lunedì 22 gennaio 2018

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Janar, 2018
Pesëqind e pesëdhjetë vjet bashkim
“Bashkimi bën fuqinë!” - Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Drita A. Bala
Përgatiti: Drita Arapi Bala – administratore e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”

"Gjuha Shqipe pa gabime" përkujton heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun...

Që në fillim mund të konstatojmë se vendlindja dhe datëlindja e Skënderbeut vazhdon të mbetet e diskutueshme... Sipas disa burimeve thuhet se ka lindur në rrethin e Dibrës e sipas disa shënimeve të tjera në rrethin e Mirëditës (në Ermadhe)... Viti i lindjes sipas disa historianëve është v.1403 e sipas disa të tjerëve Skënderbeu ka lindur në 6 maj të vitit 1405. Të gjithë e duan këtë hero. Prandaj disa thonë se ishte dibran, disa mirditor e disa matian, disa thonë se ishte ortodoks, disa katolik e disa musliman... Ka dhe të huaj që duan të na marrin...

Gjergj Kastriot – Skënderbeu ishte vetëm shqiptar, sepse është në zemrën e çdo shqiptari pa marrë parasysh krahinë e fe...
Ishte fëmija i katërt dhe më i vogli nga djemtë e Gjon Kastriotit, Zot i principatave të Krujës e Mirëditës. Për të pasur të sigurt nënshtrimin e të atit, Gjergji, në moshë të mitur, u mor "peng" nga Sulltani, i cili pasi vuri re zgjuarsinë e jashtëzakonshme të djalit, vendosi ta edukojë atë sipas ligjit të oborrit otoman. Zotësia e djaloshit për të përvetësuar artin luftarak, aftësitë e udhëheqësit, drejtimit dhe organizimit e çuan atë t'i japë emrin "Skënder" për hir të Aleksandrit të madh dhe titullin "bej" që tregonte rangun e tij të lartë...

Skënderbeu u kthye në mëmëdhe si udhëheqës i një ushtrie të vogël prej 300 trupash, me të cilën arriti t'u marrë Krujën uzurpatorëve turq. Në Krujë, Gjergji nisi luftën për çlirim e bashkim. Përpos atdhetarizmit disa nga vlerat më të spikatura që ai mbarte, ishin ato morale e fetare. Vlerat e tilla nuk lanë indiferent as Vatikanin. Shpata e Gjergjit pengoi ëndrrën e Sulltanit të shtrijë Perandorinë e tij deri në Romë. Për këtë Papa Callisto III duke vlerësuar Skënderbeun si mbrojtës i paqes, i akordoi titullin “Atlet i Krishtit”.
 

Të mëdhenjtë si Fan Noli, Naim Frashëri, Ismail Kadare dhe shumë shkrimtarë të huaj i kanë “kënduar” gjestet e Skënderbeut mbi letër. Shkruante Naimi... “Kruj', o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë Shqipëtarët t'i shpëtonjë Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej'i Shqipërisë, Ka pas trima shqipëtarë, Që s'u trembet syri kurrë, Ndë zëmërt të tij ka zjarrë, Ësht' i urt' e trim e burrë. Mirë se erdhe, o verë! Që na prure mirësinë, Dhe për shumë vjet të tjerë, e zbukurofsh Shqipërinë. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu, Të zbriti nga Zoti drita!”

Strateg, gjeneral, ideator bashkimi.
Për dikë i dërguar i Perëndisë, legjendë, krenari e mbret i Epirit.
Dragua në ëndrrat e së ëmës e i lartë tre metra në përrallat e gjyshërve tanë ndër breza. I frikshëm, i mbinatyrshëm e i pavdekshëm për armiqtë.
Këto janë disa nga emërimet që iu dhanë heroit nga anëtarët e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”.

Gjergj Kastrioti... i vetmi që mban titullin HERO KOMBËTAR.
Është mahnitës fakti se edhe pas 550 vitesh figura e tij bashkon shqiptarët në një ideal, në SHQIPTARI. Ky njeri i madh vdiq më 17 Janar të 1468 në Lezhë, duke lënë një Shqipëri të lirë e të bashkuar.
Gjergj Kastrioti luftoi për lirinë e popullit të tij dhe popujve fqinj.
Veprat e Skënderbeut ndezin krenari në çdo zemër arbëri, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e Kalabri... kudo qoftë zemër shqiptari, ka gjak Kastrioti.

Kjo qasje e shkurtër mbi figurën e Mbretit të shqiptarëve ka për qëllim vetëm të ngacmojë ndërgjegjen kombëtare për veprën dhe bëmat e një heroi me përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai është vlerësuar lart nga shumë personalitete të shquara të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë që kanë shkruar për kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare janë Marin Barleti, Naim Frashëri, Fan NoliSabri Godo, Fatos Daci dhe shumë të tjerë.