhet hedhur shumë baltë e vrer rrjeteve sociale. Pse duhet përlloçur çdo gjë, me dhe pa të drejtë?! Edhe rrjetet sociale janë ura komunikimi, instrumente nëpërmjet të cilave ndajmë mendime, porosi dhe shoqëri me më shumë individë. Po të flasim për etikën e komunikimit, atëhere kemi të bëjmë me një temë tjetër.
Fejsbuku (facebook), për shembull, është një rrjet shqoqëror me mbi një miliard e gjysmë përdorues aktivë që sot mund të cilësohet si kryefjala e ditës për çdo njeri. Përdoret si një rrethanor në të cilin gjithsecili prej nesh kalon një pjesë të mirë të kohës, një mënyrë informacioni apo edhe vend reklamimi i vetes apo dhe i punës tënde, një vend ku shprehen ndjenjat dhe veprimet e së përditshmes, një vend ku takon dhe ndahesh me miq. FB, në një farë mënyre, është bërë një pjesë e pandashme e secilit prej nesh. Për shumë prej nesh FB mund të jetë një vend ku mund të marrësh dhe të japësh dije dhe njohuri në fusha të ndryshme të jetës, ku secili prej nesh, nëpërmjet grupeve të ndryshme që funksionojnë këtu, mund të bëhet pjesë me ato që di dhe të kërkojë shpjegim.

Alma Pire, një përdoruese e rrjeteve sociale, me profesion mësimdhënëse e gjuhës shqipe në një shkollë fillore, rrethi i Elbasanit, thotë se nga disa grupe, bloge dhe forume në FB, mund të përsosësh kulturën e komunikimit. Ngrihen probleme të ndryshme gjuhësore, trajtesa mbi gjuhën që nga zanafillat e saj më të hershme, e deri tek problemet më të mëdha, grupe që kërkojnë gabimet që nga fonemat e deri te tekstet shkollore. Një grup i tillë, me këtë tendencë pozitive, është edhe “Gjuha shqipe pa gabime”, me rreth 23 mijë anëtarë. Këto grupe në fejsbuk u vijnë në ndihmë edhe mërgimtarëve të cilët i djeg malli i mëmëdheut, i gjuhës shqipe, i dëshirës për t’u shprehur shqip. Grupet hartojnë rregullore duke kërkuar një komunikim të pastër dhe të bukur shqip. Janë të përhapur e zgjeruar në tërë kufijtë gjeografikë ku ka shqiptarë. Rrihen (trajtohen) dialektet, të folurat kalimtare të zonave të ndryshme, drejtshkrimi e drejtshqiptimi, njësitë frazeologjike dhe proverbat, thëniet e urta, termat e rinj, huazimet, turqizmat e barbarizmat. Këto grupe në rrjetet sociale, që kaq shumë i shajmë, nuk njohin moshë, të gjithë kërkojnë të kuvendojnë e të mësojnë, kërkojnë mënyra të tjera për t’i përsosur njohuritë, ku çdo anëtar nuk ka orar për të qëndruar pranë dijes, ku dialektet e gjuhës shqipe kanë peshën e tyre dhe standardi është kryefjalë e pazëvendësueshme.

Blerim Jashari, një aktivist i shoqërisë civile, nga qyteti i Tetovës, shpreh shqetësimin e tij se aktualisht të rinjtë harxhojnë shumë kohë në fejsbuk dhe rrjetet të tjera sociale. “Nuk e përjashtoj mundësinë që po në këto rrjete edhe mund të mësosh shumë por duhet patur kujdes në përzgjedhje. Janë disa grupe që na japin mundësinë dhe na mësojnë vërtet gjuhën tonë të bukur, si ta ruajmë, si ta kultivojmë e ta shkruajmë pa gabime. Gjithashtu, rrjetet sociale per mua, janë një mundesi më shumë për t’u njohur me njerëz të ndryshëm që jetojnë gjithandej globit.

Lejla Gorishti, një njohëse e mirë e gjuhës shqipe, nga qyteti i Vlorës, thotë se fejsbuku vërtet të ha shumë kohë, është e vërtetë që ka grupe qe nuk kanë pikë vlere, se nuk ke çfarë të përfitosh, por bie fjala grupi “Gjuha Shqipe pa gabime” kryen një veprimtari me vlera të çmuara. Këtu mësohen rregullat e drejtshkrimit. Është një kurs pa para. Shumë persona, nga çdo cep i botes, më shkruajnë e falënderojnë se ky grup po na ndihmon shumë për gjuhën. Edhe unë vet kam mësuar shumë nga grupi për përdorimin ose kuptimin e disa fjalëve sipas krahinave të ndryshme. Duke u nisur nga thënia e Holger Pedersen: “Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”, unë them se këtë vlerë e jep vetëm ky grup. Prandaj jo çdo gjë e fejsbukut është humbje kohe. Ai që mendon kështu le të shkojë e të kërkojë mundësi të tjera për t’u formuar si nga ana gjuhësore ashtu edhe nga ajo kulturore.

Frida Bushati, një vajzë e re nga Shkodra, ndër të tjera thotë: “Për mendimin tim, rrjetet sociale sot po “vuajnë” një paragjykim masiv. Përpos çdo aspekti negativ që mund të shihen (dhe që nuk mohoj se janë të vërteta, edhe pse nuk duhet përgjithësuar asgjë), rrjetet sociale kanë shumë anë pozitive: së pari, të japin mundësinë e komunikimit me shumë njerëz, njëkohësisht edhe të ndash mendimet me ta, qofshin të njohur apo të panjohur. Së dyti, të krijojnë hapësira për informim të gjerë, të cilin shpesh nuk mund ta marrësh në media. Së treti, mundësitë për të përvetësuar gjëra të reja (nëpërmjet grupeve që krijohen për këtë qëllim) janë të mëdha, mjafton të dish si t’i shfrytëzosh. Çdo gjë varet nga qëllimi i individit. Nëse ai niset për t’i përdorur rrjetet sociale për arsye, le t’i quajmë “banale”, atëherë e arrin. Por ama, nëse niset për t’i shfrytëzuar për qëllime të dijes apo informacionit, rrjetet sociale janë një mundësi për t’u marrë parasysh.”

Stefan Paloka, gjuhëtar nga qyteti i Lezhës, thotë se pakkush do ta kishte menduar se një grup si “Gjuha Shqipe pa gabime”, një grup i krijuar prej dy vjetësh do të mbërrinte brenda një periudhe kaq të shkurtër nivele të tilla sasiore dhe cilësore. Ishte emri i grupit ai që mblodhi rreth vetes dashuruesit e gjuhës sonë të perëndishme? A mos vallë ishte ky emër shkëndija që ndezi një zjarr kaq të madh në të cilin u shkrinë zemrat e mbi 22.000 shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të trojeve tona etnike?
Rëndësi ka që ne kemi arritur të fshijmë kufij gjeografikë, dialektorë e politikë dhe po shkruajmë një faqe të shkëlqyer të historisë së gjuhës sonë, të cilën as në ëndërr nuk kisha guxuar ta shihja! Para krijimit të këtij grupi mendoja se shqipja kishte marrë një të tatëpjetë që zor se po e vërente tjetërkush përveç meje dhe isha krejt i pashpresë për të ardhmen e gjuhës sonë të moçme sa vetë Evropa. U desh ky grup dhe kontributet e paçmueshme të anëtarëve të tij që shpirti im të këndellej sërish nga një dritë gëzimi dhe optimizmi të patreguar se ditë më të mira i presin shqipen dhe shqiptarët." Sipas z.Paloka, të promovosh një gjuhë të vogël përballë sfidave që sjell globalizmi dhe përfshirja në botën e lirë kërkon durim, punë dhe lënie mënjanë inatet e vockla, sedrën e sëmurë dhe meskinitetin provincial. Gjërat e bukura që krijohen me mund e djersë nuk duhet të shkatërrohen e shkërmoqen sa hap e mbyll sytë.

Bashkim Tërstena, profesor i gjuhës angleze, nga Ferizaji, shprehet: “Gjatë komunikimit dhe bashkëpunimit virtual njerëzit nuk transmetojnë emocione, prandaj, edhe shumë herë ndodh që të ketë keqkuptime, mosmarrëveshje, gjykime dhe vlerësime të gabuara. Gjuha si mjet i komunikimit, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit virtual nuk përmban ngjyra emocionale, por është thjesht bardhë e zi, prandaj, duke marrë për bazë këtë aspekt shumë të rëndësishëm, të gjithë njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm se si i përgjigjen një kritike, vlerësimi, përmirësimi, sugjerimi, qortimi, i cili mund të jetë real, ironik, satirik, i drejtpërdrejtë, ngacmues, etj.
       Kam vrejtur se gjatë komenteve, shpeshherë ndodhin debate pikërisht për këtë mungesë emocioni të bashkëpunimit përmes virtualitetit, ndaj vëmendja në vështrimin më të thellë dhe më të kujdesshëm në atë që lexojmë mund të jetë i vetmi laborator i kuptimit dhe nënkuptimit të mundshëm të fjalës dhe fjalive.”

Pra edhe bashkësitë digjitale luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të njerëzve. Edhe rrjetet sociale, si ura komunikimi, përcjellin emocione. Edhe fejsbuku shpalos kulturën dhe etikën tonë të komunikimit. Nuk tregohen muskujt në rrjetet sociale, por edukata dhe kultura e komunikimit! Mos u frikësoni nga gjestet e mirësjelljes, paçka se të tjerët (të paedukuarit) ua marrin si shenjë dobësie.
Të gjithë besoj se e kanë mundësinë e blerjes së një fjalori, apo të shkarkimit të atij elektronik, secili prej nesh mund të blejë një Gramatikë të gjuhës shqipe apo një Fjalor të Drejtshkrimit, por duke lexuar këta libra nuk mund t’u gjesh përgjigje pyetjeve që të dalin, nuk arrin dot të rrahësh mendime, nuk i gjen përgjigje shumë “pse-ve”. Ndërkohë që ky grup virtual është si një familje e madhe, e ndarë në breza sipas moshës, në ide sipas praktikave, në gjykime sipas përvojave, në arsyetime sipas profesioneve dhe në vendimmarrje sipas zotësive. Ky grup është zhvillim, aty njeh miqësi, gjen mbështetje, kërkon zgjidhje, pranon sfida, pëlqen modernitetin. Dija nuk njeh moshë, i eturi për dije nuk e sheh kohën, zhvillimi do rrahje mendimesh. Në këtë grup ka zgjedhje dhe zgjidhje!



domenica 5 febbraio 2017

Fjalët e vjetra për muajt e vitit

Muajt e vitit ...

          Përgatitur nga drejtuesit e grupit

          Gjatë trajtimit të fjalëve, në grupin virtual "Gjuha Shqipe pa gabime" nuk ngelin pa u diskutuar edhe fjalët e vjetra të gjuhës shqipe. Më poshtë do të sjellim një përmbledhje të emrave të muajve që janë përdorur në gjuhën shqipe (një formë mund të përmbajë më shumë variante), duke përfshirë edhe të folmet e arbëreshëve të Greqisë e Italisë.

JANAR
janar, jenar, jinar, kallnuer, kallenduer, kalendor, kalnuer, kallënduer, kollozhek, moi gjat, listopath

SHKURT
shkurt, fror, fruer, frur, fruar, flevar, fleár, frbar

MARS
mars, lagateer, lagater, lagëtur

PRILL
prill, april

MAJ
maj, mais, maxh

QERSHOR
qershor, theristí, xhun

KORRIK
korrik, kollozheg, allonár, djegagur, lul

GUSHT
gusht, gost, lamnuer, dorza

SHTATOR
shtator, setembr, vjeshtë, vjeshta e parë, britm, britm i parë, brym(ë) i parë, bryll i parë, proto shimitër, gushtovjeshtë, tiriti

TETOR
tetor, tétuer, tetúer, vjesht' e dytë, vjesht' e mesme, britëm i dytë, brym (i) dytë, shenëntre, oktobër, brymuer, listopadh, shëmitër

NËNTOR
nëntor, vjesht e tretë, vjeshtë e mbrazme, britëm i tretë, brymuer, shëmhill, shënmarti, Shënë Ndre, listopadh, vjeshtë, novemb, protospuar, duar të palarë

DHJETOR
dhjetor, dimëror, shënëndre, shëndre, shënmarti, keshendellsh, decembre

          Fjalët që përsëriten janë dialektore, që do të thotë se në njërin dialekt mund të tregojnë njërin muaj dhe në tjetrin dialekt një muaj tjetër.

venerdì 3 febbraio 2017

Lamtumirë Dritëro




Ndodh shpesh të jesh i dëshpëruar
e shpesh të heshtësh te një gotë.
T’i flasësh gotës nëpër duar:
“Sa pak të mira ka kjo botë!”


Përgatiti: Xhulio Kureta

Lamtumirë Dritëro!

Sot, poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe dhimbjes njerëzore nuk jeton më fizikisht, por do të jetojë krijimtaria e tij.


Biografia
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit më 13 tetor 1931 dhe vdiq në 3 shkurt 2017.  Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme “Asim Zeneli”  në Gjirokastër, një shkollë me mjaft traditë. Shkollën e lartë e kreu në Shën Petërburg për letërsi dhe ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe ka qenë për shumë vjet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjithashtu ka qenë dhe deputet për tridhjetë vite.

Krijimtaria
Krijimtaria e Dritëro Agollit është mjaft e larmishme, si në: poezi, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash e të tjerë. E zhvilloi këtë krijimtari në dy kohë, në dy sisteme. Kritikët vlerësojnë krijimin e unit në poezi si dhe thjeshtësinë e komunikimit me lexuesit dhe mesazhet të gjithësishme. Në prozë vlerëson personazhet që janë të thjeshtë e madhështorë, komikë e tragjikë, të zakonshëm e të çuditshëm. Një nga shkrimtarët më të lexuar në poezi e romane. E vështirë të përkufizosh poezinë apo prozën më të mirë. Krijimtaria e Dritëro Agollit është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Krahas letërsisë, ai do të  kujtohet edhe si një politikan i mençur, i vlerësuar me disa tituj ku mban edhe atë më të lartin “Nderi i Kombit”.

Disa nga veprat e tij:
Poezi:  “Ankesa”, “Berberi”, “Do të më kujtosh” “Elegji për qenin”, “Ëndërr e prerë”, “Ftohja”, “Heshtja”, “I përndjekuri i dashurive”, “Kësaj nate me hënë të vjeshtës”, “Këtu s’do jem”, “Mos ma kujto”.
Romane: “Kalorësi lakuriq”, “Komisari Memo”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” “Trëndafil në gotë”.
Drama: “Mosha e bardhë”, “Fytyra e dytë”.
Poema, si: “Nënë Shqipëri”.
  
Këtu vërtet nuk do të jesh më, por kur do të mërzitemi shumë, në raftet e librave do të kërkojmë.

Këtu s'do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S'do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s'do më kesh në dhomë të gjallë
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty  do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t'vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas një rrëkeje.



sabato 28 gennaio 2017

Shenjat e pikësimit

Shenjat e pikësimit
Përgatiti: Alma Pire - Anëtare e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime" 

Për të mënjanuar dykuptimësitë gjatë të shkruarit të fjalëve në një fjali sigurisht që përdorim shenjat e pikësimit. Si do kuptohej fjalia e mëposhtme pa shenja pikësimi?
- Të lirohet jo të dënohet!
Ku duhet vënë presja? "Të lirohet, jo të dënohet!" apo "Të lirohet jo, të dënohet!" E pra, për një presje të gabuar një person mund të dënohet ose të lirohet...

Në gjuhën shqipe ka shenja pikësimi që përdoren brenda fjalisë dhe të tjera që përdoren  në fund të saj. Shenjat e pikësimit që përdoren brenda fjalisë janë: presja, pikëpresja, viza, thonjëzat, dypikëshi.
Shenjat e pikësimit që përdoren në fund te fjalisë për të shprehur një intonacion të caktuar  janë: pika, pikëpyetja, pikëçuditja, shumëpikëshi. 

Pika shënon intonacionin zbritës që shoqëron zakonisht fundin e fjalisë dëftore.

Pikëpresja shënon grafikisht një pushim më të gjatë se presja . Ajo ndan në përgjithësi pjesë të ndryshme të pavarura të një fjalie të përbërë.

Dy pikat shënojnë një pushim që zgjat pothuajse sa pikëpresja , por ndryshe prej saj dy pikat kanë një vlerë, lajmërojnë një shpjegim, një varg shembujsh etj

Kllapat  shënojnë një pushim të shkurtër, si presja. Shërbejnë për të dalluar, shquar dhe veçuar një grup fjalësh që shprehin një sqarim ose një mendim të ndërshtënë.

Vizat dhe thonjëzat shërbejnë për të rrethuar fjalët e një ose më shumë bashkëbiseduesve në një ligjëratë të drejtë . 
Thonjëzat përdoren për të treguar se fjalët e vendosura brenda tyre ndryshojnë nga fjalët jashtë thonjëzave, ose  përdoren jo me kuptimin e tyre të zakonshëm:
- vendosen në fillim dhe në fund të ligjëratës së drejtë për të veçuar fjalët përmendëse që ne riprodhojmë nga fjalët e autorit: Me një zë të ëmbël e pyeta: ”Çfarë ke?”
- u vendosim thonjëza fjalëve për të treguar kuptimin e tyre ironik: Eh, sa “ punëtor” je!
- vendosim në thonjëzave titujt e gazetave, librave, rrugëve, shkollave, organizatave etj. 
Sheshi “Nënë Tereza” ishte zbukuruar për festë.
- vendosim thonjëza në përkthimin e një fjale nga një gjuhë e huaj në shqip ose anasjelltas.
 Fjala “Facebook” nuk ka përkthim në shqip.
- përdorim thonjëza njëshe nëse janë brenda një teksti të mbyllur me thonjëza:
 “A e ke lexuar librin ‘Dreri i trotuareve’ të Diana Çulit?”- e pyeta unë me kuriozitet.

Presja
Presja (,) shënon një pushim të shkurtër brenda fjalisë. Ajo vë në dukje fjalë a grupe fjalësh në rolin e një gjymtyre të veçuar. Përdoret:
 - pas fjalëve apo grupeve të fjalëve si gjymtyrë homogjene,
* midis gjymtyrëve homogjene që nuk lidhen me lidhëza,
* tek gjymtyrët homogjene që bashkohen me lidhëza kundërshtore ”po”, “por” dhe me këpujoren ”as”,
* tek gjymtyrët homogjene me lidhëza të përsëritura: as…as, dhe…dhe,herë…herë, o…o,
 - pas fjalëve apo togjeve të fjalëve të ndërmjetme,
 - në shkresa, letra, për të ndarë emrin e vendit ku shkruhet diçka nga data ose viti,
 - për të ndarë pjesët e një fjalie të përbërë,
 - midis gjymtyrëve kryesore dhe të dyta kur ato përsëriten,
 - te përcaktori I veçuar kur ndodhet pas emrit,
* kur përcaktori vjen pas emrit që përcakton,
* kur përcaktori vjen pas emrit që përcakton, por nuk është I paveçuar nga trajta e nyjes së përparme apo nga mungesa e saj,
* kur ndahet prej fjalës që përcakton nga fjalë të tjera,
* kur I përket një emri a një emërtimi të përveçëm,
- te ndajshtimi I veçuar kur saktëson kuptimin e një emri a përemri,
* te ndajshtimi që I përket një emri të përveçëm,
* te ndajshtimi që shprehet me emër të përveçëm, me mbiemër ose me pseudonim,
 - te rrethanorët që saktësojnë kuptimin e një rrethanori tjetër,
* te rrethanorët e zgjeruar ose të pazgjeruar,
* te rrethanorët e ndërtuar me parafjalë apo me shprehje parafjalore,
- te thirrori kur ndodhet në fillim a në fund të fjalisë,
- te ndërtimet me forma të pashtjelluara kur ndodhen para kallëzuesit, në mes të fjalisë ose kur lidhen drejtpërdrejt me të
- te pjesëzat pohuese kur shënojnë rënien e tonit dhe pauzë në të folur,
- te fjalët dhe pjesëzat modale (lumturisht, fatmirësisht, për çudi, për fat të keq)
* te fjalët dhe shprehjet modale që shprehin vlerësim logjik (madje, sidomos, të paktën, ndër të tjera)
* te fjalët dhe shprehjet modale që tregojnë vlerësim të vërtetësisë së kumtimit(doemos, natyrisht, pa diskutim etj.)
* fjalët dhe shprehjet modale që tregojnë lidhje logjike midis kumtimeve a pjesëve të tyre (sidoqoftë, pra, domethënë etj.)

Pikëpyetja 
Pikëpyetja është ajo shenjë që shënon intonacion ngjitës:
- shoqëron fjalinë e thjeshtë pyetëse: Kush ishte?
- përdoret në fund të një fjalie të përbërë pjesët e së cilës bashkohen me lidhëza bashkërenditëse ose pa lidhëza: Po sikur të marrësh opingat dhe të kthehesh andej nga erdhe?
- përdoret në fund të periudhës me fjali të varura nga një fjali kryesore pyetëse nëse intonacioni pyetës ruhet deri në fund: E nga e di ti që nuk e kam me gjithë zemër?
- përdoret edhe në fund të një fjalie pyetëse e cila nuk kërkon përgjigje (pyetje retorike): Kështu kërkon ta kalosh jetën?
- përdoren dy ose tri pikëpyetje njëra pas tjetrës për të theksuar më shumë karakterin pyetës të fjalisë: Çfarë?? Unë, përse???

Pikëçuditja
Pikëçuditja është ajo shenjë pikësimi që shoqëron intonacionin e veçantë të shprehjes së një emocioni (gëzim, hidhërim, kundërshti, zemërim). Përdoret:
- në fund të një fjalie të thjeshtë thirrmore ose të një periudhe me fjali të tilla:
Sa shpejt ikin vitet! Këtu kemi lindur, këtu jetojmë, këtu do të vdesim!
- në fund të fjalive të pavarura nxitëse ose dëshirore: Uluni! Mirë se erdhët!
- në fund të një periudhe me fjali të nënrenditura të varura nga një fjali kryesore thirrmore nxitëse ose dëshirore: Jepjani moj atë që u takon dhe mos u merrni me ta!
- në fund të një periudhe që mbaron me një fjali thirrmore: Po i lamë të huajt të na shkelin, na qoftë haram buka!
- pas thirrmorëve a pasthirrmave kur përdoren me vlerën e një fjalie të paplotë thirrmore, në shprehjet pasthirrmore, urimet, mallkimet, falënderimet, komandat: Gjysh! Udhë e mbarë! Gatitu! Ah! Gjak e dhjamë!
- në fund të një fjale a grupi fjalësh të ndërshtëna me karakter thirrmor të cilat janë future në një fjali të varur: Këndonin e kërcenin (oh ç’të kërcyer që bënin!) tërë natën deri në mëngjes.
- përdoret edhe pas një fjalie pyetëse me karakter thirrmor, ose pas një fjalie pyetëse retorike. Në këtë rast forma pyetëse e fjalisë shërben për t’i pohuar diçkaje forcë të veçantë, për të shprehur emocion: Gjithë kjo zhurmë për kaq gjë?!

Vendosen dy ose tri pikëçuditje për të theksuar karakterin thirrmor të fjalisë:
Sa jetë e vështirë!!!
Kujdes! Nuk vendoset pikëçuditje por presje pas thirrorëve në fillim të një letre:
E dashur nënë,

Shumëpikëshi (…)
Shumëpikëshi  tregon se fjalia dhe mendimi mbeten të papërfunduar, ligjërimi është ndërprerë dhe aty ka një pushim të gjatë. Përdoret në këto raste:
- kur fjalët e folësit ndërpriten nga bashkëbiseduesi apo dikush tjetër për diçka që ndodh papritmas:
Atëherë nesër në mesditë…tha mësuesja dhe nuk e përfundoi fjalën se dikush e thirri nga korridori.
- për të treguar ndërprerjen e thënies nga vetë folësi për arsye të një emocioni të fortë kur nuk gjen fjalën e duhur, kur nuk mundet të flasë, kur ngurron dhe ndërron mendje: 
Unë thashë…, unë gabova…, por…
- për të treguar se kemi një të folur të ngadaltë, me ritëm dhe pushime të gjata: 
Nuk është e vërtetë… unë nuk jam ashtu si mendoni… Ma falni këtë herë…
- për të treguar ndërprerjen e një thënieje që lexuesi e merr me mend, ose i lihet ta mendojë: Apo s’është e gjatë, e…
- në vend të një fjale që nuk duam ta përmendim: Unë besoj në…
- në vend të një fjalie pyetëse ose fjalie që shpreh gjendje emocionale për ta vënë më mirë në dukje atë që po ndodh. Në këtë rast tri pikat vendosen pas pikëpyetjes apo pikëçuditjes: 
Ku e keni gjetur këtë të drejtë?...
- në citime për të treguar se janë lënë jashtë tyre fjalë dhe fjali: 
“…lexova Kadarenë komplet, provoj të shkruaj kritikë por… nuk mundem.”






domenica 22 gennaio 2017

Dimri dhe vjershat për fëmijë

Gjuha Shqipe pa gabime

Dimri dhe vjershat për fëmijë



Shkruan Xhemi Hajredini - administrator i grupit

Strugë, 22.01.2017
          
Sot, një ditë dimri me dëborë, duke shoqëruar mbesën, seç m'u kujtua vjersha për fëmijë "Karamela Zana". Arla është e vogël dhe çfarëdo që t'i recitosh e pranon me qejf, por unë pata hamendjet e mia rreth saktësisë së fjalëve dhe vargjeve... Të ketë ndonjë gjë të sajuar këtu?! Të kem harruar ndënjë varg?!

Zgjidhja nuk ishte shumë e vështirë. u futa te grupi "Gjuha Shqipe pa gabime", një grup tërheqës që i përkushtohet gjuhës, dhe jo vetëm që gjeta vargjet e plota të vjershës "Karamela Zana", por anëtarët e grupit sollën edhe shumë vjersha të tjera që kanë qenë shumë më pranë një fëmije dikur. Sa nostalgji për vjershat e mësuara gjatë fëmijërisë! 

Ah, sa bukur! Dimri dhe dëbora na krijon gjithmonë një atmosferë paqeje, bardhësie dhe pastërtie shpirtërore. Dimri i ftohtë krijon gjithmonë ngrohtësi. Ngrohtësi mes brezave, mes vjershave dhe këngëve për fëmijë.
Qyteti i Strugës - Janar 2017
Karamela Zana
Karamele "Zana" vijnë nga Tirana.
Nga Tirana n'Peshkopi,
çfarë numri do ti?
Unë dua treshin,
macja kapi veshin.
Veshi u këput,
macja ra në llucë.
Treni kaloi,
macja shpëtoi. 

Dhe pas kësaj grupi, përkatësisht anëtarët e tij, radhiti vjershat të tjera, të bukura dhe tëheqëse.

Duart tona
Pa shikoni, duart tona,
sa të vogla, sa të njoma!
Duart tona punëtore,
vizatojnë në fletore.
Presin bukur me gërshërë,
qepin kopsa me gjilpërë.
Mbajnë tulla, mbajnë gurë.
Duart tona s'lodhen kurrë! 

Ashtu si letërsia e të rriturve, edhe letërsia për fëmijë zë fill në një nga periudhat më të ndritura të jetës shqiptare, atë të Rilindjes Kombëtare.

Qingji
Kam një qengj, që ha bar,
me një zile në qafë varë,
kam një qengj, një larosh,
që ma quajnë bukurosh.
Giçi - giçi, plot me gaz
unë e ndjell, ai vjen pas,
be-be-be blegërin,
vjen nga prapa e më arrin.
E me brirë, dap e dap,
do të më hedhë m’u në trap,
po s’më hedh, se më ka shok,
prandaj lozim të dy tok.

Rosat
Rosat po lahen brenda në liqen.
Kokën fusin poshtë,
bishtin lart e ngrejnë.
Lahen, pastrohen për bukuri,
Pastaj mak, mak, mak
Nisen për n'shtëpi.

Iriqi
Iriqi i vogel u semurë,
me rrufe, kollë, temperaturë.
Mami me karrocë e mori,
dhe e çoi te doktori.
Do bejë gjilperë! - doktori thot:
Iriqi qan e qan me lot!
E mori vesh një pyll i tërë,
S'duron iriqi një gjilpërë!
Aty kalon një milingonë;
- po ti ç'ke o xhan që qan?
Ti je nga fis e goxha fis,
që mban gjilpëra në kurriz.
E nuk ankohen asnjë çikë,
e lot nuk derdhin asnjë pikë.
Vjen infermieria goxha bletë,
i bën gjilpërën shpejt e shpejt.
Hajt me shëndet!
E mos lesho lot mbi faqe,
si ca fëmijë që tundin lagjen.
Për një gjilpërë nis ulërima,
pale na thonë se janë dhe trima.

Grupi virtual "Gjuha Shqipe pa gabime", në shërbim të të gjithë anëtarëve, të prindërve të rinj, mërgimtarëve, nuk ndoloi. Në traditën shqiptare çdo stinë ka patur festat e veta, të cilat kanë dhe këngët dhe lodrat e tyre të organizuara prej fëmijëve.

Vjeshta e artë
Vjeshtë e artë,
a s'më thua?
Çfarë dhurate më dhe mua?
Vjeshta qesh edhe thotë,
të kam sjellë dhurata plotë
hapi duart vogelush,
plotë me fruta do t'i mbush,
mollë, dardhë, ftonj dhe rrush.

Nuk u harrua as kënga - lojë "Shi shi lagashi":
Shi-shi
Lagashi
Shkoi plaka
në mulli,
Poqi tre
Kulaçë në hi,
Një e poq
Një e dogj,
një e hëngri
me gjithë zogj.
Ciu, ciu, ciu. 

Po si mund të harrohen vjershat dhe këngët për abetaren.

Abetare
Abetare fort të dua
Me ato shkronjat e tua
Dora ime u mësua
Mendja ime u ndriçua
Kam mësuar të lexoj
Shkruaj bukur recitoj.

Nuk kishte si të mungonin vjershat për macen.

Mjau, mjau, mjau
nje maçok fytyren lau.
Gjyshja ime kur e pa
do të bjerë shi -më tha.
Po Petriti vellai im
që di mirë çdo mësim,
i tha gjyshes -kur s'ka re,
jo nuk bie shi mbi dhe.

Macja le të lahet
prapë do të thahet
gjeli të kendojë, sa herë të dojë
Po nuk pati re
po nuk vetëtiu
po nuk bubulliu
s'bie shi mbi dhe.

Dëshirat dhe ëndrrat e fëmijëve:

Sa shumë deshirë unë kisha
të ngjitem në hapësirë
si zog të fluturoja
në qiellin tim të lirë.
Nje zogu unë iu luta
që krahët të m'i jap
njëherë të fluturoja
pastaj t'ia ktheja prap'.
U ngrita mes reve
i lumtur shëndevere
dhe zogun e lashë
me krah' te prer'.
M'u duk shumë i merzitur
ndaj zbrita prap' ne tok'
Me mall e përqafova
si mik edhe si shok.
          
Po si u bëka pa Besnikun, që për një b që nuk i vuri, fjala bujk u bë ujk.

Me rremujë detyrat i bëri Besniku,
e la fletoren hapur dhe në lojë iku.
E mora fletoren.
Boboooo ç'të lexoj...
Në çdo fjalë të shkruar,
mungonte nga një shkronjë.
Atë ditë Besnikun,
e hoqa nga loja.
Sot  - i thashë, je ngopur duke ngrënë shkronja.
Lermë o babi lermë,
Lermë të shkojë në lojë,
Se s'behet hataja vetëm për një shkronjë.
- Nuk bëhet hataja vetëm për një shkronjë?
Eja biri babit bashkë ta shikojmë.
Per një d që ti s'e vë
fjala derë bëhet erë.
Per nje m që ti s'e vë
fjala mik bëhet ik
C'bën kështu more Besnik?
A i thuhet mikut ik..
Per nje b që ti s'e vë
fjala bujk behet ujk.
Syte e Besnikut mbushen me lot.
Bën të flasë, por çfarë të thotë?
          
Një anëtar i grupit duke sjellë vjershën më poshtë, theksoi se kishte shumë mall për nxënesit, punën e mësuesit dhe femijerinë.

Një gjel të vogël unë kam pa
me pas ndi sa bukur bënte
ki, ki, ki, bënte pa nda
ki, ki, ki, e kurrë s'pushonte
gjeli ki, ki, ki, kiiii
o sa bukuri!
Një zog të vogël unë kam pa
me pas ndi sa bukur bënte
ciu, ciu, ciu bënte pa nda
ciu, ciu, ciu e kurrë s'pushonte
zogu ciu, ciu, ciu, ciuu
gjeli ki, ki, ki, kii
o sa bukuri!
Një mace të vogël unë kam pa
me pas ndi sa bukur bënte
mjau mjau mjau e kurre s'pushonte
macja mjau, mjau, mjau, mjau
zogu ciu, ciu, ciu, ciu
gjeli ki, ki, ki, ki, kiii
o sa bukuri!
Një qen të vogël unë kam pa
me pas ndi sa bukur bënte
ham, ham, ham, bënte pa nda
ham, ham, ham, e kurre s'pushonte
qeni ham, ham, ham, ham
macja, mjau, mjau, mjau, mjauuu
zogu ciu, ciu, ciu, ciuuu
gjeli ki, ki, ki, kiii
o sa bukuri!

Ishin vetëm disa vjersha që u sollën nga anëtarët e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime" për të rikujtuar thesarin e letërsisë shqiptare për fëmijë.

I falënderoj anëtarët: Aurora kaso Borici, Anila Ndoj, Frida Bushati, Alma Pire, Drita Arapi, Dritë gerbolli, Ela Frensis, Lejla Gorishti, MarsEda Merolli, Valentina Gjeka, Gjin Kole Dedaj dhe të gjithë të tjerët që sollën për lexuesit disa nga poezitë e bukura, por të harruara, për fëmijë.

domenica 15 gennaio 2017

Një vit pa profesor Agron Balën!

Një vit pa profesor Agron Balën!

Një vit më parë,  më 15 janar 2016 ndërroi jetë  administratori i nderit i grupit tonë virtual "Gjuha Shqipe pa gabime", profesor  Agron Bala. Në nderim të tij, hapet edhe zyrtarisht ky blog dhe siparin e tij e hap pikërisht intervista që kemi zhvilluar me bashkëshorten e të ndjerit, zonjën Irma Bala.


Zonja Irma, siç e dimë tashmë më 15 janar profesori dhe gazetari i mirënjohur, bashkëshorti juaj, Agron Bala mbush një vit nga ndarja nga jeta. Agroni ka qenë administrator nderi i grupit tonë "Gjuha Shqipe pa gabime "Si erdhi ky proces?
- Agroni ishte ideator/moderator i një serie dokumentarësh të titulluar "Click 7x7". Si i tillë, një nga dokumentarët e zhvilloi në Parma të Italisë duke ditur numrin e madh te përfaqësuesve të Shqipërisë në atë vend. U kontaktua nga shoqata "Scanderbeg Parma"  për të bërë të njohur nga afër me veprimtarinë e kësaj shoqate. Nuk mund të them se si procedoi "titullimi" i Agronit, por mendoj se duke marrë parasysh background-in e formimin e tij në fushën e gjuhës shqipe, do të ishte i përshtatshëm për të dhënë kontributin e tij në grupin tuaj. Njohja e tij në Parma me  Durim Likën, themeluesin e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", "Senator a vita" i  shoqatës Scanderbeg Parma siç e quante Agroni, presidenti i parë i kësaj shoqate, automatikisht shpjegon lidhjen e tij me grupin.

Në nder të Agronit, ju zonja Irma, keni sponsorizuar edhe disa çmime simbolike të konkursit tonë me rastin e 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Si ndiheni për këtë?
- Mendoj se ky gjest ishte më e pakta që mund të bëja për të zgjuar kujtimin e Agronit te njerëz që mbase nuk e njihnin, por falë çmimit simbolik do të kenë me ta mbështetjen morale që ai do t'u jepte për të vazhduar ëndrrat e tyre.
Dhe sigurisht që duke e menduar në këtë sens, akti simbolik që unë bëra më jep ngrohtësi!
Prandaj duhet të falenderoj grupin "Gjuha Shqipe pa gabime" që më dha mundësinë për t'ju inkurajuar në këtë mënyrë modeste.

A mund të na tregoni diçka për jetën e Agronit, një jetë e mbushur me punë madhore duke dokumentuar Shqipërinë, Trojet etnike shqiptare dhe Shkodrën tonë të dashur?
- Agroni, siç e përmendni dhe ju, ka pasur një jetë e cila mban shumë për t'u përmbledhur në një përgjigje, por do të doja të kujtoja me ju ndjenjën e fortë nacionaliste që ai kishte.
Sa herë udhëtonim në vendet e Shqipërisë, do të dëgjonim nga Goni fjalinë: "Shqipëria është e bekuar!" E donte shumë këtë vend dhe dëshironte që t'i mundësonte dhe të tjerëve të shikonin Shqipërinë nëpërmjet syve të tij. Mendoj se dhe etapa e fundit e karrierës së tij u fokusua pikërisht në mundësimin e kësaj gjëje. Do të shtoja se pasioni i tij për historinë nuk ngopte kurrë kureshtjen për të zbuluar sa vinte e më shumë, dhe ky fakt, i ka dhënë larmishmëri emisioneve apo shkrimeve të tij.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen për të njohur dhe shpërndarë punën kolosale të Agronit?
- Agroni ka lënë shumë pas! Ndër gjërave më të çmuara që mund të përmend ishte shoqëria e tij. Ata më kontaktojnë herë pas here për të shprehur vullnetin e tyre për realizimin e një libri përmbledhës të shkrimeve të tij apo përkthimin e romanit të tij "Jetë në dy kohë" në gjuhë të tjera.
Mendoj se është akoma herët për të marrë një vendim përfundimtar pasi, siç u përmend, ai ka bërë një punë kolosale, punë e cila kërkon seanca të gjata kërkimore e përpunuese.
Por sigurisht që është në planet tona të mbajmë gjallë punën e tij.

A do të donit të bëheshit pjesë aktive e grupit tonë?
- Dëshira për t'u bërë pjesë e aktiviteteve tuaja është e madhe sepse shikoj të zhvilluar në to ndjenja humane, që në ditët e sotme janë të vështira të hasen.
Por formimi im i përket një fushe tjetër. Ka qenë Goni pjesa sociale e çiftit, ai ka pasur talent komunikimin me njerëzit si dhe një ndjeshmëri që unë nuk besoj të mund t'i afrohem.

Së fundmi, çfarë do të uronit për stafin tonë administrues?

- Uroj një vazhdimësi të aktiviteteve tuaja frymëzuese të cilat "korrigjojnë" imazhin e vendit tonë! Me shumë dashamirësi ju them të mos ngurroni të më kontaktoni për çdo lloj ndihme që ju nevojitet për mbarëvajtjen e aktiviteteve tuaja.

Ju falenderoj përzemërsisht për kohën që na kushtuat! Ju uroj punë të mbarë në vazhdim!
-Kënaqësia ishte e imja! Ju falenderoj për rëndësinë që i dhatë kujtimit të tim shoqi!

Intervistoi për grupin "Gjuha Shqipe pa gabime"
Frida Bushati

www.facebook.com/groups/734704939927193/
Shkodër, 15 janar 2017

Prof. Agron Bala me bashkëshorten e  tij Irmën.
Intervistoi : Frida Bushati
Librat e sponsorizuar nga familja Bala për fituesit e konkursit.

Certifikata e mirënjohjes për secilin fitues.