giovedì 28 marzo 2019

Do të bëhet më mirë...


Nga Xhemi Hajredini
Një ditë

Me hir a me pahir,
një ditë do të bëhet më mirë,
do të jemi të lirë, të lirë.

Edhe të paudhët paskan ditëvdekje,
shpirtrobërit kanë mbushur ditë,
do ikin duke fjetur a në mesditë.  

Do të bëhet më mirë një ditë,
të shtypurit do të dalin n’dritë,
dielli sytë do t’ua shndrit’.

Një ditë të rinjtë nuk do të largohen,
në vatrën e tyre do të lartohen,
shtëpitë do mbushin e do shtohen.

Është mall nëne jo ëndërr poeti,
lëndojnë rrugët nga përtejdeti,
një kothere bukë e dashuri,
ka në shtëpi, në shtëpi.

Një ditë do të bëhet më mirë,
Më mirë, më mirë,
të lirë, të lirë...


Strugë, 28 mars 2019






martedì 19 marzo 2019

Jeta... në udhëkryq me lot


Në udhëkryq me lot


Nga Xhemi HAJREDINI

Strugë, 18 mars 2019

Jeta nuk është një garë çiklistësh, as edhe një udhëtim me shoqëri të mirë. Jeta ka kuptim kur ti, i vetmuar, ndodhesh para një udhëkryqi dhe vetëm vendimi yt ka rëndësi.


Në udhëkryq

Në të udhëkryqtë kohë,
hiq gunë e vish cohë,
ku të duash udhëto,
ti vrapo e këndo!

As nga magjistari s’ke dobi,
se nga vete ti s’e di,
përgjigju zemrës e vazhdo,
kërko, gërmo e zbulo!

E në mbërrifsh atje ku do,
me sa t’kesh zë mallko,
ju langonj e zuzarë,   
vafshi në djall, mëkatarë!

Me lot

Vetëkënaqësi filistine,
prej sofistësh arsyetime,
katraligët n'sofrën e parë,
për të qeshur a për të qarë!

 








giovedì 28 febbraio 2019

Me mall nga veranda n'Jaravil

Yarraville, Melbourne

  
Nga Xhemi Hajredini

 

Te veranda në Jaravil

Të fyer e të zemëruar,
për atdheun e munguar,
te veranda në Jaravil,
në një sofër në azil.

Të larguar e përmalluar,
bisedojnë e kuvendojnë,
ç’janë këta rezilë - katilë,
të mërguar rini kërkojnë!

Si të shkojmë e ku të vemë,
te hajdutët e mëmëdheut,
që përzunë djemtë tanë,
e na vjedhin në çdo anë.

Thërrisni mendjes të uruar,
ta ruajmë lavdinë e bekuar,
si të parët e atdheut,
krenarë bij të Skënderbeut!



Malli

Tek sodisja ca shtëpi,
me dërrasa dhe avlli,
krisi kënga, melodia,
valle jugu e parodia.

Jam në Korçë a Jaravilë,
veranda plot trëndafilë,
me patriotë i rrethuar,
nxjerrin dufin me t’kënduar.

A ka diçka për të pirë,
o i zoti i shtëpisë?
Për të ngrënë e për të pirë,
deri nesër në t’gdhirë.

Me mall e dashuri,
u mbyll një natë n’shoqëri,
më pastaj avaz i vjetër,
s’di gjë tjetër t’hedh në letër.

domenica 10 febbraio 2019

Reportazh


Në “fund të botës”

Strugë/Melburn,  janar 2019

Shkruan: Xhemi Hajredini



Udhëtimet e formojnë njeriun. Michel de Montegne ka thënë “udhëtimet e formojnë rininë” dhe mirë bëjnë të rinjtë të udhëtojnë e të mësojnë, përpara se të vendosin si dhe ku të rrojnë. Dua ta parafrazoj poetin e madh, laureatin e Mbrëmjeve strugane të poezisë, Fatos Arapi,  i cili ka thënë se jeta është stacion përpjekjesh, sulmesh e kujtimesh, ndarjesh e takimesh…
Me padurim e prita një ftesë për të udhëtuar shumë larg.

Kisha dëgjuar të thonë se disa bashkatdhetarë, disa dekada më parë, kishin ikur të punojnë dhe jetojnë në fund të botës, në Australi, por nuk e dija nëse vërtet kishin shkuar në fund të botës apo kishin ikur nga fundi i botës. Po marr rolin e një udhëpërshkruesi dhe po rrëfej ku jemi të arrirë dhe ku të fyer e të mërdhirë.
Në Melburn, kryeqytetin e Viktorisë (Australi), me një anglishte çalë-çalë, le të dalë ku të dalë. Do t’i takoj ata “të fundit të botës” dhe do të flasim gjuhën tonë, nëse nuk e kanë harruar akoma.
Vërtet duhej të kapërcesh gjithë botën për të mbërrirë në qytetin-kopsht, në Melburn të Australisë. Nga Struga në Melburn, pothuaj 30 orë udhëtim, mbi 22 orë fluturim në një lartësi marramendëse. Paskan të drejtë të moçmit. Sa larg që paskan vajtur bashkatdhetarët tanë!


Po përgatitej një dasmë shqiptare. Miqësi mes një familje strugane dhe një tjetre ulqinake. Traditat pothuaj të pandryshueshme përveç disa ngjyrave anglosaksone, të shtuara nga çifti simpatik.


Këngë e valle pa këputur, si disa netë më parë ashtu edhe gjatë mbrëmjes së dasmës. Kryefamiljari përshëndeti në gjuhën e nënës, dhëndri në gjuhën e fundbotës (anglisht). Ku t’i gjente fjalët shqip dhëndri kur vendlindje kishte Jaravilin (Yarraville), lagje apo qytezë pranë Melburnit.
Dasma kaloi për mrekulli. Nusja me dhëndrin të lumtur nga shfaqja që u zhvillua për nder të tyre. Dasmorët të gostitur e të kënaqur largohen drejt shtëpive të tyre njëkatëshe, prej dërrasash. Nuk e di çfarë çmimi kanë paguar këta emigrantë që të jetojnë në Australi por di të them që nuk u mungon asnjë gjë. Të barabartë mes 4-5 milionë qytetarëve të Melburnit, të ardhur nga të katër anët e botës.
Një javë paradasmë, një javë pasdasmë dhe ja erdhi Viti i ri 2019, 10 orë më parë sesa nga « fundi i botës » tjetër (Maqedonia Veriore). Melburni është i njohur për shfaqje spektakolare me fishekzjarrë shumëngjyrësh. Shpërthime në të katër anët, gëzim gjithandej, urime, urime dhe ja rikthim i jetës normale.
Hë more mik, si të duket jeta këtu në « qosh të dynjasë » ?! – më pyeti miku i nderuar që më kishte ftuar.
Qenkëshit pak si të varfër more mik - i thashë duke qeshur. Me këto avlli e shtëpi njëkatëshe e me dërrasa dëshironi të mburreni ju! Ne « Lulat e vocërr » matanë i kemi shtëpitë më të mëdha dhe jo me dërrasa - desha t’i them se ne skuqim vezët me pordhë, por nuk e banalizova deri në atë masë bisedën e këndshme me këtë njeri të mirë, atdhetar e me shumë mall për vendlindjen. Buzëqeshëm të dy, te veranda në Jaravil, duke u kuptuar se jetojmë në dy botë të ndryshme. Nuk u thelluam shumë në bisedë për të gjetur se cila anë ishte “fundi i botës” sepse edhe miku i cili më shoqëron gjatë gjithë kohës ka ikur i pjekur nga vendlindja dhe i njeh shumë mirë rrethanat ekonomike dhe politike.   



Në njërën anë të botës shqiptarë të mërguar të cilëve nuk iu mungon puna dhe paraja por njerëzit dhe të afërmit e familjes. Ndërkaq në anën tjetër (në vendlindje) të rinj pa punë e pa ardhmëri... Ata ëndërrojnë për Amerikën, Evropën dhe Australinë pa llogaritur çmimin emocional, profesional, shoqëror etj.

Shumica e mërgimtarëve në Australi janë nga zona e Prespës, Manastirit dhe Strugës. Duke u informuar për largimin e tyre nga vendlindja mësova se skamja, pamundësia për punësim, diskriminimi dhe politikat e gabuara kanë qenë shkaqet kryesore. E tani ku të shkojmë e ku të vemë, te hajdutët e mëmëdheut, që përzunë djemtë e mirë e të vjedhin sa më mirë?! - ma tha troç një mërgimtar i moshuar. Vendbanimet tona kanë marrë fund, sidomos vendbanimet e Manastirit dhe Prespës - shtoi ai. Politikat e gabuara kanë vrarë shpresën e shqiptarëve dhe sigurisht që do të boshatiset vendi.

Ka shumë rrëfime të bukura në qytetin modern dhe multikulturor të Melburnit. Një mërgimtar që nuk kishte arritur t’i përfundojë studimet, për shkak të fukarallëkut, ndjekjeve dhe përndjekjeve politike në atdheun e tij, sot ishte prind i tre fëmijëve të shkolluar, dy inxhinierë dhe një ekonomist. Tani i kam të gjitha, përveç shoqërisë, gjuhës së folur në rrugë. Kam mall për të parë malet, kodrat, lumin dhe liqenin. Jo që nuk kemi këtu vende të bukura, sepse Melburni është një harmoni e papërshkrueshme, një qytet me plot parqe e gjelbërime, me lumë, liqene e oqeane por unë shkoj shumë rrallë për t’u larë, më mungon uji i Drinit të Zi dhe Liqeni i Ohrit.
Unë kam dalë në pension, më tha një mërgimtar. Kam harruar kur jam larguar nga vendlindja. U bë gjatë. Më merr malli për qytetin e lindjes dhe përpiqem të vi sa më shpesh. Po ne jemi shumë larg, more mik. Sa të dalë edhe zonja ime në pension dhe do të vijmë e të rrimë më gjatë. Çka punon zonja juaj, e pyeta. Është pastruese e disa zyrave të një kompanie. Fiton pesëdhjetë mijë dollarë për një vit. Jo keq, i thashë, këtë pagesë nuk e kanë as mjekët andej, nga ana tjetër e botës. Refreni që dëgjojmë përditë, sidomos nga të rinjtë, është “të ikim një ditë e më parë”. 
Mund të të them një gjë, more zotni. Thuaju atyre që duan të largohen nga vendlindja se këtej mund ta gjejnë kënaqësinë por asnjëherë lumturinë. Këtë e themi nga përvoja – tha një kurtbetçi nga një fshat i Manastirit.
Udhëtimi në Melburnin e Australisë është një eksperiencë unike. Nuk jam i aftë për të bërë fotografi,  ata që e zotërojnë këtë shkathtësi në çdo cep të tij mund të marrin pamje nga më të bukurat. Edhe pse ndodhej në stinën e verës, qyteti gjithandej i lulëzuar dhe gjelbëruar. Këtë qytet mund ta vizitosh në këmbë, me biçikletë, me kaloshin (pajton), me autobus turistik, me anije, tramvaj dhe sigurisht edhe me tren. Melburni është qytet me një përzierje të veprave të artit. Ky qytet artistik me vepra arti të vjetra e të reja, ka plot manifestime kulturore, gara sportive dhe panumër terrene sportive. Turneu i tenisit “Australian Open 2019” ka shkaktuar një gjallëri nga të katër anët.


Kuzhina e qytetit për çdo qytetar. Fol moj gojë!
Plazhe të panumërta publike, buzë detit (oqeanit), që administrohen nga shteti.
Rrugë të gjëra e të pastërta dhe komunikacion i rregullt. Për ne “evropianët” ishte pak e vështirë vozitja e makinës ngase duhej të mbahej krahu i majtë. Për ne ishte më mirë të ecje rrugicave të ngushta për të shijuar “ëmbëlsirat” e fshehura. Lagjja italiane ishte njëra nga ato ëmbëlsira. Aty mund të shijoja për herë të parë një espreso për të qenë. E pata pak të vështirë të ambientohesha me kafiteritë dhe restorantet aziatike, por të mrekullueshme që të gjitha.  
Në një qytet ku ka rini, argëtim, sport, librari, biblioteka, universitete dhe punë ka ardhmëri. Mos harroni se Melburni ka edhe një kazino të madhe në qendër të qytetit. Kush do mund të provojë fatin edhe aty! 

Nuk lodhesh së vizituari këtë metropol të Australisë. Është një përzierje, në të gjitha pikëpamjet, amerikano – evropiane. Shqiptarët i gjen gjithandej. Një diçka e dhimbshme ishte të shikoje një Këshavë shqiptare e larguar nga vendlindja e mërguar dhe vendosur në qytetin e Dandenongut, 30 km larg Melburnit. Si ka ndodhur ky migrim i pothuaj të gjithë banorëve të atij vendbanimi të Manastirit. Shkoni në Këshavë, mësoni kushtet e jetesës, arsimit dhe punësimit të shqiptarëve dhe pastaj flasim - më tha një banor i Këshavës, i cili nuk përmbahej nga akuzat kundrejt pushteteve lokale dhe qendrore në këtë anë. 


Që të shkruash hollë e gjatë për “Këshavën e Australisë”, për shqiptarët e larguar, për historitë e këtij komuniteti në Melburn, Dandenong, Jaravil dhe gjithandej në Australi, të duhen javë të tëra dhe nga një reportazh mund të dalë një roman i tërë me rrëfime emocionale. 
Shqiptarët e mërguar në Melburn dhe rrethinë mund të jenë shumë më të organizuar, i kanë të gjitha kushtet. Atje pashë të veprojë një shoqate fetare shqiptare, disa klube sportive, disa shkolla shqipe, një festival vjetor etj. Brezat e rinj, megjithatë, nuk kanë shumë interes për ta mësuar gjuhën shqipe, pa marrë parasysh përpjekjet e prindërve që kërkojnë që kjo gjuhë e Perëndisë të mos vdesë kurrë edhe në ato vise të largëta.

   
Për ta përmbyllur rrëfimin e vizitës së qytetit-kopsht, pa përshkruar bukuritë të tjera që vizituam si ngjitja e 1000 shkallëve dhe 12 apostujt si dy atraksione të veçanta turistike, mund të thuhet se Australia është një histori e bukur, Melburni ndërkaq kryeqyteti kulturor i Australisë. Këndvështrimet janë të ndryshme. Nëpërmjet këtij reportazhi u thanë pak gjëra për të kuptuar ku jemi të arrirë e ku të mërdhirë, nëse këtej apo matanë është fundi i botës. Si autor i këtyre rreshtave, mund të them se nuk jam kthyer ashtu siç u nisa…  

            Le ta mbyllim me një thënie të Omar Kajamit, i cili ka thënë : “Jeta është një udhëtim dhe kush udhëton jeton dy herë.” 

venerdì 16 novembre 2018

Gruevski dhe Siguria Kombëtare


LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

10 qershor 2019

    141 vjet më parë, më 10 qershor 1878, filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherit një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare, pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës, të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princërve shqipëtarë në shekullin e XV. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

     Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”.
     Rusia i kishte bërë presione shumë të mëdha Turqisë pas luftës ruso-turke, që pasoi me traktatin e Shën Stefanit dhe daljen e Rusisë në detin Mesdhe, që ishte e papranueshme për Anglinë si superfuqi e asaj kohe. Sërbia, Mali i zi, Rumania fituan pavarësi, Bosnja nën protektoratin austro hungarez. Rusia akoma më shumë i zgjeroi teritoret e saja. Situata të tensionuara vazhduan edhe më tej deri në kulminacionin e tyre të Luftës së Parë Botërore.
     Pas traktatit famëkeq të Shën Stefanit ku Rusia dhe Turqia vendosën që Shqipërisë të mos i jepej asnjë pëllëmbë tokë. Në kohën e Perandorisë Osmane vendi ynë ishte i ndarë në katër vilajete: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti Shkodrës, Vilajeti Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.
     Duke parë kalbëzimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun e zhdukjes si komb, patriotët shqiptarë nga të katër vilajetet u mblodhën si Lëvizje Kombëtare Shqiptare, me 10 qershor 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit.
     Shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj.   Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.
     Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878. Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
     Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 141 vjetësh, është e ngulitur thellë në mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtar të kombit shqiptar.

     Sa për t’i kujtuar, këto ishin pikat kryesore të LSHP-së:

Ø  Mbrojtja e trojeve shqiptare nga rreziku i coptimit nga shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi dhe Greqi
Ø  Bashkimi i vilajeteve shqiptare për ti hapur rrugën shtetit të ri shqiptar.
Ø  Shërbimi ushtarak në kohë paqeje.
Ø  Përdorimi i gjuhës shqipe dhe hapja e shkollave shqipe me alfabet latin.
Ø  Kontrolli i financave.



mercoledì 31 ottobre 2018

Prindërit dhe mësuesit janë të trembur nga niveli i arsimit


Prindërit dhe mësuesit janë të trembur nga niveli i arsimit

Arsimi publik
Xhemi Hajredini
Sistemi publik arsimor është i vjetëruar, sistemi arsimor është i trazuar...
Ankohen mësimdhënësit, ankohen prindërit, ankohen qytetarët.
Ka qenë më mirë dikur, është më mirë sot...
Mësimdhënësit nuk na bëjnë, cilësia e mësimdhënies çalon, prindërit nuk na ndihmojnë, nxënësit nuk na varin veshin, nxënësit vishen mirë, por edukohen keq dhe opinione të ngjashme rreth arsimit publik sot, si te ne ashtu edhe në botë.  
Kuadri ligjor nuk ndihmon shumë nëse organet drejtuese, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit nuk janë në nivelin e duhur. Secili duhet të punojë me përgjegjësi të plotë duke i kryer me vullnet detyrat e ngarkuara. Askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë. Trekëndëshi i bashkëpunimit mes nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve nuk guxon të mungojë.
Ne jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, ndryshimet sipërfaqësore dhe formale nuk sjellin sukses. Lypset një bashkëpunim i fortë, një sistem i ndërvarur, një përkrahje aktive dhe krijuese mes palëve të përfshira.

Ditë më parë në të gjitha mediat vendore dhe botërore, sidomos në rrjetet sociale,  qarkulloi një letër e një mësueseje në pension e cila ka shkruar një letër të çiltër dhe të hapur, nëpërmjet së cilës i fajëson prindërit.
Prindërit e kanë fajin, thotë mësuesja Lisa Roberson, nga Wrensi (SHBA).

“Mësuesit nuk mund ta bëjnë në të njëjtën kohë edhe punën e tyre edhe atë të prindërve të nxënësve.”

Ky është edhe thelbi i letrës së mësueses Lisa, drejtuar prindërve të papërgjegjshëm.
E kemi dëgjuar shpesh nga prindërit të thonë se mësuesit duhet t’ua mësojnë edukatën dhe mirësjelljen. Po ata vetë ç’duhet të bëjnë?! A nuk duhet ata t’ua mësojnë edukatën bazë fëmijëve të tyre?! 

Ja ç’shkruan ajo më tej: 
"Si mësuese në pension, jam e trishtuar nga njerëz që nuk dinë asgjë për shkollat ​​publike ose nuk kanë qenë për një kohë të gjatë në një klasë dhe nga ana tjetër dëshirojnë ta rregullojnë sistemin arsimor.
Mësuesit nuk janë problemi! Prindërit janë problemi! Ata nuk u mësojnë fëmijëve mënyrën e sjelljes, respektit apo edhe njohuritë e përgjithshme sesi të bashkëjetojnë me të tjerët.
Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se e gjithë veshja e mësuesit, por nuk kanë as laps as fletore. Kush ua siguron ato? Mësuesit sigurisht.
Kur të dëgjoni se shkollat nuk funksionojnë, përqëndrohuni te prindërit dhe nxënësit. A vijnë prindërit në takimet prindërore? A flasin ata rregullisht me mësuesit? A sigurohen nëse fëmijët e tyre janë përgatitur dhe furnizuar me gjërat e nevojshme? A sigurohen nëse fëmijët e tyre i kanë bërë detyrat e shtëpisë? A i nxisin fëmijët (nxënësit) të marrin shënime në klasë? A dëgjojnë nxënësit në klasë apo janë shkaktarë të ndërprerjes së mësimit?
Kur t’i vlerësoni këta faktorë, do të bindeni se faji është i prindërve dhe nuk bie te shkollat  "e dështuara”, siç thonë. Mësuesit nuk mund të bëjnë punën e tyre dhe punën e prindërve. Derisa prindërit të ndryshojnë dhe të bëjnë punën e tyre, gjërat nuk do të përmirësohen!" – thotë ndër të tjera mësuesja amerikane, Lisa Roberson.

Tani për ne, çka mbeti për të diskutuar?
A vërtet prindërit janë problemi apo na çalon i gjithë sistemi?!


Përgatiti: Xhemi Hajredini
Administrator i "Gjuha shqipe pa gabime"

lunedì 29 ottobre 2018

TE apo TEK


PËRDORIMI I PARAFJALËVE "TE" DHE "TEK"


Xhemi Hajredini - Administrator

Parafjalë f. gjuh.
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që përdoret si fjalë shërbyese përpara një emri, një përemri a një numërori (në një rasë të caktuar) ose përpara disa ndajfoljeve, për të shprehur marrëdhëniet midis gjymtyrëve në një togfjalësh (p.sh. në, mbi, me, pa, nga, për, prej, nëpër etj.). Parafjalë e thjeshtë (e përbërë). Përdoret me (pa) parafjalë.

Kur duhet të përdorim parafjalën "te" dhe kur "tek"?
Që të mos kemi dilemë gjatë përdorimit të tyre duhet t’i konsultojmë rregullat e përcaktuara drejtshkrimore.

Ø Parafjala TE përdoret gjithmonë kur fjala që vjen pas fillon me bashkëtingëllore. P.sh.: Arla shkoi te gjyshi (te tezja, te halla). Unazën ia la te pragu i derës. U mbështetën te miqtë. 
Shembuj të tjerë : "te lagjja", "te miku", "te zyra përballë", "te spitali" etj.

Ø  Parafjala TEK përdoret gjithmonë kur fjala që vjen pas fillon me zanore. P.sh.: Mësuan tek Era, shoqja e tyre e klasës. Ato i përsëritën të gjitha mësimet tek unë (tek oborri).
Shembuj të tjerë : tek ura, tek unë, tek Era, tek i ati (e ëma), tek ana e lumit, tek anija etj.

Për të diskutuar:
Parafjala dialektore "ke" që ka gjetur një përdorim të gjerë, p.sh. Ke shtëpia, ke ura, ke muri, ke e ëma – i zëvendëson të dyja parafjalët dhe shmang dilemën e përdorimit të parafjalëve “te” dhe “tek”.  

Dilema tjetër është nëse parafjala “tek”, përveç përpara fjalëve që fillojnë me zanore të përdoret edhe përpara fjalëve që fillojnë me bashkëtingëlloren e shurdhët "t". P.sh. "tek ti" dhe jo "te ti"; tek traktoristi dhe jo “te traktoristi"...
Gjithashtu kohët e fundit po kërkohet që parafjala TEK të përdoret dhe para fjalëve që fillojnë me bashkëtingëllore të tingullt, si: m, n, nj, l, ll, si dhe bashkëtingëlloret e shurdhëta t (që e përmendëm më sipër) dhe k, për shkak të përplasjes së bashkëtingëllores k të parafjalës TEK me fjalët që fillojnë me këto bashkëtingëllore, por deri tani këto hipoteza nuk janë kthyer në norma, ndaj dhe ne duhet t’i ndjekim rregullat e përcaktuara të drejtshkrimit.
Dilema e fundit (është thënë e stërthënë) është nëse ka ardhur koha që disa rregulla të përmirësohen dhe disa fjalë të shtohen në fjalorët tanë ekzistues! 

(Material i përmbedhur nga diskutimet e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", Fjalori i gjuhës shqipe dhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe.)