sabato 7 aprile 2018

Të dish të shkruash...

“Të dish të shkruash, është dhunti,
por të dish të shkruash bukur, është art!”

Anila Ndoj
Përgatiti Anila Ndoj - Administratore e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime" 

Para vetëm një dekade, të shkruaje në kompjuter, duhej të kishe bërë të paktën një kurs daktilografie. Sot, me zhvillimim e teknologjisë, është lënë disi në harresë, ose shkruhet shumë pak me laps e letër. Madje po tentohet, në shkollat amerikane, të hiqet shkrimi i dorës, pasi është i ngadaltë, në raport me shpejtësinë e trurit, dhe të zëvendësohet me shkrimin digjital.


Janë bërë shumë studime mbi kaligrafinë (bukurshkrimin). Sipas një reviste mbi psikologjinë, shkrimi i dorës, është i ngjashëm me meditimin: ndryshon aktivitetin elektrikt të trurit. Një studim psikologjik, i kryer në Universitetin e Indianës, tregoi që ushtrimet drejtshkrimore, aktivizojnë atë pjesë të trurit që merret me organizimin e emocioneve. Ndër të tjera, po sipas psikologëve, të shkruash me dorë, do të thotë të trasmetosh shumë më tepër nga sa shkruan. Jo vetëm kaq! Në fakt, tek fëmijët, mësimi i shkrimit të dorës, i bën ata të aftë të krijojnë ide dhe të zhvillojnë kujtesën. Vë në lëvizje jo vetëm trurin, por edhe trupin, duke zhvilluar aftësinë e përqëndrimit të bustit dhe të dorës.

Sot vëmendja e edukatorëve i është rikthyer shkrimit të dorës e bukurshkrimit. Në Angli, disa shkolla e kanë të detyrueshme penën (stilografin), ndërsa në Francë është futur sërish diktimi.

Po në Shqipëri, çfarë ndodh? A ekziston më lënda e Bukurshkrimit, në shkollat tona? Mos vallë shkrimi digjital, po i zë vendin dalëngadalë bukurshkrimit? Çfarë mund të bëjmë ne, që ta sjellim sërish në “modë”, shkrimin e dorës?

Shkrimi i dorës është një gjurmë e jona, vetjake, unike, nuk ka dy shkrime njësoj. Duhet t’i dedikojmë më shumë kohë dhe vëmendje bukurshkrimit, këtij arti të vjetër e fisnik, i cili nuk meriton të harrohet!