domenica 15 gennaio 2017

Një vit pa profesor Agron Balën!

Një vit pa profesor Agron Balën!

Një vit më parë,  më 15 janar 2016 ndërroi jetë  administratori i nderit i grupit tonë virtual "Gjuha Shqipe pa gabime", profesor  Agron Bala. Në nderim të tij, hapet edhe zyrtarisht ky blog dhe siparin e tij e hap pikërisht intervista që kemi zhvilluar me bashkëshorten e të ndjerit, zonjën Irma Bala.


Zonja Irma, siç e dimë tashmë më 15 janar profesori dhe gazetari i mirënjohur, bashkëshorti juaj, Agron Bala mbush një vit nga ndarja nga jeta. Agroni ka qenë administrator nderi i grupit tonë "Gjuha Shqipe pa gabime "Si erdhi ky proces?
- Agroni ishte ideator/moderator i një serie dokumentarësh të titulluar "Click 7x7". Si i tillë, një nga dokumentarët e zhvilloi në Parma të Italisë duke ditur numrin e madh te përfaqësuesve të Shqipërisë në atë vend. U kontaktua nga shoqata "Scanderbeg Parma"  për të bërë të njohur nga afër me veprimtarinë e kësaj shoqate. Nuk mund të them se si procedoi "titullimi" i Agronit, por mendoj se duke marrë parasysh background-in e formimin e tij në fushën e gjuhës shqipe, do të ishte i përshtatshëm për të dhënë kontributin e tij në grupin tuaj. Njohja e tij në Parma me  Durim Likën, themeluesin e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", "Senator a vita" i  shoqatës Scanderbeg Parma siç e quante Agroni, presidenti i parë i kësaj shoqate, automatikisht shpjegon lidhjen e tij me grupin.

Në nder të Agronit, ju zonja Irma, keni sponsorizuar edhe disa çmime simbolike të konkursit tonë me rastin e 108 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Si ndiheni për këtë?
- Mendoj se ky gjest ishte më e pakta që mund të bëja për të zgjuar kujtimin e Agronit te njerëz që mbase nuk e njihnin, por falë çmimit simbolik do të kenë me ta mbështetjen morale që ai do t'u jepte për të vazhduar ëndrrat e tyre.
Dhe sigurisht që duke e menduar në këtë sens, akti simbolik që unë bëra më jep ngrohtësi!
Prandaj duhet të falenderoj grupin "Gjuha Shqipe pa gabime" që më dha mundësinë për t'ju inkurajuar në këtë mënyrë modeste.

A mund të na tregoni diçka për jetën e Agronit, një jetë e mbushur me punë madhore duke dokumentuar Shqipërinë, Trojet etnike shqiptare dhe Shkodrën tonë të dashur?
- Agroni, siç e përmendni dhe ju, ka pasur një jetë e cila mban shumë për t'u përmbledhur në një përgjigje, por do të doja të kujtoja me ju ndjenjën e fortë nacionaliste që ai kishte.
Sa herë udhëtonim në vendet e Shqipërisë, do të dëgjonim nga Goni fjalinë: "Shqipëria është e bekuar!" E donte shumë këtë vend dhe dëshironte që t'i mundësonte dhe të tjerëve të shikonin Shqipërinë nëpërmjet syve të tij. Mendoj se dhe etapa e fundit e karrierës së tij u fokusua pikërisht në mundësimin e kësaj gjëje. Do të shtoja se pasioni i tij për historinë nuk ngopte kurrë kureshtjen për të zbuluar sa vinte e më shumë, dhe ky fakt, i ka dhënë larmishmëri emisioneve apo shkrimeve të tij.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen për të njohur dhe shpërndarë punën kolosale të Agronit?
- Agroni ka lënë shumë pas! Ndër gjërave më të çmuara që mund të përmend ishte shoqëria e tij. Ata më kontaktojnë herë pas here për të shprehur vullnetin e tyre për realizimin e një libri përmbledhës të shkrimeve të tij apo përkthimin e romanit të tij "Jetë në dy kohë" në gjuhë të tjera.
Mendoj se është akoma herët për të marrë një vendim përfundimtar pasi, siç u përmend, ai ka bërë një punë kolosale, punë e cila kërkon seanca të gjata kërkimore e përpunuese.
Por sigurisht që është në planet tona të mbajmë gjallë punën e tij.

A do të donit të bëheshit pjesë aktive e grupit tonë?
- Dëshira për t'u bërë pjesë e aktiviteteve tuaja është e madhe sepse shikoj të zhvilluar në to ndjenja humane, që në ditët e sotme janë të vështira të hasen.
Por formimi im i përket një fushe tjetër. Ka qenë Goni pjesa sociale e çiftit, ai ka pasur talent komunikimin me njerëzit si dhe një ndjeshmëri që unë nuk besoj të mund t'i afrohem.

Së fundmi, çfarë do të uronit për stafin tonë administrues?

- Uroj një vazhdimësi të aktiviteteve tuaja frymëzuese të cilat "korrigjojnë" imazhin e vendit tonë! Me shumë dashamirësi ju them të mos ngurroni të më kontaktoni për çdo lloj ndihme që ju nevojitet për mbarëvajtjen e aktiviteteve tuaja.

Ju falenderoj përzemërsisht për kohën që na kushtuat! Ju uroj punë të mbarë në vazhdim!
-Kënaqësia ishte e imja! Ju falenderoj për rëndësinë që i dhatë kujtimit të tim shoqi!

Intervistoi për grupin "Gjuha Shqipe pa gabime"
Frida Bushati

www.facebook.com/groups/734704939927193/
Shkodër, 15 janar 2017

Prof. Agron Bala me bashkëshorten e  tij Irmën.
Intervistoi : Frida Bushati
Librat e sponsorizuar nga familja Bala për fituesit e konkursit.

Certifikata e mirënjohjes për secilin fitues.