PËRDORIMI I PARAFJALËVE "TE" DHE "TEK"
Xhemi Hajredini - Administrator |
Parafjalë f. gjuh.
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që
përdoret si fjalë shërbyese përpara një emri, një përemri a një numërori (në
një rasë të caktuar) ose përpara disa ndajfoljeve, për të shprehur marrëdhëniet
midis gjymtyrëve në një togfjalësh (p.sh. në, mbi, me, pa, nga, për, prej,
nëpër etj.). Parafjalë e thjeshtë (e përbërë). Përdoret me (pa) parafjalë.
Kur
duhet të përdorim parafjalën "te" dhe kur "tek"?
Që të mos kemi dilemë gjatë
përdorimit të tyre duhet t’i konsultojmë rregullat e përcaktuara
drejtshkrimore.
Ø Parafjala TE përdoret gjithmonë kur
fjala që vjen pas fillon me bashkëtingëllore. P.sh.: Arla shkoi te gjyshi (te
tezja, te halla). Unazën ia la te pragu i derës. U mbështetën te miqtë.
Shembuj të
tjerë : "te lagjja",
"te miku", "te zyra përballë", "te spitali" etj.
Ø Parafjala TEK përdoret gjithmonë kur
fjala që vjen pas fillon me zanore. P.sh.: Mësuan tek Era, shoqja e tyre e
klasës. Ato i përsëritën të gjitha mësimet tek unë (tek oborri).
Shembuj të tjerë : tek ura, tek unë, tek Era, tek i
ati (e ëma), tek ana e lumit, tek anija etj.
Për të diskutuar:
Parafjala dialektore "ke" që ka gjetur një përdorim të gjerë,
p.sh. Ke shtëpia, ke ura, ke muri, ke e ëma – i zëvendëson të dyja parafjalët
dhe shmang dilemën e përdorimit të parafjalëve “te” dhe “tek”.
Dilema tjetër është nëse parafjala “tek”, përveç përpara fjalëve që
fillojnë me zanore të përdoret edhe përpara fjalëve që fillojnë me
bashkëtingëlloren e shurdhët "t". P.sh. "tek ti" dhe jo
"te ti"; tek traktoristi dhe jo “te traktoristi"...
Gjithashtu kohët e fundit po kërkohet që parafjala TEK të përdoret dhe para
fjalëve që fillojnë me bashkëtingëllore të tingullt, si: m, n, nj, l, ll, si
dhe bashkëtingëlloret e shurdhëta t (që e përmendëm më sipër) dhe k, për shkak
të përplasjes së bashkëtingëllores k të parafjalës TEK me fjalët që
fillojnë me këto bashkëtingëllore, por deri tani këto hipoteza nuk janë kthyer në norma, ndaj dhe ne duhet t’i ndjekim
rregullat e përcaktuara të drejtshkrimit.
Dilema e fundit (është
thënë e stërthënë) është nëse ka ardhur koha që disa rregulla të përmirësohen
dhe disa fjalë të shtohen në fjalorët tanë ekzistues!
(Material i përmbedhur nga diskutimet e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", Fjalori i gjuhës shqipe dhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe.)