DIALEKTET
DHE BESIMET FETARE JANË PASURI KOMBËTARE
Për
popullin shqiptar, sot, është e paktë të mësohet edhe gegërishtja (gegnishtja),
kuptohet e unifikuar. Madje duke patur parasysh strukturën konfesionale të
kombit tonë do të ishte i domosdoshëm mësimi i konfesioneve fetare që frymojnë
ndër ne shqiptarët sot e tërë ditën. Kjo, bashkë me mësimin e gegërishtes,
perveç pasurimit të dijes do të forconte edhe bashkimin kombëtar, sepse
bashkimi kombëtar nuk bëhet i njëanshëm, ai ështe i gjithanshëm! Individi që ka
vlera krijuese të mirëfillta, ai, penën e vet e ngjyen në dy ngjyrat po aq sa i
ka flamuri i jonë kombëtar; në ngjyrën e zezë të truallit stërgjyshor dhe në
ngjyrën e kuqe të gjakut arbëror. Që të dyja ngjyrat çojnë drejt rrënjëve tona,
pra njerëzit e penës ia kanë për borxh kombit t'ia pasurojnë gjuhën dhe jo t'ia
varfërojnë apo dhe më keq t'ia ndryshojnë atë duke futur fjalë të huaja në
formë të neologjizmave, vend e pa vend. Shumë fjalë që sot janë në fjalorin e
gjuhës shqipe, në formën siç janë, shqiptohen me vështirësi kurse të njëjtat
fjalë janë të gjalla në gegnishten e që shqiptohen me lehtësi.
Çdo
standard gjuhësor duhet të zbatohet gjithsesi por dhe duhet të punohet në
pasurimin dhe përparimin e tij. Në pjesën lindore të shqiptarisë ka fjalë të
gegnishtes që janë të njëjta me ato të toskërishtes, nuk e kanë vetem ë-në në
fund, ka dhe shumë fjalë që janë të gjalla, pra i përdor populli por nuk janë
përfshirë në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (FGJSSH). Mos të flasim për
studimet gjuhësore të cilat do të ishin të mangëta pa njohjen e thellë të
gegërishtes.
Pra,
gjuha shqipe është një!
Kombi
shqiptar është një!
Madje
kultura dhe historia shqiptare është një, tjetër s’ka?!
Dialektet
dhe konfesionet janë pasuria e jonë që duhet ruajtur me respekt të ndërsjellë,
ato nuk e prekin boshtin dhe nuk mund ta dëmtojnë asesi atë, për arsye se
boshti është SHQIPTARIZMI dhe ai është i gjallë njësoj te të gjithë shqiptarët,
pa dallim feje apo dialekti, krahine apo rajoni! Po ky bosht, pikërisht ky
bosht i qëndron besnik vertikales së vet me mijëra vjet, para e pas Krishtit. Ka
sfiduar shumë e shumë momente torzioni nga forcat përdredhëse që i vinin si nga
jashtë e si nga brenda. S'ka forcë që e përdredh këtë bosht, sepse, ai është
monolit dhe homogjen në nëntëdhjetenëntë fije, një fije të vetme e ka ndryshe e
cila fije asesi nuk ngren peshë sado që të jetë e veçantë!
Shqiptarizmi
mbetet gjithmonë shqiptar, ai përmes emblemës së vet mijëvjeçare të shqiponjës dykrenore;
me njërin sy e shikon lindjen e Diellit e me tjetrin sy e ndjek perëndimin e
Diellit...
Pra
këto dy koka trupin e kanë të përbashkët, e kanë një, e mbajnë pingul, aty në
mes, në mes të Ballkanit, te SHQIPTARIA e shtrirë në trojet e stërgjyshërve, në
truallin e lashtë të Atit Pellazg!