Rrjetet sociale dhe Gjuha shqipe (me) pa gabime
“Kultura e gjuhës
është e domosdoshme për çdo shkrimtar, për çdo gazetar, për çdo intelektual,
për çdo njeri. Ai që nderon gjuhën, nderon atdheun. Përpikëria, qartësia,
thjeshtësia dhe koloriti i gjuhës janë aq të nevojshme për çdo shkrimtar sa
gjithë veglat e punës për punëtorin.” – Dritëro
Agolli
Shkruan: Xhemi Hajredini – Administrator
i grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”
Rrjetet sociale, kultura e gjuhës, kujdesi për të shkruar
gjuhën shqipe pa gabime kanë qenë dhe janë çështje që janë diskutuar dhe
diskutohen vazhdimisht. Janë hartuar vepra normative që kanë rregulluar
drejtshkrimin dhe kulturën e gjuhës, që ne pasardhësit e veprimtarëve të
Rilindjes kombëtare ta ruajmë pastërtinë e e gjuhës. Niveli
kulturor i një individi tregohet nëpërmjet pastërtisë së gjuhës.
Problemet teorike dhe praktike vazhdojnë të jenë të
pranishme dhe jo vetëm në rrjetet sociale. Gjuha shqipe sot është
gjuhë e shumë grupeve virtuale, portaleve, gazetave, forumeve dhe blogeve në
internet. Varietete me bollëk. Shkruajnë tutkunët e kalemxhinjtë mediokër.
Stabilizimi i urave të komunikimit dhe zhvillimi i mendimit me kulturë
gjuhësore është vështirësuar edhe përkundër mundësive të shumta teknologjike.
Megjithatë,
nuk duhet hedhur shumë baltë e vrer rrjeteve sociale. Pse duhet përlloçur çdo
gjë, me dhe pa të drejtë?! Edhe rrjetet sociale janë ura komunikimi,
instrumente nëpërmjet të cilave ndajmë mendime, porosi dhe shoqëri me më shumë
individë. Po të flasim për etikën e komunikimit, atëhere kemi të bëjmë me një
temë tjetër.
Fejsbuku
(facebook), për shembull, është një rrjet shqoqëror me mbi një miliard e gjysmë
përdorues aktivë që sot mund të cilësohet si kryefjala e ditës për çdo njeri.
Përdoret si një rrethanor në të cilin gjithsecili prej nesh kalon një pjesë të
mirë të kohës, një mënyrë informacioni apo edhe vend reklamimi i vetes apo dhe
i punës tënde, një vend ku shprehen ndjenjat dhe veprimet e së përditshmes, një
vend ku takon dhe ndahesh me miq. FB, në një farë mënyre, është bërë një pjesë
e pandashme e secilit prej nesh. Për shumë prej nesh FB mund të jetë një vend
ku mund të marrësh dhe të japësh dije dhe njohuri në fusha të ndryshme të
jetës, ku secili prej nesh, nëpërmjet grupeve të ndryshme që funksionojnë këtu,
mund të bëhet pjesë me ato që di dhe të kërkojë shpjegim.
Alma Pire,
një përdoruese e rrjeteve sociale, me profesion mësimdhënëse e gjuhës shqipe në
një shkollë fillore, rrethi i Elbasanit, thotë se nga disa grupe, bloge dhe
forume në FB, mund të përsosësh kulturën e komunikimit. Ngrihen probleme të
ndryshme gjuhësore, trajtesa mbi gjuhën që nga zanafillat e saj më të hershme,
e deri tek problemet më të mëdha, grupe që kërkojnë gabimet që nga fonemat e
deri te tekstet shkollore. Një grup i tillë, me këtë tendencë pozitive, është
edhe “Gjuha shqipe pa gabime”, me rreth 23 mijë anëtarë. Këto grupe në fejsbuk
u vijnë në ndihmë edhe mërgimtarëve të cilët i djeg malli i mëmëdheut, i gjuhës
shqipe, i dëshirës për t’u shprehur shqip. Grupet hartojnë rregullore duke
kërkuar një komunikim të pastër dhe të bukur shqip. Janë të përhapur e zgjeruar
në tërë kufijtë gjeografikë ku ka shqiptarë. Rrihen (trajtohen) dialektet, të
folurat kalimtare të zonave të ndryshme, drejtshkrimi e drejtshqiptimi, njësitë
frazeologjike dhe proverbat, thëniet e urta, termat e rinj, huazimet, turqizmat
e barbarizmat. Këto grupe në rrjetet sociale, që kaq shumë i shajmë, nuk njohin
moshë, të gjithë kërkojnë të kuvendojnë e të mësojnë, kërkojnë mënyra të tjera
për t’i përsosur njohuritë, ku çdo anëtar nuk ka orar për të qëndruar pranë
dijes, ku dialektet e gjuhës shqipe kanë peshën e tyre dhe standardi është
kryefjalë e pazëvendësueshme.
Blerim Jashari,
një aktivist i shoqërisë civile, nga qyteti i Tetovës, shpreh shqetësimin e tij
se aktualisht të rinjtë harxhojnë shumë kohë në fejsbuk dhe rrjetet të tjera
sociale. “Nuk e përjashtoj mundësinë që po në këto rrjete edhe mund të mësosh
shumë por duhet patur kujdes në përzgjedhje. Janë disa grupe që na japin
mundësinë dhe na mësojnë vërtet gjuhën tonë të bukur, si ta ruajmë, si ta
kultivojmë e ta shkruajmë pa gabime. Gjithashtu, rrjetet sociale per mua, janë
një mundesi më shumë për t’u njohur me njerëz të ndryshëm që jetojnë gjithandej
globit.
Lejla Gorishti,
një njohëse e mirë e gjuhës shqipe, nga qyteti i Vlorës, thotë se fejsbuku
vërtet të ha shumë kohë, është e vërtetë që ka grupe qe nuk kanë pikë vlere, se
nuk ke çfarë të përfitosh, por bie fjala grupi “Gjuha Shqipe pa gabime” kryen një
veprimtari me vlera të çmuara. Këtu mësohen rregullat e drejtshkrimit. Është
një kurs pa para. Shumë persona, nga çdo cep i botes, më shkruajnë e
falënderojnë se ky grup po na ndihmon shumë për gjuhën. Edhe unë vet kam mësuar
shumë nga grupi për përdorimin ose kuptimin e disa fjalëve sipas krahinave të
ndryshme. Duke u nisur nga thënia e Holger Pedersen: “Gjuha shqipe është i
vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme
dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë
për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”, unë them
se këtë vlerë e jep vetëm ky grup. Prandaj jo çdo gjë e fejsbukut është humbje
kohe. Ai që mendon kështu le të shkojë e të kërkojë mundësi të tjera për t’u
formuar si nga ana gjuhësore ashtu edhe nga ajo kulturore.
Frida Bushati,
një vajzë e re nga Shkodra, ndër të tjera thotë: “Për mendimin tim, rrjetet
sociale sot po “vuajnë” një paragjykim masiv. Përpos çdo aspekti negativ që
mund të shihen (dhe që nuk mohoj se janë të vërteta, edhe pse nuk duhet
përgjithësuar asgjë), rrjetet sociale kanë shumë anë pozitive: së pari, të
japin mundësinë e komunikimit me shumë njerëz, njëkohësisht edhe të ndash
mendimet me ta, qofshin të njohur apo të panjohur. Së dyti, të krijojnë
hapësira për informim të gjerë, të cilin shpesh nuk mund ta marrësh në media.
Së treti, mundësitë për të përvetësuar gjëra të reja (nëpërmjet grupeve që
krijohen për këtë qëllim) janë të mëdha, mjafton të dish si t’i shfrytëzosh.
Çdo gjë varet nga qëllimi i individit. Nëse ai niset për t’i përdorur rrjetet
sociale për arsye, le t’i quajmë “banale”, atëherë e arrin. Por ama, nëse niset
për t’i shfrytëzuar për qëllime të dijes apo informacionit, rrjetet sociale
janë një mundësi për t’u marrë parasysh.”
Stefan Paloka,
gjuhëtar nga qyteti i Lezhës, thotë se pakkush do ta kishte menduar se një grup
si “Gjuha Shqipe pa gabime”, një grup i krijuar prej dy vjetësh do të mbërrinte
brenda një periudhe kaq të shkurtër nivele të tilla sasiore dhe cilësore. Ishte
emri i grupit ai që mblodhi rreth vetes dashuruesit e gjuhës sonë të
perëndishme? A mos vallë ishte ky emër shkëndija që ndezi një zjarr kaq të madh
në të cilin u shkrinë zemrat e mbi 22.000 shqiptarëve brenda e jashtë kufijve
të trojeve tona etnike?
Rëndësi
ka që ne kemi arritur të fshijmë kufij gjeografikë, dialektorë e politikë dhe
po shkruajmë një faqe të shkëlqyer të historisë së gjuhës sonë, të cilën as në
ëndërr nuk kisha guxuar ta shihja! Para krijimit të këtij grupi mendoja se
shqipja kishte marrë një të tatëpjetë që zor se po e vërente tjetërkush përveç
meje dhe isha krejt i pashpresë për të ardhmen e gjuhës sonë të moçme sa vetë
Evropa. U desh ky grup dhe kontributet e paçmueshme të anëtarëve të tij që
shpirti im të këndellej sërish nga një dritë gëzimi dhe optimizmi të patreguar
se ditë më të mira i presin shqipen dhe shqiptarët." Sipas z.Paloka, të promovosh një gjuhë të vogël përballë sfidave që sjell globalizmi dhe
përfshirja në botën e lirë kërkon durim, punë dhe lënie mënjanë inatet e
vockla, sedrën e sëmurë dhe meskinitetin provincial. Gjërat e bukura që
krijohen me mund e djersë nuk duhet të shkatërrohen e shkërmoqen sa hap e mbyll
sytë.
Bashkim Tërstena,
profesor i gjuhës angleze, nga Ferizaji, shprehet: “Gjatë komunikimit dhe
bashkëpunimit virtual njerëzit nuk transmetojnë emocione, prandaj, edhe shumë
herë ndodh që të ketë keqkuptime, mosmarrëveshje, gjykime dhe vlerësime të
gabuara. Gjuha si mjet i komunikimit, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit
virtual nuk përmban ngjyra emocionale, por është thjesht bardhë e zi, prandaj,
duke marrë për bazë këtë aspekt shumë të rëndësishëm, të gjithë njerëzit duhet
të jenë të kujdesshëm se si i përgjigjen një kritike, vlerësimi, përmirësimi,
sugjerimi, qortimi, i cili mund të jetë real, ironik, satirik, i drejtpërdrejtë,
ngacmues, etj.
Kam vrejtur se gjatë komenteve, shpeshherë ndodhin debate pikërisht për këtë mungesë emocioni të bashkëpunimit përmes virtualitetit, ndaj vëmendja në vështrimin më të thellë dhe më të kujdesshëm në atë që lexojmë mund të jetë i vetmi laborator i kuptimit dhe nënkuptimit të mundshëm të fjalës dhe fjalive.”
Kam vrejtur se gjatë komenteve, shpeshherë ndodhin debate pikërisht për këtë mungesë emocioni të bashkëpunimit përmes virtualitetit, ndaj vëmendja në vështrimin më të thellë dhe më të kujdesshëm në atë që lexojmë mund të jetë i vetmi laborator i kuptimit dhe nënkuptimit të mundshëm të fjalës dhe fjalive.”
Pra
edhe bashkësitë digjitale luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme
të njerëzve. Edhe rrjetet sociale, si ura komunikimi, përcjellin emocione. Edhe
fejsbuku shpalos kulturën dhe etikën tonë të komunikimit. Nuk tregohen muskujt
në rrjetet sociale, por edukata dhe kultura e komunikimit! Mos u frikësoni nga
gjestet e mirësjelljes, paçka se të tjerët (të paedukuarit) ua marrin si shenjë
dobësie.
Të
gjithë besoj se e kanë mundësinë e blerjes së një fjalori, apo të shkarkimit të
atij elektronik, secili prej nesh mund të blejë një Gramatikë të gjuhës shqipe
apo një Fjalor të Drejtshkrimit, por duke lexuar këta libra nuk mund t’u gjesh
përgjigje pyetjeve që të dalin, nuk arrin dot të rrahësh mendime, nuk i gjen
përgjigje shumë “pse-ve”. Ndërkohë që ky grup virtual është si një familje e
madhe, e ndarë në breza sipas moshës, në ide sipas praktikave, në gjykime sipas
përvojave, në arsyetime sipas profesioneve dhe në vendimmarrje sipas zotësive.
Ky grup është zhvillim, aty njeh miqësi, gjen mbështetje, kërkon zgjidhje,
pranon sfida, pëlqen modernitetin. Dija nuk njeh moshë, i eturi për dije nuk e
sheh kohën, zhvillimi do rrahje mendimesh. Në këtë grup ka zgjedhje dhe
zgjidhje!