giovedì 19 settembre 2019

Poezi... Me urtësi...


Me urtësi

Xhemi Hajredini















Kur dikujt i kullot hunda lart,
kur prishet mendsh e flet përçart,
kur turiderri të përmbyt me llafe,
ty një lëmsh të ngatërrohet për qafe.


Kur duhet duruar një bjerraditës,
që i kris mendja gjatë tërë ditës,
mos iu turr me vrull e furi,
merre shtruar, me takt e urtësi!


Kur diku s’ka mirënjohje e vlerësim,
mos humb kohë me pleqërim!
Me diplomaci e qetësi, ndërro faqe,
me të gjithë s’mund të lidhësh paqe.


Largohu diku tjetër për t’u sprovuar,
në një vend të gjithë, s’është e shkruar.
Nga të hardallosurit gjë mos prit,
ec rrugës drejt dhe shndrit!


Diku çmohet mendja, diku babëzia,
diku plandos skamja, diku pangopësia,
ti ndërro vend e kënd, me diplomaci,
gjithsecili në shtrofkën e tij.

© Xhemi Hajredini
Strugë, shtator 2019

lunedì 16 settembre 2019

Gjuha shqipe “linguam illiricam”…


Leibniz: "Gjuha e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam… mendoj se është e denjë  të studiohet"

16 shtator 2019

Enciklopedisti dhe filozofi gjerman nuk shprehu interes vetëm për gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici, por edhe për shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

Interesi për gjuhën shqipe

Në disa letra në periudhën 1704-1715 Gotfrid Vilhelm Leibniz (Lajbnici), ka shprehur disa mendime rreth diakronisë së gjuhës shqipe. Me shënimet e tij për prejardhjen e gjuhës shqipe, për përkimet dhe marrëdhëniet e saj me gjuhë të tjera indoeuropiane dhe njëkohësisht për mëvetësinë e saj nga gjuhët sllave apo greqishtja, ai nxiti në radhët e studiuesve debatin shkencor për origjinën e gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu, ai është edhe nismëtari i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe.

Populli dhe trevat e shqiptarëve

I pajisur me dije të mëdha enciklopedike shënimet për shqiptarët dhe trojet e tyre gjenden që në shkrimet relativisht të hershme të Lajbnicit. Por më pas shqiptarët do të zënë vend në shkrimet e tij politike me një synim të caktuar. Fjala është për Perandorinë Osmane dhe parandalimin e rrezikut prej turqve për Evropën dhe për mundësinë e përfshirjes së popullsive të krishtera, ndër të tjera edhe të shqiptarëve të krishterë, në luftë kundër Portës së Lartë. Pas këtij shkrimi në vitin 1672, ai merret më intensivisht me shqiptarët, gjatë një qëndrimi në Vjenë, në periudhën 1688-1689.

Mendimet mbi shqipen, Lajbnici i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705 – 1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës – gjithsej 5 letra mbi shqipen (FESH). Ja si shkruante Lajbnic – ndër të parët, në mos i pari albanolog që e renditi shqipen në hartën e botës së studimieve gjuhësore:


“Sa për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam…mendoj se është e denjë të studiohet….Të dhënat që kam tregojnë se shqipja përmban shumë latinisht dhe pak gjermanisht. Dhe ky është mendimi im mbi disa fjalë shqipe: ‘hundë’ nga keltishtja e vjetër ka dhënë gjermanishten ‘wen’ – ‘qen’, kafshë që karakterizohet nga përdorimi i hundës ‘nose’ – ‘nuhatje’. Fjala ‘gjueti’, anglisht “hint” – ‘gjurmë’ – ‘shenjë’; gjermanisht ‘spuhr’, nga ‘kunde’ – ‘dije, njohje’. Fjala ‘krah’ lidhet me ‘krezzen, crabbe’ – ‘gaforre’ nga rrjedhin kthetër, zvarrë, rrafsh, zero. ‘Gaforrja’ mund të ketë lidhje edhe me ‘furkën, pirunin’. Fjala ‘burrë’ mund të jetë e lidhur me ‘brautigam’ ‘dhëndër’. Ndërsa fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që mund të rrjedhin nga gjuhët fqinje, por, duke ditur shumë gjuhë të tjera, studiuesi mund të jetë në gjendje të kuptojë shumë fjalë të shqipes; fjala ‘det’ nga Delt, dmth Thalassa, Thellësi, Perendia e Detit në mitologjinë greke. Është e qartë se reliket e ilirishtes janë ruajtur në gjuhët moderne, veçanërisht në atë të shqiptarëve”, – shkruan Leibniz, në “Opera Philologica”, përkthyer nga frengjishtja në anglisht, nga Robert Elsie.

Vlera e ideve të Lajbnicit qëndron edhe në faktin se, si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vemendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marë me studime në fushë të shqipes. Ky interesim i Lajbnicit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Lajbnic shkroi kryesisht frëngjisht e latinisht, më pak në gjermanisht.
Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pa botuara dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESKO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi çmimin “Leibniz”, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1 milionë e 550 mijë euro për rezultate praktike dhe 770 mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë, për arritjet shkencore.

Marrë nga Mekuli Press
Për blogun, përgatiti Xhemi Hajredini - adm. i grupit "Gjuha shqipe pa gabime"

mercoledì 28 agosto 2019

Gjuha e nënës

GJUHA SHQIPE DHE TË SHKRUARIT DREJT

Nga Xhelal Zejneli
Gjuha mësohet nga nëna. Prandaj i thonë: gjuhë e nënës apo gjuhë amtare. Në raste të caktuara, fëmija e mëson gjuhën amtare, jo nga e ëma por nga gjyshja apo nga anëtarët e tjerë të familjes. Pas kësaj, fëmijët e mësojnë gjuhën amtare nga mjedisi ku jetojnë. Me një fjalë, e mësojnë gjuhën popullore. Në vitet e fundit, fëmijët e mësojnë gjuhën shqipe dhe e përdorin atë edhe nëpër çerdhe apo kopshte fëmijësh. Në moshën 6-vjeçare apo 7-vjeçare, fëmijët, tanimë nxënës shkolle, shqipen e përdorin në shkollë. Në çerdhe dhe në shkollë fëmijët dhe nxënësit komunikojnë dhe flasin në gjuhën letrare. Njëherazi, shkolla është vendi apo institucioni në të cilin nxënësit e mësojnë shqipen sipas normave dhe rregullave të caktuara. Në shkollë, nxënësi edhe i zgjeron njohuritë për gjuhën amtare. Për ta mësuar shqipen ndihmon me të madhe edhe të lexuarit e veprave letrare artistike – e romaneve, e vëllimeve poetike, e krijimeve dramaturgjike, e eseve - të autorëve shqiptarë, duke filluar që nga Meshari i Gjon Buzukut e këndej. Shqipen e mësojmë edhe kur i lexojmë veprat e autorëve të huaj, të përkthyera në shqip nga përkthyesit e Shqipërisë. Përkthyesit shqiptarë kanë përkthyer në shqip kryesisht nga frëngjishtja, nga gjermanishtja, nga anglishtja, nga italishtja, nga spanjishtja, nga rusishtja ... Janë përkthyer vepra të klasikëve botërorë. Vitet e fundit vijnë në shqip edhe vepra të krijuesve bashkëkohorë. 
Gjuha nuk mësohet prej mediumeve. Me fjalë të tjera, gjuha nuk mësohet prej gazetave, prej revistave, prej portaleve, prej emisioneve televizive apo prej filmave dhe serive televizive. Gjuhën e mësojmë në shtëpi, në mjedisin ku jeton si dhe në shkollë. S’ka dyshim se përdorimi i drejtë i shqipes në jetën publike, në mediume dhe në institucione ndikon pozitivisht në ngritjen e kulturës së komunikimit të qytetarëve. Gjuha nuk mësohet nëpër kurse. Ajo përvetësohet në shkollë dhe me ndihmën e teksteve shkollore - në shtëpi.

Shqiptarët shqipen e trashëgojnë prej të parëve të tyre – ilirëve. Shqipja është bijë e ilirishtes. Studiuesi gjerman Franc Bop (Franc Bopp, 1791-1867) është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është autor i studimit “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Bopi është i pari dijetar i cili e argumentoi shkencërisht karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Sipas tij, shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane (indogjermane). Linguisti gjerman August Shllajer (August Schleicher, 1821-1867) është krijues i Trungut gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane. Shqipen e ka vënë mu në rrënjën e kësaj peme. 
Gjuha shqipe flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, ndër çamë. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare: në Evropë dhe në ShBA. Shqipja flitet sot e gjithë ditën edhe tek arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë. Flitet edhe në lagjen Arbanasi të Zarës. Shqipen e përdorin edhe shqiptarët nëpër ngulime sikundër janë ato në Bullgari, në Rumani, në Ukrainë. Shqiptarë ka edhe në Turqi.
Shqiptarët komunikojnë duke përdorur të folmet e tyre, nëndialektet apo dialektet të cilave u përkasin, si dhe duke zbatuar gjuhën letrare. Një pjesë e shqiptarëve në shtëpi e përdorin të folmen e zonës të cilës i përkasin ose nëndialektin apo dialektin të cilit i përkasin. Edhe jashtë shtëpisë e përdorin të folmen e zonës nga vijnë apo nëndialektin dhe dialektin të cilit i përkasin. Një pjesë e shqiptarëve gjuhën letrare shqipe e përdorin vetëm në shkollë, madje vetëm gjatë orës mësimore apo gjatë procesit mësimor. Sapo bie zilja e shkollës, nxënësit, përfshi edhe një pjesë të caktuar të studentëve, e lënë letraren për të vazhduar në të folmet, në nëndialektet dhe në dialektet e tyre.
Gjuha shqipe është një. Ajo është e pandashme. Shqipja nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është edhe komponentë e rëndësishme, në mos kryesore dhe vendimtare e identitetit kombëtar. Naimi dhe Fishta e quajtën shqipen gjuhë e Perëndisë. Nuk ka gjuhë shqipe dhe gjuhë kosovare. Kjo pikëpamje është thellësisht antikombëtare. Nuk ka dhe kurrë s’ka për të pasur gegërishte letrare që do të përdorej në Kosovë. Ekzistimin e një gegërishteje letrare dhe përdorimin e saj në jetën publike e mbështesin akademikët serbomëdhenj dhe antishqiptarët përreth. 
Norma letrare e shqipes është përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë, prej 20 deri në 25 nëntor 1972. Gjuha është si një organizëm i gjallë që vazhdimisht zhvillohet. Megjithëkëtë, zhvillimi i shqipes s’ka të bëjë me parimet themelore të tubimit gjithëkombëtar të sipërthënë. Pikëpamjet se kongresi i drejtshkrimit u mbajt në kohën e komunizmit apo të diktaturës, janë kryekëput të pajustifikueshme. Gjuha nuk është politikë. As ideologji. 

Gjuha letrare shqipe duhet të përdoret, si në jetën publike ashtu edhe në atë private. Letrarja duhet të përdoret në familje, në rrugë, pra kudo. Letrarja duhet të përdoret, jo vetëm kur jemi në detyrë zyrtare, por kur ndodhemi edhe jashtë saj. Ka raste kur shqipen letrare s’e përdorin ndër vete mësuesit, arsimtarët dhe profesorët. Ndodh që ndonjë mësues, arsimtar apo profesor gjuhën letrare të mos e përdorë edhe në klasë gjatë orës mësimore. Kjo është e tmerrshme, e palejueshme. Kjo sjellje meriton qortim dhe vërejtje. Në shumë raste, gjuha letrare nuk gjen zbatim edhe te bashkëshortët, ndonëse që të dy janë me arsimim universitar. Në shumë raste, prindër me formim universitar, me fëmijët e vet flasin në gjuhën popullore. 
Midis të folurit shqip dhe të shkruarit në shqip, nuk duhet të ketë dallim. Ka që thonë se mënyra e përdorimit të gjuhës është pasqyrë e nivelit të kulturës të një individi. Sidoqoftë, kur njeriu flet, nuk lë gjurmë, por shkruan, në letër lë gjurmë. Tanimë duket sesi e ka thënë atë që ka dashur ta thotë. Gjurmëve s’u ik dot kush. 
Gabime ndodhin, jo vetëm kur e flasim shqipen, por edhe kur e shkruajmë atë. Gabime në të shkruar hasen me të madhe, duke filluar prej te mësuesja deri tek anëtari shqiptar i Akademisë së Shkencave. Gjatë të shkruarit, gabimet që bëhen janë: drejtshkrimore, fonetike, morfologjike dhe sintaksore. Asnjë gabim nuk duhet të tolerohet. Megjithëkëtë, gabimi drejtshkrimor ka më pak peshë se ai sintaksor. Personi me njohuri të kufizuara të shkrimit të shqipes mendon se një shkrim apo një punim duhet të korrigjohet vetëm në aspektin drejtshkrimor. Korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore ai e konsideron lektorim. Ai nuk e di se me lektorimin e një teksti nënkuptohet në radhë të parë kontrollimi i anës sintaksore të tij. Ai që s’i del zot anës sintaksore, s’është në gjendje t’i eliminojë si duhet as gabimet drejtshkrimore. Disa gabime drejtshkrimore detektohen edhe me vënien në veprim të programit kompjuterik. Por, ai që pandeh se korrigjimi i një teksti mund të bëhet nëpërmjet programit kompjuterik, është larg njohurive mbi gjuhën. Programi i lartpërmendur mund të ndihmojë jo më shumë se 20 për qind. Thelbi i një gjuhe është historia e saj dhe gramatika e saj. 
Pjesë e gabimeve gjuhësore janë edhe ato terminologjike. Çdo fushë apo lëmë e ka terminologjinë e vet. Popujt me tradita shtetërore dhe me shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe tekniko-teknologjik kanë terminologji të zhvilluar për lëmenj të ndryshëm. Popujt me shtetësi të vonuar dhe me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, shoqëror, tekniko-teknologjik terminologjinë e huazojnë prej të tjerëve, d.m.th. prej gjuhëve të tjera si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja. 
Gabime gjuhësore hasen në gazetat ditore dhe në revista. Dikur shkrimet që u janë dërguar gazetave ditore, para se të ishin botuar, kanë kaluar nëpër duart e lektorëve dhe të redaktorëve. Një gjë e tillë, sot praktikohet më pak. Gabime hasen edhe në shkrimet e disa autorëve që botohen në mediumet elektronike, nëpër portale të caktuara. Përgjegjësia në këtë mes, më parë se mbi kryeredaktorët, redaktorët, lektorët e gazetave, të revistave, të mediumeve elektronike, të portaleve – bie mbi autorët e artikujve. Përse?! Për arsye se gati të gjithë ata që shkruajnë, janë persona me arsimim universitar. Madje, midis tyre ka edhe të profilit të gjuhës shqipe apo të gjuhëve të huaja – anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes. Personi me përgatitje universitare, pavarësisht se ç’degë ka studiuar, duhet të posedojë njohuri solide në të shkruarit e gjuhës shqipe. Kurrë s’mund të jesh avokat, noter apo gjyqtar i mirë po qe se nuk ke njohuri solide për gjuhën amtare. Ai që s’ka njohuri të mirëfillta për gjuhën amtare kurrë nuk mund të bëhet pedagog, mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Njohja e gjuhës amtare është conditio sine qua non për arritjen e suksesit në një fushë të caktuar.
Shkrime me gabime gjuhësore botojnë edhe persona me tituj akademikë, magjistar dhe doktorë të dijes. Personat që shkruajnë, sidomos këta me tituj akademikë, para se t’i dërgojnë shkrimet e veta për botim, është mirë që paraprakisht t’i dërgojnë në lektorim. Ndryshe, komprometohen dhe e diskreditojnë veten.
Në hapësirat shqiptare gabime gjuhësore hasen edhe në emisionet radio-televizive. Gabime gjuhësore, ku më shumë e ku më pak, hasen në të gjitha studiot televizive, përfshi edhe ato të Shqipërisë. Shtëpitë televizive, materialet e emisioneve informative i sigurojnë prej agjencive të lajmeve. Disa shtëpi televizive informatat i sigurojnë apo i përkthejnë vetë. Shumë përkthyes të agjencive informative apo të studiove televizive nuk e njohin sa duhet punën e përkthimit, ndonëse me vite merren me këtë punë. Për të përkthyer në shqip nga një gjuhë tjetër, në radhë të parë duhet ta dish mirë gjuhën amtare, d.m.th. shqipen. Ai që s’e di mirë gjuhën amtare, nuk mund ta njohë mirë asnjë gjuhë tjetër. Tjetër është të komunikosh në anglisht apo në gjermanisht, krejt tjetër është t’i njohësh si duhet këto gjuhë. Shqiptarët që punojnë në Hamburg, komunikojnë në gjermanisht, por s’mund ta përkthejnë Gëten, Kafkën apo Fridrih Niçen. 
Punimet e magjistraturave apo tezat e doktoratave të disa universiteteve shqiptare, që kanë kaluar pa iu nënshtruar lektorimit, kanë pasur një mori gabimesh gjuhësore. Detyrimi i lektorimit të tyre ka qenë zgjidhje e drejtë. Gabime gjuhësore hasen edhe në aktet administrative të pushtetit vendor, të organeve të gjyqësisë, të njësive rajonale etj. Gabime gjejmë nëpër mbishkrime të ndryshme si dhe nëpër emërtimet e institucione. Gabime gjuhësore dhe terminologjike hasen edhe në materialet bankare, financiare, postare ...
Gabimet gjuhësore bëhen edhe kur shkruajmë shqip, ngase nuk kemi njohuri të duhura për gjuhën, por edhe kur përkthejmë në shqip, ngase nuk kemi njohuri të mjaftueshme në lëmin e përkthimit. Po qe se çdo gjë shndërrohet në biznes, atëherë gabimet gjuhësore do të jenë të pashmangshme. Ka të tillë të cilët të shkruarit e shndërrojnë në zanat. Ai i cili nga shkrimi krijon zanat, ai nuk shkruan. Ai është kalemxhi.

Duhet shtuar se në hapësirat shqiptare, në jetën publike është në përdorim gjuha letrare shqipe dhe norma letrare e saj. Çdo familje shqiptare në bibliotekën familjare duhet ta ketë Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe, Gramatikën e gjuhës shqipe – fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën, Historinë e gjuhës shqipe, Fjalorin e fjalëve të huaja etj. Ata që shkruajnë, librat apo tekstet e sipërthëna duhet t’i vënë në zbatim. 
Në shkollat shqipe, gramatika e gjuhës shqipe duhet të ligjërohet si lëndë e veçantë dhe jo sikur tani, gjuhë e letërsi bashkë. 
Historia e një gjuhe është historia e atij populli!


venerdì 21 giugno 2019

"Arbëreshe" nga Xhemi Hajredini



                              Poezi

                                      ARBËRESHE

Adelaide Barbuto, arbëreshe nga Garaffa (Carrafa di Catanzaro)
Fotografuar nga Italo Elmo, arbëresh nga Shën Mitri (Cosenza)

Vajzë e bukur n’Kalabri,
nga vjen e kush je ti?
Kur flet, këndon e luan valle,
vjen si poezi, si sorkadhe,
ti bukuroshe lule alle,
si një nuse shtojzovalle.

Jam arbëreshe, vij nga deti,
me rrënjë e kulturë mbreti.
Jam e fjas arbërisht,
si mbreti im arbëror.
Gjuhën e sotit varfërisht,
ruaj atë amënor e atëror.

Ti je si u’ shqiptar,
apo nga Kosova, kosovar?
Po, të gjithë jemi shqiptarë
jemi vëllezër e të pandarë.
Gjak i shprishur jemi pak,
por një ditë do të zëmë një cak.

©Xhemi Hajredini
Strugë, qershor 2019

giovedì 20 giugno 2019

Rrëmujë e madhe... Faji është jetim...


Nuk është faji im

Nga Xhemi Hajredini

Nuk është faji im,
vargje lirike s’shkruaj dot,
në këtë vorbull shqetësimesh
e buzëqeshje trishtimesh,
ka vetëm ndrydhje e lot.

Ndjesë o Perëndi,
s’është faji im, tha edhe Ademi,
kur mëkatuan me Havanë,
mollën e ndaluar, të mos e hanë.

Në të bukurën hava,
plot sherr, dava e hata,
një mishmash andej e këtej,
nuk është faji im,
faji është jetim.

Apo të gjithë jemi fajtorë,
që s’lëvizim gjë me dorë,
ush e quksh si gomarë,
na urdhërojnë e heqin zvarë.
I kujt është faji, or ti?
Nuk e di, na shpëtoftë Zoti! 


Strugë, qershor 2019

lunedì 10 giugno 2019

1878 - Lidhja është gjallë


LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

10 qershor 2019

    141 vjet më parë, më 10 qershor 1878, filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherit një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare, pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës, të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princërve shqipëtarë në shekullin e XV. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

     Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”.
     Rusia i kishte bërë presione shumë të mëdha Turqisë pas luftës ruso-turke, që pasoi me traktatin e Shën Stefanit dhe daljen e Rusisë në detin Mesdhe, që ishte e papranueshme për Anglinë si superfuqi e asaj kohe. Sërbia, Mali i zi, Rumania fituan pavarësi, Bosnja nën protektoratin austro hungarez. Rusia akoma më shumë i zgjeroi teritoret e saja. Situata të tensionuara vazhduan edhe më tej deri në kulminacionin e tyre të Luftës së Parë Botërore.
     Pas traktatit famëkeq të Shën Stefanit ku Rusia dhe Turqia vendosën që Shqipërisë të mos i jepej asnjë pëllëmbë tokë. Në kohën e Perandorisë Osmane vendi ynë ishte i ndarë në katër vilajete: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti Shkodrës, Vilajeti Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.
     Duke parë kalbëzimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun e zhdukjes si komb, patriotët shqiptarë nga të katër vilajetet u mblodhën si Lëvizje Kombëtare Shqiptare, me 10 qershor 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit.
     Shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj.   Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.
     Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878. Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
     Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 141 vjetësh, është e ngulitur thellë në mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtar të kombit shqiptar.

     Sa për t’i kujtuar, këto ishin pikat kryesore të LSHP-së:

Ø  Mbrojtja e trojeve shqiptare nga rreziku i coptimit nga shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi dhe Greqi
Ø  Bashkimi i vilajeteve shqiptare për ti hapur rrugën shtetit të ri shqiptar.
Ø  Shërbimi ushtarak në kohë paqeje.
Ø  Përdorimi i gjuhës shqipe dhe hapja e shkollave shqipe me alfabet latin.
Ø  Kontrolli i financave.

     (Për blogun dhe faqen "Gjuha shqipe pa gabime", përgatiti Xhemi Hajredini, administrator)

sabato 8 giugno 2019

Bukëbardhë - Nga Xhemi Hajredini


Poezi

BUKËBARDHË

Trutharë e mujsharë,                       
në mejdan për të sharë,                    
ti i durueshëm e fisnik,                     
pa u stepur, rri besnik.      

Në një sofër të durueshmit,
bukëbardhët, të afrueshmit,
bukëharamët në një tjetër,
si dikur n’regjim të vjetër.

Për të ngrënë vëngëronin,
në grahmat e fundit lëngonin,
sot të mbledhur në garë,
kush të lëpijë më parë.

Lum kush të rrojë,
bukëbardhët t’i shikojë,
që deri dje ëndrra hanin,
e mbi shpinë goditje mbanin.

Lumturia s’vjen me dreqësi,
por me vërtetësi e drjetësi,
lumturoju o bukëbardhë,
ti do të rrosh faqebardhë!

©Xhemi Hajredini
Strugë, 8 qershor 2019