Prindërit dhe mësuesit janë të trembur nga niveli i arsimit
Xhemi Hajredini |
Ankohen mësimdhënësit, ankohen prindërit, ankohen qytetarët.
Ka qenë më mirë dikur, është më mirë sot...
Mësimdhënësit nuk na
bëjnë, cilësia e mësimdhënies çalon, prindërit nuk na ndihmojnë, nxënësit nuk
na varin veshin, nxënësit vishen mirë, por edukohen keq dhe opinione të
ngjashme rreth arsimit publik sot, si te ne ashtu edhe në botë.
Kuadri ligjor nuk
ndihmon shumë nëse organet drejtuese, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit nuk
janë në nivelin e duhur. Secili duhet të punojë me përgjegjësi të plotë duke i kryer me vullnet
detyrat e ngarkuara. Askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë. Trekëndëshi i
bashkëpunimit mes nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve nuk guxon të mungojë.
Ne jetojmë në një
botë që ndryshon vazhdimisht, ndryshimet sipërfaqësore dhe formale nuk
sjellin sukses. Lypset një bashkëpunim i fortë, një sistem i ndërvarur, një
përkrahje aktive dhe krijuese mes palëve të përfshira.
Ditë më parë në të
gjitha mediat vendore dhe botërore, sidomos në rrjetet sociale, qarkulloi një letër e një mësueseje në
pension e cila ka shkruar një letër të çiltër dhe të hapur, nëpërmjet së cilës i
fajëson prindërit.
Prindërit e kanë
fajin, thotë mësuesja Lisa Roberson, nga Wrensi (SHBA).
“Mësuesit
nuk mund ta bëjnë në të njëjtën kohë edhe punën e tyre edhe atë të prindërve të
nxënësve.”
Ky është edhe thelbi
i letrës së mësueses Lisa, drejtuar prindërve të papërgjegjshëm.
E kemi dëgjuar shpesh
nga prindërit të thonë se mësuesit duhet t’ua mësojnë edukatën dhe
mirësjelljen. Po ata vetë ç’duhet të bëjnë?! A nuk duhet ata t’ua mësojnë
edukatën bazë fëmijëve të tyre?!
Ja ç’shkruan ajo më tej:
"Si
mësuese në pension, jam e trishtuar nga njerëz që nuk dinë asgjë për shkollat publike ose nuk kanë qenë për një
kohë të gjatë në një klasë dhe nga ana tjetër dëshirojnë ta rregullojnë
sistemin arsimor.
Mësuesit
nuk janë problemi! Prindërit janë problemi! Ata nuk u mësojnë fëmijëve mënyrën
e sjelljes, respektit apo edhe njohuritë e përgjithshme sesi të bashkëjetojnë
me të tjerët.
Fëmijët
vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se e gjithë veshja e mësuesit,
por nuk kanë as laps as fletore. Kush ua siguron ato? Mësuesit sigurisht.
Kur
të dëgjoni se shkollat nuk funksionojnë, përqëndrohuni te prindërit dhe nxënësit.
A vijnë prindërit në takimet prindërore? A flasin ata rregullisht me mësuesit?
A sigurohen nëse fëmijët e tyre janë përgatitur dhe furnizuar me gjërat e
nevojshme? A sigurohen nëse fëmijët e tyre i kanë bërë detyrat e shtëpisë? A i nxisin
fëmijët (nxënësit) të marrin shënime në klasë? A dëgjojnë nxënësit në klasë apo
janë shkaktarë të ndërprerjes së mësimit?
Kur
t’i vlerësoni këta faktorë, do të bindeni se faji është i prindërve dhe nuk bie te shkollat "e dështuara”, siç thonë. Mësuesit nuk mund të
bëjnë punën e tyre dhe punën e prindërve. Derisa prindërit të ndryshojnë dhe të
bëjnë punën e tyre, gjërat nuk do të përmirësohen!"
– thotë ndër të tjera mësuesja amerikane, Lisa Roberson.
A vërtet prindërit janë problemi apo na çalon i
gjithë sistemi?!
Përgatiti: Xhemi Hajredini
Administrator i "Gjuha shqipe pa gabime"