Burrështetasi bashkëkohor me imazhin më perëndimor
Ibrahim Rugova (1944-2006)
Anton Blakja |
Shkruan: Anton
Blakja, anëtar i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"
Ibrahim Rugova, lindi më 2 dhjetor të
vitit 1944, në Cerrcë (Istog). Pas vdekjes, nga janari
i vitit 2007, i ndahet titulli i nderit "Hero i Kosovës".
Ai ishte doktor i shkencave në fushën e letërsisë por kur
Kosova po lëngonte nga pushtuesi serb ai do të deklaronte: "Nuk mund të
merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugët e Kosovës vdesin njerëzit e mi."
Kur u njoftua formimi i LDK-së së Kosovës, pakkush besoi
se ajo lëvizje e re do të kishte sukses. Jo se nuk kishte të drejtën më vete,
por ngaqë përballë kishte një mal me pengesa dhe armiq të shumtë. Ajo "davidke"
heroike do të rritej për çdo ditë dhe do të triumfonte mbi "goliathin"
serb. Një nga arsyet e asaj mrekullie ishte se në krye të saj u vu studiuesi,
intelektuali dhe patrioti i patundur Ibrahim Rugova. Rugova çuditi dynjanë me
atë Lëvizje paqësore.
Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova |
Askush në Ballkan nuk kishte menduar as guxuar t'i
fitonte luftrat me mjete paqësore. Shumica ishin pesimistë deri në tallje, të
tjerë ishin dashakeqës, disa u treguan armiqësor. Kështu mendonte edhe ish anëtari
i politbyrosë së Partisë së Punës, Xhelil Gjoni. Ky komunsit kollovar i
bllokut komunist, pa iu dridhur dora, në tri numra të gazetës "Koha jonë"
volli vrer aso kohe, kundër Ibrahim Rugoves. Mendjeshkurtëri xhebrail (Xhelil)
arriti deri aty sa t'i ngarkonte Dr.Rugovës edhe mëkatet e Xhaferr Devës, ndërkohë
qe i ati i Dr.Rugovës ishte masakruar nga serbët.
Pengesat e shpifjet nga keqdashësit dhe armiqtë nuk e ndalën
dhe nuk e lëkundën doktor Rugovën në rrugën e rezistencës paqesore.
"Satyagraha shqiptare" do ta quante bota përparimtare.
Satyagraha ose qëndrimi i palëkundur për të vërtetën u artikulua për herë të
parë nga Mahatma Gandi pas "Marshimit të kripës". Vendosmeria e së
vërtetës shqiptare, e Ibrahim Rugoves, edhe pse më e shenjtë se çdo lëvizje e
tillë, kishte shumë më shumë vështirësi nga "Satyagraha" e Gandit.
Marshi i shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës, nën udhëheqjen
e Rugovës, bëri bashkimin e shqiptarëve duke sjellë fitoren në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Rugova, me qëndrimin e tij, i çudiste vizitorët e huaj, gazetarët,
politikanët apo zyrtarët e lartë që e vizitonin Kosovën. Ai fliste gjithmonë
qetë, buzagaz e me një logjikë të hekurt.
Në kabinetin e tij mbante një bust të Gjergj Kastriotit,
një portret të Nënë Terezës, Krishtin e mbërthyer në kryq dhe një portret të Papa
Gjon Palit. Citonte me buzëqeshje etërit e kombit amerikan duke i lënë gojëhapur
bashkëbiseduesit me diturinë dhe thjeshtësinë e tij.
Për Dr.Rugoven dy ishin qendrat, prej te cilave mund të shpresohej zgjidhja e çështjes shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (aleat
i shqiptarëve dhe garantues të lirisë) dhe Vatikani. Ai zbatonte urtësitë dhe ecte
rrugës së Fan Nolit tonë të ndritur.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte politikani ndryshe. Një veprimtar
tjetërqysh, shumë dritë larg këtyre gërthitësve
të neveritshëm.
Me këtë rast, të 12 vjetorit të vdekjes së Presidentit,
kësaj figure të ndritur të kombit tonë, dua të kujtoj dy momente, me dy njerëz
të ndryshëm, që më kanë mbetur në kujtesë.
Momenti i parë ishte ballafaqimi me armikun, përbindëshin
Millosheviç. Në Gjykatën e Hagës Sllobodani, gjakpirësi i shqiptarëve, i bëri këtë
pyetje Dr.Rugoves:
- "A mendon dëshmitari se serbët kanë hequr dorë nga
Kosova?"
- Të lutem, - i tha Dr.Rugova, me atë buzëqeshjen e tij shpotitëse.
- Për cilët serbë e ke fjalën? Për serbët e Kosovës apo të
Beogradit?! Po ta keni fjalën për serbët e Kosovës, ata nuk duhet të heqin dorë,
nëse më pyesni për ata të Beogradit, ata tanimë kanë hequr dorë ose duhet të
heqin dorë një ditë e më parë nga Kosova.
Momenti i dytë është vizita e fundit e Fatos Nanos, si kryeministër në Kosovë. Pas takimit me
President Rugovën, në pyetjen e gazetarëve nëse kanë folur për pavarësinë e
Kosovës, ai u pergjigj me atë shtrembërimin e buzës dhe kapadaillëkun e tij
karakteristik: -
- "Pavarsia është diçka e largët... !
Të pranishmit shikuan President Rugovën i cili duke
qeshur thjeshtësisht shtoi:
- "Megjithatë ne po punojmë ta afrojmë." I tillë
ishte President Rugova.
Sot, kur President Rugova nuk është fizikisht mes nesh,
ne përulemi me respekt përpara veprës së tij. Vepra e Rugovës do të jetojë e do
të kujtohet sa të jetojë Shqipëria, Kosova dhe e gjithë shqiptaria.
At Zef Pllumi, i cili vuajti 26 vjet burg në kohën e
regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë:
“U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u
luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin
europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai
ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.