LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
10 qershor 2019
141 vjet më parë, më 10
qershor 1878, filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është
kjo njëherit një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare, pas
Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës, të marsit të vitit 1444, nën
organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht
të princërve shqipëtarë në shekullin e XV. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në
historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i
rëndësishëm kombëtar shqiptar.
Komiteti i
Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të
çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai
grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke
më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza
Lindore”.
Rusia i kishte
bërë presione shumë të mëdha Turqisë pas luftës ruso-turke, që pasoi me
traktatin e Shën Stefanit dhe daljen e Rusisë në detin Mesdhe, që ishte e
papranueshme për Anglinë si superfuqi e asaj kohe. Sërbia, Mali i zi, Rumania
fituan pavarësi, Bosnja nën protektoratin austro hungarez. Rusia akoma më shumë
i zgjeroi teritoret e saja. Situata të tensionuara vazhduan edhe më tej deri në
kulminacionin e tyre të Luftës së Parë Botërore.
Pas traktatit
famëkeq të Shën Stefanit ku Rusia dhe Turqia vendosën që Shqipërisë të mos i
jepej asnjë pëllëmbë tokë. Në kohën e Perandorisë Osmane vendi ynë ishte i
ndarë në katër vilajete: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti Shkodrës, Vilajeti
Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.
Duke parë
kalbëzimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun e zhdukjes si komb, patriotët
shqiptarë nga të katër vilajetet u mblodhën si Lëvizje Kombëtare Shqiptare, me
10 qershor 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit.
Shqiptarët të
cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin
nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi
themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë
intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore.
Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica,
Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora,
Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve
do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri,
Abdyl bej Frashëri.
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u
zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarkombëtar
shqiptar më 10 qershor 1878. Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite
është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve
kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
Kjo ngjarje e
historisë të kohës së re, edhe pas 141 vjetësh, është e ngulitur thellë në
mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtar të kombit shqiptar.
Sa për t’i kujtuar, këto ishin
pikat kryesore të LSHP-së:
Ø
Mbrojtja e trojeve shqiptare nga rreziku i coptimit nga shtetet fqinje:
Serbia, Mali i Zi dhe Greqi
Ø
Bashkimi i vilajeteve shqiptare për ti hapur rrugën shtetit të ri shqiptar.
Ø
Shërbimi ushtarak në kohë paqeje.
Ø
Përdorimi i gjuhës shqipe dhe hapja e shkollave shqipe me alfabet latin.
Ø
Kontrolli i financave.
(Për blogun dhe faqen "Gjuha shqipe pa gabime", përgatiti Xhemi Hajredini, administrator)