venerdì 3 febbraio 2017

Lamtumirë Dritëro




Ndodh shpesh të jesh i dëshpëruar
e shpesh të heshtësh te një gotë.
T’i flasësh gotës nëpër duar:
“Sa pak të mira ka kjo botë!”


Përgatiti: Xhulio Kureta

Lamtumirë Dritëro!

Sot, poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe dhimbjes njerëzore nuk jeton më fizikisht, por do të jetojë krijimtaria e tij.


Biografia
Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit më 13 tetor 1931 dhe vdiq në 3 shkurt 2017.  Mësimet e para i mori në vendlindje dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme “Asim Zeneli”  në Gjirokastër, një shkollë me mjaft traditë. Shkollën e lartë e kreu në Shën Petërburg për letërsi dhe ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe ka qenë për shumë vjet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjithashtu ka qenë dhe deputet për tridhjetë vite.

Krijimtaria
Krijimtaria e Dritëro Agollit është mjaft e larmishme, si në: poezi, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash e të tjerë. E zhvilloi këtë krijimtari në dy kohë, në dy sisteme. Kritikët vlerësojnë krijimin e unit në poezi si dhe thjeshtësinë e komunikimit me lexuesit dhe mesazhet të gjithësishme. Në prozë vlerëson personazhet që janë të thjeshtë e madhështorë, komikë e tragjikë, të zakonshëm e të çuditshëm. Një nga shkrimtarët më të lexuar në poezi e romane. E vështirë të përkufizosh poezinë apo prozën më të mirë. Krijimtaria e Dritëro Agollit është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Krahas letërsisë, ai do të  kujtohet edhe si një politikan i mençur, i vlerësuar me disa tituj ku mban edhe atë më të lartin “Nderi i Kombit”.

Disa nga veprat e tij:
Poezi:  “Ankesa”, “Berberi”, “Do të më kujtosh” “Elegji për qenin”, “Ëndërr e prerë”, “Ftohja”, “Heshtja”, “I përndjekuri i dashurive”, “Kësaj nate me hënë të vjeshtës”, “Këtu s’do jem”, “Mos ma kujto”.
Romane: “Kalorësi lakuriq”, “Komisari Memo”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” “Trëndafil në gotë”.
Drama: “Mosha e bardhë”, “Fytyra e dytë”.
Poema, si: “Nënë Shqipëri”.
  
Këtu vërtet nuk do të jesh më, por kur do të mërzitemi shumë, në raftet e librave do të kërkojmë.

Këtu s'do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S'do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s'do më kesh në dhomë të gjallë
Dhe kur në xham të fryjë erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty  do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t'vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas një rrëkeje.