Në “fund të botës”
Strugë/Melburn, janar 2019
Shkruan: Xhemi Hajredini
Udhëtimet
e formojnë njeriun. Michel de Montegne ka thënë “udhëtimet e formojnë rininë”
dhe mirë bëjnë të rinjtë të udhëtojnë e të mësojnë, përpara se të vendosin si
dhe ku të rrojnë. Dua ta parafrazoj poetin e madh, laureatin e Mbrëmjeve
strugane të poezisë, Fatos Arapi, i cili
ka thënë se jeta është stacion përpjekjesh, sulmesh e kujtimesh, ndarjesh e
takimesh…
Me padurim e prita një ftesë për të udhëtuar
shumë larg.
Kisha dëgjuar të thonë se disa bashkatdhetarë,
disa dekada më parë, kishin ikur të punojnë dhe jetojnë në fund të botës, në
Australi, por nuk e dija nëse vërtet kishin shkuar në fund të botës apo kishin
ikur nga fundi i botës. Po marr rolin e një udhëpërshkruesi dhe po rrëfej ku
jemi të arrirë dhe ku të fyer e të mërdhirë.
Në Melburn, kryeqytetin e Viktorisë
(Australi), me një anglishte çalë-çalë, le të dalë ku të dalë. Do t’i takoj ata
“të fundit të botës” dhe do të flasim gjuhën tonë, nëse nuk e kanë harruar
akoma.
Vërtet duhej të kapërcesh gjithë botën për të
mbërrirë në qytetin-kopsht, në Melburn të Australisë. Nga Struga në Melburn,
pothuaj 30 orë udhëtim, mbi 22 orë fluturim në një lartësi marramendëse. Paskan
të drejtë të moçmit. Sa larg që paskan vajtur bashkatdhetarët tanë!
Po përgatitej një dasmë shqiptare. Miqësi mes
një familje strugane dhe një tjetre ulqinake. Traditat pothuaj të
pandryshueshme përveç disa ngjyrave anglosaksone, të shtuara nga çifti
simpatik.
Këngë e valle pa këputur, si disa netë më
parë ashtu edhe gjatë mbrëmjes së dasmës. Kryefamiljari përshëndeti në gjuhën
e nënës, dhëndri në gjuhën e fundbotës (anglisht). Ku t’i gjente fjalët shqip
dhëndri kur vendlindje kishte Jaravilin (Yarraville), lagje apo qytezë pranë
Melburnit.
Dasma kaloi për mrekulli. Nusja me dhëndrin
të lumtur nga shfaqja që u zhvillua për nder të tyre. Dasmorët të gostitur e të
kënaqur largohen drejt shtëpive të tyre njëkatëshe, prej dërrasash. Nuk e di
çfarë çmimi kanë paguar këta emigrantë që të jetojnë në Australi por di të them
që nuk u mungon asnjë gjë. Të barabartë mes 4-5 milionë qytetarëve të Melburnit,
të ardhur nga të katër anët e botës.
Një javë paradasmë, një javë pasdasmë dhe ja
erdhi Viti i ri 2019, 10 orë më parë sesa nga « fundi i botës » tjetër
(Maqedonia Veriore). Melburni është i njohur për shfaqje spektakolare me
fishekzjarrë shumëngjyrësh. Shpërthime në të katër anët, gëzim gjithandej,
urime, urime dhe ja rikthim i jetës normale.
Hë more mik, si të duket jeta këtu në
« qosh të dynjasë » ?! – më pyeti miku i nderuar që më kishte
ftuar.
Qenkëshit pak si të varfër more mik - i
thashë duke qeshur. Me këto avlli e shtëpi njëkatëshe e me dërrasa dëshironi të
mburreni ju! Ne « Lulat e vocërr » matanë i kemi shtëpitë më të mëdha
dhe jo me dërrasa - desha t’i them se ne skuqim vezët me pordhë, por nuk e
banalizova deri në atë masë bisedën e këndshme me këtë njeri të mirë, atdhetar e
me shumë mall për vendlindjen. Buzëqeshëm të dy, te veranda në Jaravil, duke u kuptuar se jetojmë në dy botë të ndryshme. Nuk u thelluam shumë në bisedë për të gjetur se cila anë ishte “fundi i botës” sepse edhe miku i cili më shoqëron gjatë gjithë kohës ka ikur i pjekur nga vendlindja dhe i njeh shumë mirë rrethanat ekonomike dhe politike.
Në njërën
anë të botës shqiptarë të mërguar të cilëve nuk iu mungon puna dhe paraja por
njerëzit dhe të afërmit e familjes. Ndërkaq në anën tjetër (në vendlindje) të rinj
pa punë e pa ardhmëri... Ata ëndërrojnë për Amerikën, Evropën dhe Australinë pa
llogaritur çmimin emocional, profesional, shoqëror etj.
Shumica e
mërgimtarëve në Australi janë nga zona e Prespës, Manastirit dhe Strugës. Duke
u informuar për largimin e tyre nga vendlindja mësova se skamja, pamundësia për
punësim, diskriminimi dhe politikat e gabuara kanë qenë shkaqet kryesore. E
tani ku të shkojmë e ku të vemë, te hajdutët e mëmëdheut, që përzunë djemtë e
mirë e të vjedhin sa më mirë?! - ma tha troç një mërgimtar i moshuar.
Vendbanimet tona kanë marrë fund, sidomos vendbanimet e Manastirit dhe Prespës
- shtoi ai. Politikat e gabuara kanë vrarë shpresën e shqiptarëve dhe sigurisht
që do të boshatiset vendi.
Ka shumë
rrëfime të bukura në qytetin modern dhe multikulturor të Melburnit. Një
mërgimtar që nuk kishte arritur t’i përfundojë studimet, për shkak të
fukarallëkut, ndjekjeve dhe përndjekjeve politike në atdheun e tij, sot ishte
prind i tre fëmijëve të shkolluar, dy inxhinierë dhe një ekonomist. Tani i kam
të gjitha, përveç shoqërisë, gjuhës së folur në rrugë. Kam mall për të parë
malet, kodrat, lumin dhe liqenin. Jo që nuk kemi këtu vende të bukura, sepse
Melburni është një harmoni e papërshkrueshme, një qytet me plot parqe e
gjelbërime, me lumë, liqene e oqeane por unë shkoj shumë rrallë për t’u larë, më
mungon uji i Drinit të Zi dhe Liqeni i Ohrit.
Unë kam dalë
në pension, më tha një mërgimtar. Kam harruar kur jam larguar nga vendlindja. U
bë gjatë. Më merr malli për qytetin e lindjes dhe përpiqem të vi sa më shpesh.
Po ne jemi shumë larg, more mik. Sa të dalë edhe zonja ime në pension dhe do të
vijmë e të rrimë më gjatë. Çka punon zonja juaj, e pyeta. Është pastruese e
disa zyrave të një kompanie. Fiton pesëdhjetë mijë dollarë për një vit. Jo keq,
i thashë, këtë pagesë nuk e kanë as mjekët andej, nga ana tjetër e botës. Refreni
që dëgjojmë përditë, sidomos nga të rinjtë, është “të ikim një ditë e më parë”.
Mund të të
them një gjë, more zotni. Thuaju atyre që duan të largohen nga vendlindja se
këtej mund ta gjejnë kënaqësinë por asnjëherë lumturinë. Këtë e themi nga
përvoja – tha një kurtbetçi nga një fshat i Manastirit.
Udhëtimi në
Melburnin e Australisë është një eksperiencë unike. Nuk jam i aftë për të bërë
fotografi, ata që e zotërojnë këtë
shkathtësi në çdo cep të tij mund të marrin pamje nga më të bukurat. Edhe pse
ndodhej në stinën e verës, qyteti gjithandej i lulëzuar dhe gjelbëruar. Këtë
qytet mund ta vizitosh në këmbë, me biçikletë, me kaloshin (pajton), me autobus
turistik, me anije, tramvaj dhe sigurisht edhe me tren. Melburni është qytet me
një përzierje të veprave të artit. Ky qytet artistik me vepra arti të vjetra e
të reja, ka plot manifestime kulturore, gara sportive dhe panumër terrene
sportive. Turneu i tenisit “Australian Open 2019” ka shkaktuar një gjallëri nga
të katër anët.
Kuzhina e
qytetit për çdo qytetar. Fol moj gojë!
Plazhe të
panumërta publike, buzë detit (oqeanit), që administrohen nga shteti.
Rrugë të
gjëra e të pastërta dhe komunikacion i rregullt. Për ne “evropianët” ishte pak
e vështirë vozitja e makinës ngase duhej të mbahej krahu i majtë. Për ne ishte
më mirë të ecje rrugicave të ngushta për të shijuar “ëmbëlsirat” e fshehura.
Lagjja italiane ishte njëra nga ato ëmbëlsira. Aty mund të shijoja për herë të
parë një espreso për të qenë. E pata pak të vështirë të ambientohesha me
kafiteritë dhe restorantet aziatike, por të mrekullueshme që të gjitha.
Në një qytet
ku ka rini, argëtim, sport, librari, biblioteka, universitete dhe punë ka
ardhmëri. Mos harroni se Melburni ka edhe një kazino të madhe në qendër të
qytetit. Kush do mund të provojë fatin edhe aty!
Nuk lodhesh së vizituari këtë metropol të
Australisë. Është një përzierje, në të gjitha pikëpamjet, amerikano –
evropiane. Shqiptarët i gjen gjithandej. Një diçka e dhimbshme ishte të shikoje
një Këshavë shqiptare e larguar nga vendlindja e mërguar dhe vendosur në
qytetin e Dandenongut, 30 km larg Melburnit. Si ka ndodhur ky migrim i pothuaj
të gjithë banorëve të atij vendbanimi të Manastirit. Shkoni në Këshavë, mësoni
kushtet e jetesës, arsimit dhe punësimit të shqiptarëve dhe pastaj flasim - më
tha një banor i Këshavës, i cili nuk përmbahej nga akuzat kundrejt pushteteve
lokale dhe qendrore në këtë anë.
Që të shkruash hollë e gjatë për “Këshavën e
Australisë”, për shqiptarët e larguar, për historitë e këtij komuniteti në
Melburn, Dandenong, Jaravil dhe gjithandej në Australi, të duhen javë të tëra
dhe nga një reportazh mund të dalë një roman i tërë me rrëfime emocionale.
Shqiptarët e mërguar në Melburn dhe rrethinë mund të jenë shumë më të organizuar, i kanë të gjitha kushtet. Atje pashë të veprojë një shoqate fetare shqiptare, disa klube sportive, disa shkolla shqipe, një festival vjetor etj. Brezat e rinj, megjithatë, nuk kanë shumë interes për ta mësuar gjuhën shqipe, pa marrë parasysh përpjekjet e prindërve që kërkojnë që kjo gjuhë e Perëndisë të mos vdesë kurrë edhe në ato vise të largëta.
Për
ta përmbyllur rrëfimin e vizitës së qytetit-kopsht, pa përshkruar bukuritë të
tjera që vizituam si ngjitja e 1000 shkallëve dhe 12 apostujt si dy atraksione
të veçanta turistike, mund të thuhet se Australia është një histori e bukur,
Melburni ndërkaq kryeqyteti kulturor i Australisë. Këndvështrimet janë të
ndryshme. Nëpërmjet këtij reportazhi u thanë pak gjëra për të kuptuar ku jemi
të arrirë e ku të mërdhirë, nëse këtej apo matanë është fundi i botës. Si autor
i këtyre rreshtave, mund të them se nuk jam kthyer ashtu siç u nisa…
Le ta mbyllim me një thënie të Omar
Kajamit, i cili ka thënë : “Jeta është një udhëtim dhe kush udhëton jeton
dy herë.”