domenica 21 gennaio 2018

12 vjet nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova

Burrështetasi bashkëkohor me imazhin më perëndimor   
Ibrahim Rugova (1944-2006)

Anton Blakja
Shkruan: Anton Blakja, anëtar i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Ibrahim Rugova, lindi më 2 dhjetor të vitit 1944, në Cerrcë (Istog). Pas vdekjes, nga janari i vitit 2007, i ndahet titulli i nderit "Hero i Kosovës".   

Ai ishte doktor i shkencave në fushën e letërsisë por kur Kosova po lëngonte nga pushtuesi serb ai do të deklaronte: "Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugët e Kosovës vdesin njerëzit e mi."
Kur u njoftua formimi i LDK-së së Kosovës, pakkush besoi se ajo lëvizje e re do të kishte sukses. Jo se nuk kishte të drejtën më vete, por ngaqë përballë kishte një mal me pengesa dhe armiq të shumtë. Ajo "davidke" heroike do të rritej për çdo ditë dhe do të triumfonte mbi "goliathin" serb. Një nga arsyet e asaj mrekullie ishte se në krye të saj u vu studiuesi, intelektuali dhe patrioti i patundur Ibrahim Rugova. Rugova çuditi dynjanë me atë Lëvizje paqësore.
Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova
Askush në Ballkan nuk kishte menduar as guxuar t'i fitonte luftrat me mjete paqësore. Shumica ishin pesimistë deri në tallje, të tjerë ishin dashakeqës, disa u treguan armiqësor. Kështu mendonte edhe ish anëtari i politbyrosë së Partisë së Punës, Xhelil Gjoni. Ky komunsit kollovar i bllokut komunist, pa iu dridhur dora, në tri numra të gazetës "Koha jonë" volli vrer aso kohe, kundër Ibrahim Rugoves. Mendjeshkurtëri xhebrail (Xhelil) arriti deri aty sa t'i ngarkonte Dr.Rugovës edhe mëkatet e Xhaferr Devës, ndërkohë qe i ati i Dr.Rugovës ishte masakruar nga serbët.
Pengesat e shpifjet nga keqdashësit dhe armiqtë nuk e ndalën dhe nuk e lëkundën doktor Rugovën në rrugën e rezistencës paqesore.
"Satyagraha shqiptare" do ta quante bota përparimtare. Satyagraha ose qëndrimi i palëkundur për të vërtetën u artikulua për herë të parë nga Mahatma Gandi pas "Marshimit të kripës". Vendosmeria e së vërtetës shqiptare, e Ibrahim Rugoves, edhe pse më e shenjtë se çdo lëvizje e tillë, kishte shumë më shumë vështirësi nga "Satyagraha" e Gandit.
Marshi i shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës, nën udhëheqjen e Rugovës, bëri bashkimin e shqiptarëve duke sjellë fitoren në arenën ndërkombëtare. Presidenti Rugova, me qëndrimin e tij, i çudiste vizitorët e huaj, gazetarët, politikanët apo zyrtarët e lartë që e vizitonin Kosovën. Ai fliste gjithmonë qetë, buzagaz e me një logjikë të hekurt.
Në kabinetin e tij mbante një bust të Gjergj Kastriotit, një portret të Nënë Terezës, Krishtin e mbërthyer në kryq dhe një portret të Papa Gjon Palit. Citonte me buzëqeshje etërit e kombit amerikan duke i lënë gojëhapur bashkëbiseduesit me diturinë dhe thjeshtësinë e tij.
Për Dr.Rugoven dy ishin qendrat, prej te cilave mund të shpresohej zgjidhja e çështjes shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (aleat i shqiptarëve dhe garantues të lirisë) dhe Vatikani. Ai zbatonte urtësitë dhe ecte rrugës së Fan Nolit tonë të ndritur.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte politikani ndryshe. Një veprimtar tjetërqysh, shumë dritë larg këtyre gërthitësve të neveritshëm.
Me këtë rast, të 12 vjetorit të vdekjes së Presidentit, kësaj figure të ndritur të kombit tonë, dua të kujtoj dy momente, me dy njerëz të ndryshëm, që më kanë mbetur në kujtesë.
Momenti i parë ishte ballafaqimi me armikun, përbindëshin Millosheviç. Në Gjykatën e Hagës Sllobodani, gjakpirësi i shqiptarëve, i bëri këtë pyetje Dr.Rugoves:
- "A mendon dëshmitari se serbët kanë hequr dorë nga Kosova?"
- Të lutem, - i tha Dr.Rugova, me atë buzëqeshjen e tij shpotitëse.
- Për cilët serbë e ke fjalën? Për serbët e Kosovës apo të Beogradit?! Po ta keni fjalën për serbët e Kosovës, ata nuk duhet të heqin dorë, nëse më pyesni për ata të Beogradit, ata tanimë kanë hequr dorë ose duhet të heqin dorë një ditë e më parë nga Kosova.

Momenti i dytë është vizita e fundit e Fatos Nanos,  si kryeministër në Kosovë. Pas takimit me President Rugovën, në pyetjen e gazetarëve nëse kanë folur për pavarësinë e Kosovës, ai u pergjigj me atë shtrembërimin e buzës dhe kapadaillëkun e tij karakteristik: -
- "Pavarsia është diçka e largët... !
Të pranishmit shikuan President Rugovën i cili duke qeshur thjeshtësisht shtoi:
- "Megjithatë ne po punojmë ta afrojmë." I tillë ishte President Rugova.
Sot, kur President Rugova nuk është fizikisht mes nesh, ne përulemi me respekt përpara veprës së tij. Vepra e Rugovës do të jetojë e do të kujtohet sa të jetojë Shqipëria, Kosova dhe e gjithë shqiptaria.
At Zef Pllumi, i cili vuajti 26 vjet burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë:
“U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.