sabato 7 aprile 2018

Të dish të shkruash...

“Të dish të shkruash, është dhunti,
por të dish të shkruash bukur, është art!”

Anila Ndoj
Përgatiti Anila Ndoj - Administratore e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime" 

Para vetëm një dekade, të shkruaje në kompjuter, duhej të kishe bërë të paktën një kurs daktilografie. Sot, me zhvillimim e teknologjisë, është lënë disi në harresë, ose shkruhet shumë pak me laps e letër. Madje po tentohet, në shkollat amerikane, të hiqet shkrimi i dorës, pasi është i ngadaltë, në raport me shpejtësinë e trurit, dhe të zëvendësohet me shkrimin digjital.


Janë bërë shumë studime mbi kaligrafinë (bukurshkrimin). Sipas një reviste mbi psikologjinë, shkrimi i dorës, është i ngjashëm me meditimin: ndryshon aktivitetin elektrikt të trurit. Një studim psikologjik, i kryer në Universitetin e Indianës, tregoi që ushtrimet drejtshkrimore, aktivizojnë atë pjesë të trurit që merret me organizimin e emocioneve. Ndër të tjera, po sipas psikologëve, të shkruash me dorë, do të thotë të trasmetosh shumë më tepër nga sa shkruan. Jo vetëm kaq! Në fakt, tek fëmijët, mësimi i shkrimit të dorës, i bën ata të aftë të krijojnë ide dhe të zhvillojnë kujtesën. Vë në lëvizje jo vetëm trurin, por edhe trupin, duke zhvilluar aftësinë e përqëndrimit të bustit dhe të dorës.

Sot vëmendja e edukatorëve i është rikthyer shkrimit të dorës e bukurshkrimit. Në Angli, disa shkolla e kanë të detyrueshme penën (stilografin), ndërsa në Francë është futur sërish diktimi.

Po në Shqipëri, çfarë ndodh? A ekziston më lënda e Bukurshkrimit, në shkollat tona? Mos vallë shkrimi digjital, po i zë vendin dalëngadalë bukurshkrimit? Çfarë mund të bëjmë ne, që ta sjellim sërish në “modë”, shkrimin e dorës?

Shkrimi i dorës është një gjurmë e jona, vetjake, unike, nuk ka dy shkrime njësoj. Duhet t’i dedikojmë më shumë kohë dhe vëmendje bukurshkrimit, këtij arti të vjetër e fisnik, i cili nuk meriton të harrohet!



venerdì 6 aprile 2018

SHTETET E BOTËS

Shtetet e botës (anglisht - shqip) 


Përgatiti Mirela Vasili anëtare e rregullt e grupit Gjuha Shqipe pa gabime

1 Afghanistan - Afganistani
2 Albania - Shqipëria
3 Algeria - Algjeria
4 Andorra - Andorra
5 Angola - Angola
6 Antigua and Barbuda - Antigua dhe Barbuda
7 Argentina - Argjentina
8 Armenia - Armenia
9 Australia - Australia
10 Austria - Austria
11 Azerbaijan - Azerbajxhani
12 Bahamas - Bahamet
13 Bahrain - Bahreini
14 Bangladesh - Bangladeshi
15 Barbados - Barbadosi
16 Belarus - Bjellorusia
17 Belgium - Belgjika 
18 Belize - Beliza
19 Benin - Benini
20 Bhutan - Butani
21 Bolivia - Bolivia
22 Bosnia and Herzegovina - Bosnja dhe Hercegovina
23 Botswana - Botsvana
24 Brazil - Brazili
25 Brunei - Brunei
26 Bulgaria - Bullgaria
27 Burkina Faso - Burkina Faso
28 Burundi - Burundi
29 Cape Verde - Kepi i Gjelbër
30 Cambodia - Kamboxhia
31 Cameroon - Kameruni
32 Canada - Kanadaja
33 Central African Republic (CAR) - Republika e Afrikës Qendrore
34 Chad - Çadi
35 Chile - Kili
36 China - Kina
37 Colombia - Kolumbia
38 Comoros - Komoret
39 Democratic Republic of the Congo - Republika Demokratike e Kongos
40 Republic of the Congo - Republika e Kongos
41 Costa Rica - Kosta Rika
42 Cote d'Ivoire - Bregu i Fildishtë
43 Croatia - Kroacia
44 Cuba - Kuba
45 Cyprus - Qiproja
46 Czech Republic - Republika e Çekisë
47 Denmark - Danimarka
48 Djibouti - Xhibuti
49 Dominica - Dominika
50 Dominican Republic - Republika Dominikane
51 Ecuador - Ekuadori
52 Egypt - Egjipti
53 El Salvador - El Salvadori
54 Equatorial Guinea - Guinea Ekuatoriale
55 Eritrea - Eritrea
56 Estonia - Estonia
57 Ethiopia - Etiopia
58 Fiji - Fixhi
59 Finland - Finlanda
60 France - Franca
61 Gabon - Gaboni
62 Gambia - Gambia
63 Georgia - Gjeorgjia
64 Germany - Gjermania
65 Ghana - Gana
66 Greece - Greqia
67 Grenada - Grenada
68 Guatemala - Guatemala
69 Guinea - Guinea
70 Guinea-Bissau - Guinea-Bisau
71 Guyana - Guajana
72 Haiti - Haiti
73 Honduras - Hondurasi
74 Hungary - Hungaria
75 Iceland - Islanda
76 India - India
77 Indonesia - Indonezia
78 Iran - Irani
79 Iraq - Iraku
80 Ireland - Irlanda
81 Israel - Izraeli
82 Italy - Italia
83 Jamaica - Xhamajka
84 Japan - Japonia
85 Jordan - Jordania
86 Kazakhstan - Kazakistani
87 Kenya - Kenia
88 Kiribati - Kiribati
89 Kosovo - Kosova
90 Kuwait - Kuvajti
91 Kyrgyzstan - Kirgistani
92 Laos - Laosi
93 Latvia - Letonia
94 Lebanon - Libani
95 Lesotho - Lesoto
96 Liberia - Liberia
97 Libya - Libia
98 Liechtenstein - Lihtenshtajni
99 Lithuania - Lituania
100 Luxembourg - Luksemburgu
101 Macedonia (FYROM) - Maqedonia (FYROM)
102 Madagascar - Madagaskari
103 Malawi - Malavi
104 Malaysia - Malajzia
105 Maldives - Maldivet
106 Mali - Mali
107 Malta - Malta
108 Marshall Islands - Ishujt Marshall
109 Mauritania - Mauritania
110 Mauritius - Mauritiusi
111 Mexico - Meksika
112 Micronesia - Mikronezia
113 Moldova - Moldavia
114 Monaco - Monakoja
115 Mongolia - Mongolia
116 Montenegro - Mali i Zi
117 Morocco - Maroku
118 Mozambique - Mozambiku
119 Myanmar (Burma) - Mianmari (Burma)
120 Namibia - Namibia
121 Nauru - Naurua
122 Nepal - Nepali
123 Netherlands - Holanda
124 New Zealand - Zelanda e Re
125 Nicaragua - Nikaragua
126 Niger - Nigeri
127 Nigeria - Nigeria
128 North Korea - Koreja e Veriut
129 Norway - Norvegjia
130 Oman - Omani
131 Pakistan - Pakistani
132 Palau - Palau
133 Palestine - Palestina
134 Panama - Panamaja
135 Papua New Guinea - Papua Guinejae Re
136 Paraguay - Paraguaji
137 Peru - Peruja
138 Philippines - Filipinet
139 Poland - Polonia
140 Portugal - Portugalia
141 Qatar - Katari
142 Romania - Rumania
143 Russia - Rusia
144 Rwanda - Ruanda
145 Saint Kitts and Nevis - Shën Kits dhe Nevis
146 Saint Lucia - Shën Luçia
147 Saint Vincent and the Grenadines - Shën Vinsenti dhe Grenadinet
148 Samoa - Samoa
149 San Marino - San Marinoja
150 Sao Tome and Principe - Sao Tome dhe Principe
151 Saudi Arabia - Arabia Saudite
152 Senegal - Senegali
153 Serbia - Serbia
154 Seychelles - Sejshellet
155 Sierra Leone - Sierra Leone
156 Singapore - Singapori
157 Slovakia - Sllovakia
158 Slovenia - Sllovenia
159 Solomon Islands - Ishujt Solomon
160 Somalia - Somalia
161 South Africa - Afrika e Jugut
162 South Korea - Koreja e Jugut
163 South Sudan - Sudani i Jugut
164 Spain - Spanja
165 Sri Lanka - Sri Lanka
166 Sudan - Sudani
167 Suriname - Surinami
168 Swaziland - Suazilendi
169 Sweden - Suedia
170 Switzerland - Zvicra
171 Syria - Siria
172 Taiwan - Taivani
173 Tajikistan - Taxhikistani
174 Tanzania - Tanzania
175 Thailand - Tailanda
176 Timor-Leste - Timori Lindor
177 Togo - Togoja
178 Tonga - Tonga
179 Trinidad and Tobago - Trinidadi dhe Tobagoja
180 Tunisia - Tunizia
181 Turkey - Turqia
182 Turkmenistan - Turkmenistani
183 Tuvalu - Tuvalu
184 Uganda - Uganda
185 Ukraine - Ukraina
186 United Arab Emirates (UAE) - Emiratet e Bashkuara Arabe
187 United Kingdom (UK) - Mbretëria e Bashkuar
188 United States of America (USA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës
189 Uruguay - Uruguaj
190 Uzbekistan - Uzbekistani
191 Vanuatu - Vanuatu
192 Vatican City (Holy See) - Vatikani
193 Venezuela - Venezuela
194 Vietnam - Vietnami
195 Yemen - Jemeni
196 Zambia - Zambia
197 Zimbabwe - Zimbabveja

lunedì 12 febbraio 2018

Bastardimi i gjuhës




Bastardimi i gjuhës nga mediat te librat


E huazuar na gazeta MAPO (http://www.mapo.al/ 
Përgatiti: Xhemi Hajredini - administrator i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Vendosja e pluralizmit demokratik në Shqipëri pas gati 50 vjetëve të diktaturës komuniste, nuk do të thotë që edhe në gjuhën shqipe të vendoset një “pluralizëm demokratik” ashtu si, për fat të keq, e perceptojnë shumë nga mediat e të gjitha ngjyrave, TV-të, si edhe nga shtëpitë botuese në Shqipëri. Ky biçim pluralizmi gjuhësor”, i cili ka nisur pas vitit 1991, ka sjellë si pasojë që gjuha shqipe, e shkruar dhe e folur në këto institucione, të ketë gabime, të cilat mund të viheshin re gjatë periudhës ‘20-‘40 të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri ende nuk ishin vendosur normat e drejtshkrimit. Në këtë shkrim do të ndalem në gabimet më tipike që vihen re në shtypin tonë:
1) Mënjanimi thuajse i plotë i kohës së kryer e thjeshtë të mënyrës dëftore të foljes:
“Dje presidenti Nishani ka deklaruar…”, kur duhet shkruar dhe lexuar edhe në mikrofon ose kamera: “Dje presidenti Nishani deklaroi…”.
Dhe kjo, sepse e kryera e thjeshtë tregon një veprim të përfunduar plotësisht para çastit të ligjërimit, ose një gjendje a veprim të kaluar. Kurse e kryera tregon një veprim, a gjendje të kaluar, në mënyre të tillë që rezultatet janë të pranishme edhe në çastet e ligjërimit. (“Fjalor i gjuhës shqipe”faqe 897, 1981).
Mendoni për një çast sikur ky shtrembërim të bëhej normë në veprat letrare!..
Po shkëpus një dialog të shkurtër nga vepra “Përballë pasqyrës së një gruaje” të Ismail Kadaresë, (faqe 148).
-Është krejt ashtu, -i  thashë…
-Bëjnë sikur na kanë harruar, po mendjen e kanë te ne,- përsëriti ai ngadalë… .
Shkrimtari ynë i madh, si çdo shkrimtar tjetër shqiptar, ka përdorur foljet them dhe përsëris në kohën e kryer e thjeshtë, pra ai shkruan: thashë dhe përsëriti.
Mendoni se sa do të qeshnim, sikur Kadarea të shkruante:
-Është krejt ashtu, – i kam thënë.
-Bëjnë sikur na kanë harruar, por mendjen e kanë te ne, – ka përsëritur ai.
2) Zhdukja e pjesëzës “të” në kohën e ardhme e tashme të mënyrës dëftore të foljes: “Do shkojmë…” dhe jo: “Do të shkojmë..,.ose: “Do e bëjmë…” dhe jo: “Do ta bëjmë...” Madje edhe në tituj artikujsh! Sikur në shtypin anglez ose amerikan e ardhmja e mënyrës dëftore të foljes të shkruhej: ”I’m going work” dhe jo: “I’m going to work”, pra, sikur të hiqej pjesëza “to”,(!?), kjo do të ishte me të vërtetë skandaloze.
3) Mënjanimi i trajtës së shquar të emrit, madje edhe gjatë lakimit:
“Bush bisedoi me Putin”-kur duhet shkruar- “Bushi bisedoi me Putinin.”(Pas parafjalës “me” duhet të përdoret rasa kallëzore).
4) Përdorimi  ndajfoljes “pavarësisht” si parafjalë në rasën rrjedhore:
Pavarësisht rezultateve të arritura…”, kur duhet shkruar: “Pavarësisht nga rezultatet e arritura…” Çuditërisht kjo dukuri po bëhet vitet e fundit normë në mediat tona dhe përbën një gabim të paarsyeshëm.
5) Shkrimi i fjalëve, termave, titujve, emrave të personaliteteve të huaja etj., sipas drejtshkrimit të këtyre gjuhëve:
“The New York Times”, George Bush, Ollbright, kur sipas rregullave të drejtshkrimit  emrat, titujt dhe emërtimet në gjuhë të huaja duhen shkruar sipas parimit fonetik të gjuhës shqipe, pra, ashtu siç shqiptohen:” Nju Jork Tajms”, Xhorxh Bush, Ollbrajt…
6) Nuk po ndalem  në një dukuri të shëmtuar, që vazhdon të mbetet plagë në gjuhën tonë:
Vërshimin pa asnjë arsye të fjalëve të huaja në media, për të cilat është shkruar vazhdimisht, shumica e të cilave zëvendësohen fare mirë me fjalë të gjuhës shqipe, si dhe mosrespektimin e shenjave të pikësimit.
7) Gabime të rënda në titujt e organeve të shtypit ose të  TV-ve:
Dy revista javore kanë titujt: “Klan” dhe “Spektër”, disa gazeta, ”Metropol”, “Standard”, “Start”, tituj, pra, në trajtën e pashquar të emrit, të cilat duhet të shkruhen në trajtën e shquar: “Klani”, ”Spektri”, ”Metropoli”…, ashtu siç shkruhen, për shembull, titujt e dy gazetave të tjera: “Panorama” dhe “Tema”…Pra, jo; “Panoramë”. ”Temë”….
Mendoni sa  për të qeshur do të ishte sikur dy nga revistat më popullore para vitit 1992, ”Hosteni” dhe “Nëntori”, të titulloheshin “Hosten” dhe “Nëntor”.
Do të ishte gjithashtu absurde, sikur gazeta italiane “Il Corriere della Sera” të shkruhej: “Corriere della Sera”, gazeta franceze “Le Monde” të shkruhej: “Monde”, gazeta amerikane “The Boston Globe”- “Boston Globe”, pra, pa nyjet e përparme përkatëse  “Il”, ”Le” dhe “The”, përkatësisht në italishte, frëngjishte dhe anglishte.
Në shqip këta tituj do të duhej të përktheheshin: “Korrier i Mbrëmjes”, “Botë” dhe “Glob i Bostonit” dhe kështu do të tingëllonin në mënyrë krejt të panatyrshme.
8) Duke imituar në mënyrë dogmatike titujt e marrë nga gjuhë të huaja, sidomos nga anglishtja.
Janë krijuar emërtime që nuk i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe. Kështu kemi emërtime të tilla “Tirana Bank”, kur ky institucion duhet titulluar “Banka Tirana”, aq më tepër që funksionon në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend të huaj.
Një qendër televizive zgjedh titullin “Shijak Televizion” dhe jo “Televizioni Shijak”. Si sëmundje ngjitëse ka, ose ka pasur emërtime të tjera absurde: ”Rozafa TV,” Skampa TV”, “Apollonia TV”…..Për  pasojë, mos ndoshta ndonjë ditë u dashka thënë Tirana Radio, Shqiptar Televizion…(!?).

Respekto Alfabetin e gjuhës tënde!
Gabime të rënda gjuhësore në vepra të shtëpive botuese

Por e keqja më e madhe vërehet në botimin e librave, ku me përjashtime të rralla, mungon emri i redaktorit dhe korrektorit letrar. Si rrjedhim, librat botohen me gabime gjuhësore. Pronarët e shumë shtëpive botuese, pa përjashtuar, natyrisht as ata të gazetave, siç duket, duan të kursejnë në kurriz të gjuhës dhe kështu parapëlqejnë që librat e të gjitha llojeve t’i botojnë pa ua nënshtruar redaktimit dhe korrekturës letrare dhe gjuhësore. Madje rastis që në një vepër letrare mund të gjesh vetëm emrin e recensuesit(!?). Për redaktor a korrektor letrar, as që bëhet fjalë. Gabime gjuhësore vërehen sidomos në veprat e përkthyera dhe botuara nga disa shtëpi botuese. Ka përkthyes që njohin mirë gjuhët nga të cilat i përkthejnë ato, por nuk njohin mirë gjuhën shqipe. Si pasojë, gjuha e këtyre veprave paraqet dobësi të theksuara. Me këtë rast do të përmend vetëm një rast: Romani “Kodi i Da Vincit”, i shkrimtarit të njohur amerikan Dan  Broun, me sa di është botuar nga dy shtëpi botuese. Në njërën, përkthyer nga një krijues i talentuar, fatkeqësisht ka gabime të mëdha gjuhësore dhe logjike. Duket se libri nuk ka kaluar fare në procesin e redaktimit gjuhësor dhe korrekturës letrare. Është e çuditshme si e ka lejuar një dukuri të tillë botuesi që ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe. Por edhe më e rëndë kjo dukuri vërehet  në “Fjalorin Frazeologjik Italisht-Shqip”, vepër e autorëve Naim Balla, Eshref Ymeri, Irena Ndoci (Lama). Gabimet në këtë fjalor janë shumë të rënda. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur njëra nga korrektoret letrare, Viola Grillo, ka mbaruar studimet për rusisht, madje në kohën kur është botuar kjo vepër me vlera, ka punuar korrektore letrare në një nga shtëpitë botuese të librit shkollor dhe do të ishte skandal po të vazhdonte të punonte përsëri aty. (!?)... Është e habitshme se si drejtuesit e kësaj shtëpie botuese kanë mbyllur sytë para këtij veprimi, kur e kishin për detyrë të gjenin plot redaktorë që kanë mbaruar studimet  për gjuhë-letërsi shqipe në UT ose universitete të tjera. Dhe madje shumë të mirë!… Kanë dhe një rast shembullor: korrektorin dhe pastaj redaktorin gjuhësor Loredan Bubani, veç të tjerash, edhe autor tekstesh gjuhësore për shkollat tona, që ka punuar në njërën nga këto shtëpi botuese të librit shkollor. Ndodh, gjithashtu, edhe një dukuri tjetër: ribotohen vepra të përkthyera, që janë botuar dekada më parë, sidomos para se të vendoseshin përfundimisht rregullat e drejtshkrimit (shtator 1972), por pa kurrfarë redaktimi, a korrektimi. Si pasojë, vende-vende, ndonëse këto vepra, të përkthyera nga shqipërues të njohur dhe me përvojë, kanë nivel të lartë artistik dhe gjuhësor, çalojnë nga ana drejtshkrimore… 

Rri mbrapsht e fol/shkruaj drejt! 
Nga këta pak shembuj del në pah një dukuri shumë shqetësuese: gjuha e shkruar, ose e folur edhe në mediat elektronike, si dhe gjuha e librave, jo vetëm nuk është përmirësuar, por, mjerisht, po shfaq të meta që kurrë nuk janë vërejtur në botimet e të gjitha llojeve gjatë periudhës komuniste.


                    

lunedì 22 gennaio 2018

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Janar, 2018
Pesëqind e pesëdhjetë vjet bashkim
“Bashkimi bën fuqinë!” - Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Drita A. Bala
Përgatiti: Drita Arapi Bala – administratore e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”

"Gjuha Shqipe pa gabime" përkujton heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun...

Që në fillim mund të konstatojmë se vendlindja dhe datëlindja e Skënderbeut vazhdon të mbetet e diskutueshme... Sipas disa burimeve thuhet se ka lindur në rrethin e Dibrës e sipas disa shënimeve të tjera në rrethin e Mirëditës (në Ermadhe)... Viti i lindjes sipas disa historianëve është v.1403 e sipas disa të tjerëve Skënderbeu ka lindur në 6 maj të vitit 1405. Të gjithë e duan këtë hero. Prandaj disa thonë se ishte dibran, disa mirditor e disa matian, disa thonë se ishte ortodoks, disa katolik e disa musliman... Ka dhe të huaj që duan të na marrin...

Gjergj Kastriot – Skënderbeu ishte vetëm shqiptar, sepse është në zemrën e çdo shqiptari pa marrë parasysh krahinë e fe...
Ishte fëmija i katërt dhe më i vogli nga djemtë e Gjon Kastriotit, Zot i principatave të Krujës e Mirëditës. Për të pasur të sigurt nënshtrimin e të atit, Gjergji, në moshë të mitur, u mor "peng" nga Sulltani, i cili pasi vuri re zgjuarsinë e jashtëzakonshme të djalit, vendosi ta edukojë atë sipas ligjit të oborrit otoman. Zotësia e djaloshit për të përvetësuar artin luftarak, aftësitë e udhëheqësit, drejtimit dhe organizimit e çuan atë t'i japë emrin "Skënder" për hir të Aleksandrit të madh dhe titullin "bej" që tregonte rangun e tij të lartë...

Skënderbeu u kthye në mëmëdhe si udhëheqës i një ushtrie të vogël prej 300 trupash, me të cilën arriti t'u marrë Krujën uzurpatorëve turq. Në Krujë, Gjergji nisi luftën për çlirim e bashkim. Përpos atdhetarizmit disa nga vlerat më të spikatura që ai mbarte, ishin ato morale e fetare. Vlerat e tilla nuk lanë indiferent as Vatikanin. Shpata e Gjergjit pengoi ëndrrën e Sulltanit të shtrijë Perandorinë e tij deri në Romë. Për këtë Papa Callisto III duke vlerësuar Skënderbeun si mbrojtës i paqes, i akordoi titullin “Atlet i Krishtit”.
 

Të mëdhenjtë si Fan Noli, Naim Frashëri, Ismail Kadare dhe shumë shkrimtarë të huaj i kanë “kënduar” gjestet e Skënderbeut mbi letër. Shkruante Naimi... “Kruj', o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë Shqipëtarët t'i shpëtonjë Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej'i Shqipërisë, Ka pas trima shqipëtarë, Që s'u trembet syri kurrë, Ndë zëmërt të tij ka zjarrë, Ësht' i urt' e trim e burrë. Mirë se erdhe, o verë! Që na prure mirësinë, Dhe për shumë vjet të tjerë, e zbukurofsh Shqipërinë. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu, Të zbriti nga Zoti drita!”

Strateg, gjeneral, ideator bashkimi.
Për dikë i dërguar i Perëndisë, legjendë, krenari e mbret i Epirit.
Dragua në ëndrrat e së ëmës e i lartë tre metra në përrallat e gjyshërve tanë ndër breza. I frikshëm, i mbinatyrshëm e i pavdekshëm për armiqtë.
Këto janë disa nga emërimet që iu dhanë heroit nga anëtarët e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”.

Gjergj Kastrioti... i vetmi që mban titullin HERO KOMBËTAR.
Është mahnitës fakti se edhe pas 550 vitesh figura e tij bashkon shqiptarët në një ideal, në SHQIPTARI. Ky njeri i madh vdiq më 17 Janar të 1468 në Lezhë, duke lënë një Shqipëri të lirë e të bashkuar.
Gjergj Kastrioti luftoi për lirinë e popullit të tij dhe popujve fqinj.
Veprat e Skënderbeut ndezin krenari në çdo zemër arbëri, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e Kalabri... kudo qoftë zemër shqiptari, ka gjak Kastrioti.

Kjo qasje e shkurtër mbi figurën e Mbretit të shqiptarëve ka për qëllim vetëm të ngacmojë ndërgjegjen kombëtare për veprën dhe bëmat e një heroi me përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai është vlerësuar lart nga shumë personalitete të shquara të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë që kanë shkruar për kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare janë Marin Barleti, Naim Frashëri, Fan NoliSabri Godo, Fatos Daci dhe shumë të tjerë.


domenica 21 gennaio 2018

12 vjet nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova

Burrështetasi bashkëkohor me imazhin më perëndimor   
Ibrahim Rugova (1944-2006)

Anton Blakja
Shkruan: Anton Blakja, anëtar i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Ibrahim Rugova, lindi më 2 dhjetor të vitit 1944, në Cerrcë (Istog). Pas vdekjes, nga janari i vitit 2007, i ndahet titulli i nderit "Hero i Kosovës".   

Ai ishte doktor i shkencave në fushën e letërsisë por kur Kosova po lëngonte nga pushtuesi serb ai do të deklaronte: "Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugët e Kosovës vdesin njerëzit e mi."
Kur u njoftua formimi i LDK-së së Kosovës, pakkush besoi se ajo lëvizje e re do të kishte sukses. Jo se nuk kishte të drejtën më vete, por ngaqë përballë kishte një mal me pengesa dhe armiq të shumtë. Ajo "davidke" heroike do të rritej për çdo ditë dhe do të triumfonte mbi "goliathin" serb. Një nga arsyet e asaj mrekullie ishte se në krye të saj u vu studiuesi, intelektuali dhe patrioti i patundur Ibrahim Rugova. Rugova çuditi dynjanë me atë Lëvizje paqësore.
Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova
Askush në Ballkan nuk kishte menduar as guxuar t'i fitonte luftrat me mjete paqësore. Shumica ishin pesimistë deri në tallje, të tjerë ishin dashakeqës, disa u treguan armiqësor. Kështu mendonte edhe ish anëtari i politbyrosë së Partisë së Punës, Xhelil Gjoni. Ky komunsit kollovar i bllokut komunist, pa iu dridhur dora, në tri numra të gazetës "Koha jonë" volli vrer aso kohe, kundër Ibrahim Rugoves. Mendjeshkurtëri xhebrail (Xhelil) arriti deri aty sa t'i ngarkonte Dr.Rugovës edhe mëkatet e Xhaferr Devës, ndërkohë qe i ati i Dr.Rugovës ishte masakruar nga serbët.
Pengesat e shpifjet nga keqdashësit dhe armiqtë nuk e ndalën dhe nuk e lëkundën doktor Rugovën në rrugën e rezistencës paqesore.
"Satyagraha shqiptare" do ta quante bota përparimtare. Satyagraha ose qëndrimi i palëkundur për të vërtetën u artikulua për herë të parë nga Mahatma Gandi pas "Marshimit të kripës". Vendosmeria e së vërtetës shqiptare, e Ibrahim Rugoves, edhe pse më e shenjtë se çdo lëvizje e tillë, kishte shumë më shumë vështirësi nga "Satyagraha" e Gandit.
Marshi i shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës, nën udhëheqjen e Rugovës, bëri bashkimin e shqiptarëve duke sjellë fitoren në arenën ndërkombëtare. Presidenti Rugova, me qëndrimin e tij, i çudiste vizitorët e huaj, gazetarët, politikanët apo zyrtarët e lartë që e vizitonin Kosovën. Ai fliste gjithmonë qetë, buzagaz e me një logjikë të hekurt.
Në kabinetin e tij mbante një bust të Gjergj Kastriotit, një portret të Nënë Terezës, Krishtin e mbërthyer në kryq dhe një portret të Papa Gjon Palit. Citonte me buzëqeshje etërit e kombit amerikan duke i lënë gojëhapur bashkëbiseduesit me diturinë dhe thjeshtësinë e tij.
Për Dr.Rugoven dy ishin qendrat, prej te cilave mund të shpresohej zgjidhja e çështjes shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (aleat i shqiptarëve dhe garantues të lirisë) dhe Vatikani. Ai zbatonte urtësitë dhe ecte rrugës së Fan Nolit tonë të ndritur.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte politikani ndryshe. Një veprimtar tjetërqysh, shumë dritë larg këtyre gërthitësve të neveritshëm.
Me këtë rast, të 12 vjetorit të vdekjes së Presidentit, kësaj figure të ndritur të kombit tonë, dua të kujtoj dy momente, me dy njerëz të ndryshëm, që më kanë mbetur në kujtesë.
Momenti i parë ishte ballafaqimi me armikun, përbindëshin Millosheviç. Në Gjykatën e Hagës Sllobodani, gjakpirësi i shqiptarëve, i bëri këtë pyetje Dr.Rugoves:
- "A mendon dëshmitari se serbët kanë hequr dorë nga Kosova?"
- Të lutem, - i tha Dr.Rugova, me atë buzëqeshjen e tij shpotitëse.
- Për cilët serbë e ke fjalën? Për serbët e Kosovës apo të Beogradit?! Po ta keni fjalën për serbët e Kosovës, ata nuk duhet të heqin dorë, nëse më pyesni për ata të Beogradit, ata tanimë kanë hequr dorë ose duhet të heqin dorë një ditë e më parë nga Kosova.

Momenti i dytë është vizita e fundit e Fatos Nanos,  si kryeministër në Kosovë. Pas takimit me President Rugovën, në pyetjen e gazetarëve nëse kanë folur për pavarësinë e Kosovës, ai u pergjigj me atë shtrembërimin e buzës dhe kapadaillëkun e tij karakteristik: -
- "Pavarsia është diçka e largët... !
Të pranishmit shikuan President Rugovën i cili duke qeshur thjeshtësisht shtoi:
- "Megjithatë ne po punojmë ta afrojmë." I tillë ishte President Rugova.
Sot, kur President Rugova nuk është fizikisht mes nesh, ne përulemi me respekt përpara veprës së tij. Vepra e Rugovës do të jetojë e do të kujtohet sa të jetojë Shqipëria, Kosova dhe e gjithë shqiptaria.
At Zef Pllumi, i cili vuajti 26 vjet burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë:
“U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.

sabato 6 gennaio 2018

Dialektet dhe besimet fetare

DIALEKTET DHE BESIMET FETARE JANË PASURI KOMBËTARE

Nga Kasam SHAQIRVELA
Kasam Shaqirvela
Për popullin shqiptar, sot, është e paktë të mësohet edhe gegërishtja (gegnishtja), kuptohet e unifikuar. Madje duke patur parasysh strukturën konfesionale të kombit tonë do të ishte i domosdoshëm mësimi i konfesioneve fetare që frymojnë ndër ne shqiptarët sot e tërë ditën. Kjo, bashkë me mësimin e gegërishtes, perveç pasurimit të dijes do të forconte edhe bashkimin kombëtar, sepse bashkimi kombëtar nuk bëhet i njëanshëm, ai ështe i gjithanshëm! Individi që ka vlera krijuese të mirëfillta, ai, penën e vet e ngjyen në dy ngjyrat po aq sa i ka flamuri i jonë kombëtar; në ngjyrën e zezë të truallit stërgjyshor dhe në ngjyrën e kuqe të gjakut arbëror. Që të dyja ngjyrat çojnë drejt rrënjëve tona, pra njerëzit e penës ia kanë për borxh kombit t'ia pasurojnë gjuhën dhe jo t'ia varfërojnë apo dhe më keq t'ia ndryshojnë atë duke futur fjalë të huaja në formë të neologjizmave, vend e pa vend. Shumë fjalë që sot janë në fjalorin e gjuhës shqipe, në formën siç janë, shqiptohen me vështirësi kurse të njëjtat fjalë janë të gjalla në gegnishten e që shqiptohen me lehtësi.
Çdo standard gjuhësor duhet të zbatohet gjithsesi por dhe duhet të punohet në pasurimin dhe përparimin e tij. Në pjesën lindore të shqiptarisë ka fjalë të gegnishtes që janë të njëjta me ato të toskërishtes, nuk e kanë vetem ë-në në fund, ka dhe shumë fjalë që janë të gjalla, pra i përdor populli por nuk janë përfshirë në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (FGJSSH). Mos të flasim për studimet gjuhësore të cilat do të ishin të mangëta pa njohjen e thellë të gegërishtes.
Pra, gjuha shqipe është një!
Kombi shqiptar është një!
Madje kultura dhe historia shqiptare është një, tjetër s’ka?!
Dialektet dhe konfesionet janë pasuria e jonë që duhet ruajtur me respekt të ndërsjellë, ato nuk e prekin boshtin dhe nuk mund ta dëmtojnë asesi atë, për arsye se boshti është SHQIPTARIZMI dhe ai është i gjallë njësoj te të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo dialekti, krahine apo rajoni! Po ky bosht, pikërisht ky bosht i qëndron besnik vertikales së vet me mijëra vjet, para e pas Krishtit. Ka sfiduar shumë e shumë momente torzioni nga forcat përdredhëse që i vinin si nga jashtë e si nga brenda. S'ka forcë që e përdredh këtë bosht, sepse, ai është monolit dhe homogjen në nëntëdhjetenëntë fije, një fije të vetme e ka ndryshe e cila fije asesi nuk ngren peshë sado që të jetë e veçantë!
Shqiptarizmi mbetet gjithmonë shqiptar, ai përmes emblemës së vet mijëvjeçare të shqiponjës dykrenore; me njërin sy e shikon lindjen e Diellit e me tjetrin sy e ndjek perëndimin e Diellit...
Pra këto dy koka trupin e kanë të përbashkët, e kanë një, e mbajnë pingul, aty në mes, në mes të Ballkanit, te SHQIPTARIA e shtrirë në trojet e stërgjyshërve, në truallin e lashtë të Atit Pellazg!


domenica 31 dicembre 2017

Do të kërcej derisa këmbët të më lënë

Intervistë me valltaren famëmadhe Liljana Cingu

Xhemi Hajredini

Xhemi Hajredini, administrator i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime" 


Parma është një qytet italian me rreth dyqind mijë (200.000) banorë. Në këtë qytet, i dyti për nga madhësia në Emilia-Romanja, pas Bolonjës, jetojnë mbi shtatë mijë (7000) shqiptarë. Janë dy shkaqe për të shkruar nga Parma. E para se nga ky qytet lindi ideja e themelimit të grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", datë 20 gusht 2014, nga atdhetari i paepur z.Durim Lika dhe arsyeja e dytë Festa e Parmës me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Festën e Parmës, Nëntor 2017, ku janë angazhuar me dhjetra e qindra të rinj e të reja, djem e vajza, gra e burra mërgimtarë, për të festuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë merrnin pjesë, si të ftuar të shfaqjes, dy vallëtarët e mirënjohur shqiptarë Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku. Kjo ceremoni festive ndiqej drejtpërdrejtë si nga qyteti italian ku zhvillohej festa ashtu edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.    
Pas manifestimit artistiko-kulturor shfrytëzuam rastin për të zhvilluar një intervistë me artisten famëmadhe, Liljana Cingu.


Znj. Liljana, kur ju shpërtheu zelli për t’u bërë kërcimtare?
Si fëmijë, kam pasur talent si në sport ashtu edhe në kërcim. Zgjodha vallen. Më flinte më shumë dalja në skenë, si valltare. Aktivitetet i fillova në Pallatin e pionierit e më vonë si profesioniste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve në moshën 16 vjeçe.
Kush ju ka frymëzuar më shumë nga artistët e mëdhenj shqiptarë?
Frymëzim për mua kanë qenë prindërit e mi, që më kanë frymëzuar për të ndjekur dhe për t'u ngjitur në skenë. Edhe ata kanë qenë të pasionuar pas valleve. Unë fillova ta admiroja vallen, sidomos kur i shikoja artistët që aq bukur i kërcenin vallet tona. Kërcimi i tyre, mënyra sesi ata hidhnin vallen më frymëzonte vazhdimisht. Besim Zekthi, mjeshtri i valles popullore shqiptare, solisti i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ishte artisti që më pëlqente më shumë. E ënderroja të kërceja një solo me të madhin valltar, Besim Zekthi. Ja dola, por me shumë punë. Me të nuk kam kërcyer një solo por më shumë solo, kërcime që më mbushën me besim dhe forcë. Mirënjohjet e vazhdueshme si në vend ashtu edhe jashtë vendit na mbushnin zemrat me krenari. Një vend i vogël që di të bëjë çudira në arenat ndërkombëtare. Nuk kam harruar akoma kur bashkë me Besim Zekthin dhe anëtarët të tjerë të Ansambit, në vitin 1970 në Dizhon të Francës, në mesin e 44 shteteve, ne rrëmbyem çmimin e parë "Gjerdani i Artë" dhe brohoritjet e francezëve "Vive l'Albanie" (të rrojë Shqipëria).  
Si ka qenë për një vajzë, në atë kohë, për t’u marrë me art, me kërcim?
Nuk ishte e lehtë. Duhet të ishe pak e çmendur për t'u marrë me art. Mentaliteti i një shoqërie të prapambetur nuk të krijonte kushte të mira që femrat të merreshin me sport, art e kulturë. Unë dhe familja ime nuk ngurruam, pavarësisht mentalitetit të tillë. Rrjedhim nga një familje e bukur shkodrane, me ide të përparueme. Talenti im në kërcim shkëlqeu që në fillim dhe falë këtij talenti u thyen edhe idetë e prapambetura.
Si pritet arti ynë nëpër botë? Ç’mendim kanë për vallet tona? Për kostumografinë?
Kudo që kemi shkuar, në vend e në botë, jemi pëlqyer e duartrokitur pafund për perlat e folklorit tonë, për vallet, këngët, muzikën dhe  kostumugrafinë. Kur na shikonin si vallzonim, skenat tronditeshin e nuk pushonin duartrokitjet e spektatorëve. Kërcimet e mjeshtrave të mëdhenj si Zekthi e Çeliku, koreografët e talentuar, si mjeshtri Kaceli e mjeshtri Kanaçi e të tjerë, më besuan mu solot e valleve.
Artistët e mëdhenj na kanë ikur dhe po na ikin. A kemi trashëgimtarë për ta përcjellë këtë trashëgimi kulture tek brezat e ardhshëm? 
Vitet e bëjnë punën e tyre... nga kërcimet një ditë edhe largohesh. Ne si familje kemi dhënë dhe akoma po japim kontributin tonë për ta ruajtur trashëgiminë. Familja ime ka qenë pjesë e grupeve amatore. Katër pjesëtarë të familjes kemi qenë valltarë. Duke qenë se kam dalë e kam parë shumë artistë nëpër trojet etnike shqiptare besoj se trashëgimia jonë e larmishme trashëgohet dhe përcillet brez pas brezi. 
Cilat janë vallet më të bukura shqiptare që të rinjtë nuk duhet t’i harrojnë kurrë?
Vendi ynë është një kopsht i madh me valle të bukura që janë qujtur perla kudo. Unë dua të veçoj simbolin e vendit tonë, vallëzimin i shqipeve. Ky është një simbol i shqipeve tona në flamur.
Pasi keni udhëtuar shpesh nëpër vendet e ndryshme të Evropës dhe Amerikës, tani ndodheni në Parma të Italisë, cili është mendimi juaj për mërgimtarët? A kanë ata mundësi për t’u organizuar dhe kultivuar artin dhe kulturën e tyre kombëtare?
Udhëtimet e mia kanë qenë pafund, për të mos u ndalur kurrë me vallet tona. Edhe tani që po ju jap këtë intervistë ndodhem në Parma për të festuar 105 vjetorin e Pavarësisë. Jam këtu, e privilegjuar, duke vallëzuar e duke u bashkuar me perkëdheljet e fëmijëve të grupit të valleve, duke kërcyer bashkë me ta, duke ndjerë ngrohtësinë e publikut, të këtyre mërgimtarëve atdhetarë. Ftesa e Forumit të gruas këtu në Parma më bëri shumë krenare, sidomos kur i shikojë këto nëna, motra, gra, familjarë që kaq mirë dinë të bëjnë punën e tyre humane, sesi e kanë organizuar shkollën shqipe, sesi i organizojnë gjithë këto aktivitete, jam mahnitur kur shikoj sa bukur i edukojnë fëmijët e tyre. Fëmijë të mrekullueshëm që flasin e kërcejnë shqip. I përgëzoj organizatorët e Shkollës shqipe në Parma, mësuesit e palodhur që bashkë me këta fëmijë ruajnë gjuhën e të parëve, gjuhën e bukur. Në këtë muaj të ftohtë nëntori ndjeva ngrohtësinë e të gjithëve.
Ç’duhet të bënin Qeveritë shqiptare (e Shqipërisë dhe e Kosovës) për diasporën, në fushën e arsimit dhe kulturës, për brezat e rinj që rriten dhe shkollohen jashtë shtetit amë?
Këto aktivitete të organizuara jashtë atdheut duhet të mbështeten nga institucionet shqiptare. Fëmijët janë gjithçka. Për arsimimin dhe edukimin e tyre duhet një vëmendje e veçantë. Nëpërmjet tyre dhe aktiviteteve jashtë shkollore ruhet trashëgimia kulturore, gjuha, këngët, vallet... ruhet shqiptaria. Që të jemi krenarë që jemi shqiptarë të gjithë duhet ta bëjnë punën e vet aty ku ndodhen.
Çfarë ndjesie përjetuat në Parma, në Festën kushtuar Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë?
Bashkë me kolegun tim, valltarin e mirënjohur, Rexhep Çelikun, jemi ndjerë shumë mirë, jemi kënaqur pamasë. Ju falënderojmë që na bëtë pjesë aty në mes të shumë artdashësve që u ndjemë si një familje. Festa u bë edhe më e bukur kur vallëzova me fëmijët. Shumë respekt, shumë duartrokitje, shumë fotografi, shumë kujtime... Një festë e bukur kuq e zi. Një mbrëmje madhështore e përgatitur nga shqiptarët e Parmës. U ndjeva shumë e vlerësuar.
Urimi për Vitin e Ri 2018?
Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen iu uroj nga zemra gëzuar Vitin e Ri 2018! Shëndet, mbarësi e lumturi në familjet e tyre. Le t'i ruajmë traditat dhe le të gëzojmë e festojmë sipas traditave tona të bukura, me këngë e valle burimore shqiptare. Gëzuar!
     
Lili Cingu dhe Rexhep Çeliku 
Faleminderit znj. Cingu. Gëzuar edhe nga ne të grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"! Viti i Ri 2018 qoftë një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët dhe për gjuhën tonë hyjnore. Gëzuar!