mercoledì 18 ottobre 2017

Traditë - Histori


FSHATI KRYEZJARRTH


Nga B. Dylgjeri - anëtar i rregullt i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

     Vetëm pak kilometra në jug të Elbasanit ndodhet një fshat i vogël i quejtun Kryezjarrth. Ky fshat ban pjesë në grupin prej 19 fshatrash të Shpatit të Ulët dhe sipas gojëdhanave, ky fshat asht shumë i vjetër dhe banohet prej shekujsh. Asht fshat i bukur kodrinor, me banorë të qetë e shumë punëtorë. Ullishtat përreth dhe kopshtijet e sistemueme e të mbjella me perime të ndryshme, të japin ndjesinë sikur ke përballë një pejsazh të gjallë të Van Gogh-ut. Por, të bȃn përshtypje emni i tij, emni Kryezjarrth. Nuk dihet saktë se kur ȃsht quejtun kështu ky fshat, si e ka pasun emnin fillestar, kush e quejti etj.
     Por le të ndalojmë ke emni, që ka sot, Kryezjarrth. Âsht nji nativizim krejt shqip, emën i përbȃmë nga fjalët “krye” dhe “zjarr-th” e që i ka rezistue me kryeneçësi huturbisë së sllavizmave që kanë kaplue shumicën e toponimeve tona.
Në mes të fshatit dhe buzë nji p’rroi që dredhon aty pranë, gjindet nji kodër të cilën vendasit e quejnë Bregu. Kjo kodër, Bregu, ka nji pozicion topografik të favorshëm për zonat përreth dhe që aty shikon lirshëm Bregoren e fshatit Shelcan, dhe Fushën e Kuqe të Gjinarit.
    Bregu i Kryezjarrthit adhurohej nga të moçmit se ȃsht vend i lidhun me historinë e kryengritjeve antiosmane. Duke qenë fshat afër Elbasanit, fshatarët e tij kishin mundësi me shikue çdo lëvizje të trupave osmane kur dilnin nga qyteti. Tradita gojore e fshatit na bȃn me dije se sa herë që ekspeditat ndëshkimore osmane e lëshonin fortesën e Elbasanit dhe kapërcenin Shkuminin për me shtypun kryengritësit shpatarakë, ke Bregu ndizej nji zjarr shumë i madh. Aq i madh bȃhej zjarri, sa flakët dhe ndriçimi i tij dukeshin edhe ditën prej disa kilometrave larg. Ky zjarr ishte shenjë dhe kod për me komunikue dhe njoftue fshatrat e tjerë për me u mbrojt nga rreziku. Ishte mënyra mȃ e shpejtë për me lajmërue, kur nuk kishte rrugë dhe as mjete të tjera komunikimi. Pra, në “krye” të herës (në fillim) “zjarri” i parë njoftues ndizej këtu, për të vijue me zjarre të tjerë të ngjashëm në fshatrat e malësisë si, Gjinar, Zavalinë, Polis etj. Lajmi merrte dhenë për pak orë dhe burrat e aftë për luftë zinin prita në grykat dhe honet ku do kalonte ushtria e huej, ndërsa merrnin masat për pleqtë, gratë, fëmijët dhe bagëtinë të cilët i strehonin në pyll.
     Thuhet se prej kësaj historie ngeli emni i fshatit Kryezjarrth.
     (Këtë histori e ka rrëfyer i ndjeri Petër Oga, nga ky fshat, i cili ka ndërrue jetë në moshën 96 vjeçare).
Kryezjarrthi, Elbasan 

martedì 17 ottobre 2017

Fshati Karakullak

Traditë - Histori

FSHATI KARAKULLAK


Nga B. Dylgjeri - Anëtar i rregullt i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Në largësi prej 3-4 kilometrash në perëndim të Elbasanit e pranë përroit të Kushës ndodhet fshati i bukur Karakullak. Është një fshat i vogël, me toka të begata dhe bujq mjaft punëtorë. Aty pranë rrjedhin ujrat e përroit të Kushës dhe pak më në veri ndodhet Manastiri i Shën Joan Vladimirit. Mirëpo, emri i këtij fshati nuk ka sesi të mos tërheqë vëmendjen e kujtdo: Karakullak. Pa asnjë diskutim është një nga toponimet e pakta osmane në zonën e Elbasanit. 

Fshati Karakullak
Por, si quhej më parë ky fshat, çdo të thotë Karakullak, kur e mori këtë emër të çuditshëm dhe kush ishte arsyeja, nuk dihet. Më kujtohet se dikur pata pyetur një plak nga ai fshat për emrin e fshatit të tij dhe a e dini se ç’më tregoi? 
"Karakullak" do të thotë: rreth i zi. Gojëdhana thotë se aty nga fillimi i viteve 1900, dy oficerë të lartë osmanë që ishin duke kryer misione verifikimi në terren, pasi kaptuan kodrat me ullishta, ranë poshtë në fushë e aty hasën një bujk vendas rreth dyzet vjeç, që ishte duke lëruar arën e tij me një pendë ku ishin mbrehur dy qe. Megjithëse kishte trup muskuloz puna e rëndë po e mundonte bujkun dhe nga rrudhat e ballit i kullonin djersët çurgë. Kafshët e gjora u trembën nga prania e beftë e dy burrave dhe shkallmuan kularin e u lëshuan si të tërbuara nëpër arën gjysmë të punuar. Bujku i fuqishëm shtangu për një çast dhe hodhi vështrimin nga të huajt. Pa bërë zë, ai u vërsul mbi njërin ka të pendës së tij dhe pasi e mbërtheu nga brinjët atë e qetësoi duke e fërkuar nën gushë dhe e dërgoi tek kulari i pendës ku e lidhi. Po kështu veproi me kaun tjetër dhe rinisi punën e tij të zakonshme. Fuqia dhe mençuria e atij bujku i bënë shumë përshtypje oficerëve të huaj të cilët u afruan dhe pyetën si quhet. Njëri prej tyre diç shënoi në një bllok. 

Pas pak vitesh në Stamboll po zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare sportive e mundjes së lirë dhe një mundës anglez i fuqishëm i kishte palosur të tërë mundësit turq që i kishin dalë në ring. Të turpëruar nga këto humbje që “cënonin lavdinë e Perandorisë”, organizatorët vendas nuk po dinin çfarë të bënin. Pikërisht, në njërën nga këto ndeshje kishte qëlluar të jetë shikues edhe njëri prej atyre oficerëve që kishin parë bujkun shqiptar që nënshtori me lehtësi të dy qetë e hazdisura. Menjëherë ai njoftoi komisionin për bujkun shqiptar dhe po atë mbrëmje u nisën kalorësit turq të cilët e morën bujkun dhe pas pak ditëve u kthyen në Stamboll. Dhe ja tani, në ring u vendosën shqiptari i veshur vetëm me brekushe të gjata, i ndrojtur, i turpshëm dhe i hutuar nga britmat e mijëra tifozëve. Përballë tij anglezi i gjatë, flokëkuq dhe i fuqishëm. Ky i fundit e pa me mospërfillje kandidatin e radhës dhe për ta ofenduar sikur donte të thoshte ku ma gjetët këtë dordolec, e qëlloi me shuplakë në fytyrë. I rrufeshëm ishte reagimi i bujkut tonë i cili u ndje i fyer nga dacka që hëngri turinjve përpara gjithë atij mileti që nuk pushonte së klithuri. Me një lëvizje të shpejtë bujku shqiptar e goditi anglezin flokëkuq në bark me gishta të zgjatur por të bashkuar si një thikë. I çau atij barkun atij dhe me dorën tjetër e mbërtheu prej fyti dhe e rrëzoi për tokë. Gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë. Rivali flokëkuq u shtri sa gjatë e gjerë në ring dhe nuk dha asnjë shenjë të vazhdimit të lojës. Ndërhyrja e arbitrit përcaktoi fundin e ndeshjes dhe fare papritur bujku shqiptar u shpall fitues. Britmat dhe ulërimat e mijëra të tifozëve për fitoren oshëtinin nga të katër anët dhe shqiptari u bë i famshëm brenda natës. 

E pra, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje për këtë fitore e për më tepër që vuri në vend “krenarinë e Perandorisë”, pushteti osman i përjashtoi të gjithë banorët e atij fshati nga detyrimet tatimore apo ua lehtësoi ato. 
Që nga ajo kohë, për t’u dalluar nga të tjerët, ky fshat u shënua në hartë me një rreth të zi (karakullak). Fjala “kara-kullak”, që në gjuhësi quhet kompozitë, është me origjinë osmane dhe do të thotë: Rreth i Zi, i qarkuar me rreth të zi etj... 
E gjithë kjo histori ngjan si një përrallë, por unë po ritregoj atë që kam dëgjuar. Vetëm kur të bëhet e mundur hapja e regjistrave osmanë do të verifikohet kur dhe pse iu dha ky emër fshatit që ne ende sot e quajmë Karakullak. Ku i dihet….! 

giovedì 21 settembre 2017

Barasnata vjeshtore

Ekuinoksi vjeshtor
Vjeshta

        Nga Xhemi Hajredini - administrator i grupit Gjuha Shqipe pa gabime

     Nuk besoj t'i keni harruar fjalët që i kemi përsëritur vjet në këtë kohë në grupin tonë "Gjuha Shqipe pa gabime": barasnatë, ekuinoks dhe solstic.

     Nga dita e sotme jemi futur në stinën e bukur të vjeshtës. 
     Ekuinoksi i vjeshtës është nesër, 22 shtator 2017, në ora 22:02. Si e shpjegon fjalori i gjuhës shqipe fjalën barasnatë?

     BARASNATË f. spec.
Njëzet e një marsi a njëzet e një shtatori, kur rrezet e diellit bien pingul në ekuator dhe nata është e gjatë sa dita. Barasnata e pranverës (e vjeshtës). Ka dy barasnet në vit.

     Termi "ekuinoks" vjen nga gjuha latine “equi-noctis” që do të thotë barasnatë.

     Fjala "solstic", ndërkaq, rrjedh gjithashtu nga fjala latine "solstitium" (sol,e dielli dhe stitium ndal, je) është e përfshirë në FGJSH dhe ka këtë shpegim:

     SOLSTIC m. astr. 
Secila nga dy periudhat e vitit kur Dielli ndodhet në pikën më të largët nga Ekuatori. Solstici i verës dita më e gjatë e vitit (22 qershor). Solstici i dimrit nata më e gjatë e vitit (22 dhjetor).

     Siç e shikoni kemi dy ekuinokse, 21 mars dhe 22 shtator kur dita dhe nata janë me nga 12 orë secila.
     Ka dhe dy solstice, më 22 qershor dhe më 22 dhjetor, kur nata dhe dita janë në kulmet e tyre.

     Këto janë dhe katër datat zyrtare kur fillojnë katër stinët e vitit.
     Le ta mbyllim këtë shkrim, kushtuar fjalëve ekuinoks dhe solstic, me një poezi të bukur kushtuar vjeshtës, nga poetesha e mirënjohur, Alma Papamihali.
Risultati immagini per vjeshta alma papamihali



lunedì 13 marzo 2017

Për hyjneshën Zana dhe Ditën e Verës

INTERPRETIME TË NDRYSHME MBI ZANAFILLËN E ADHURIMEVE TË HYJNESHËS ZANA DHE DITËS SË VERËS

Shkruan: Bukurosh DYLGJERI

"Beteja” për ta tjetërsuar mitin e Zanës prej kohësh ka marrë zjarr dhe autorë të ndryshëm me shkrime të gjata rreth kësaj teme, po përpiqen të na mbushin mendjen se ky mit, pra i Zanës dhe festimeve të Ditës së Verës, i takon krahinës së Çermenikës (Crna Nika) në Librazhd, e trajtuar prej tyre si Zana e Çermenikës (!) ose Zana e Kandavisë, apo edhe më tej.

Ja vlen vërtetë të lëvdohet çdo përpjekje që bëhet për verifikimin e festave tona të lashta, si argumente të fuqishme të autoktonisë sonë në këto troje. Por, pse festohet në Elbasan e jo në Çermenikë, ata nuk i japin përgjigje ose thonë se këtë festim e sollën malësorët e Çermenikës që populluan fushat rreth Kalasë së Elbasanit 100 – 200 vjet më parë!? Duhet të sqarojmë se hinterlandi rreth e përqark Kalasë së Elbasanit ka qenë i populluar me banorë vendas që para pushtimit osman. Sipas regjistrave osmanë për popullsinë të vitit 1491 sanxhaku i Elbasanit ishte më i populluari nga gjithë sanxhaqet e territoreve europiane të pushtuara (Rumelia), (“Shqiptarët dhe trojet e tyre”, M. Tërnava, fq. 481, referuar B. Hrabak, “Poljoprivredna proizvodnja…” 36), çka na bën të besojmë se popullsia e Elbasanit ka qenë aty, e shpërndarë e nuk erdhi nga askundi.

Pas rindërtimit të kalasë në vitin 1466 kjo popullsi u shtua me ardhës nga krahinat përqark për shkak të zhvilimit të jetës urbane aty (zejtaria, tregtia etj). Gjithashtu, nuk shpjegohet pse çermenikasit na e paskan sjellë në Elbasan këtë traditë dhe vetë më nuk e festojnë! Në funksion të shkrimeve të tyre këta autorë sjellin shpjegime për vende dhe toponime mbi mitin e Zanës në fshatrat e Librazhdit të sotëm si, Kuturman, Tokëz, Dorëz, Gizavesh dhe zona ku bashkohet përroi i Rrapunit me lumin Shkumbin në Librazhd, por që këta fshatra nuk bëjnë pjesë në krahinën e Çermenikës. Edhe vetë krahina e Çermenikës me fshatrat Funars, Zdrajsh, Filoq, Gurakuq, Orenjë etj. nuk bën pjesë në Kandavi.

Makrotoponimi antik Kandavia (Kunavia apo Candaviens), përfaqson një unitet territorial që zë fill në zonat malore nga Liqeni i Ohrit për të vijuar në malësinë midis lumenjve Shkumbin dhe Devoll (Qafë-Thanë, Mokërr, Qukës, Bërzeshtë, Polis, Shpati etj). Pra, mendoj që është e pakuptimtë të thuhet në të njëjtën kohë Zana e Çermenikës dhe Diana (Zana) e Kandavisë.

Duhet theksuar se miti i Zanës tek shqiptarët, ishte i pranishëm edhe tek romakët me Dianën, tek helenët me Artemisën, tek persët me Ishtar etj. Por, për ne shqiptarët ky mit dhe festimi me adhurime në formën më të larmishme është i prekshëm e ruhet ende i gjallë vetëm në Elbasan, ndërsa tek të tjerët ka mbetur si rudiment i gojëdhanave.

Fakti që pothuajse në të gjithë shkrimet për hyjneshën Zana dhe Ditën e Verës nga autorë të ndryshëm nuk përmendet madhështia që elbasanasit e ruajtën fort si një gjë të çmuar këtë festë, na çudit dhe na xhelozon me xhelozinë e tyre. Dita e Verës është ndoshta i vetmi festim pagan që ka mbijetuar për bukuri vetëm në këtë zonë. Prushi ruhet i pa shuar nën hí vetëm në vatrën ku ka qenë i ndezuar zjarri.

Në shkrimet e autorëve të ndryshëm mbi mitin e Zanës dhe Ditën e Verës thirren në ndihmë historianë, krijues e gjuhëtarë të nderuar të cilët mbështeten në hamendësime dhe interpretime gjuhësore e historike, por që nuk e përmendin asnjë herë të vetme të vetmit dokument autentik siç është Tabela Peutingeriana që përcakton bindshëm vendodhjen e tempullit të Zanës. Kësaj i referohet Eqerem Çabej i cili që në vitin 1942, cilëson në revistën kulturore “Hylli i Dritës” se “…“m’u n’afërsi të Partinëvet, Kandavët kishin një tempull aq të rëndësishëm të Dianës (lexo:Zanës), që ndodhet mbi rrugën Egnatia përbri shtegut në Lindje të Scampas (Elbasanit).”

Kjo është fare e kuptueshme për cilindo, që tempulli i kësaj hyjneshe apo perëndeshe, Zanës (së cilës romakët i dhanë formën e tyre Diana), ka qenë i pranishëm fare afër Elbasanit, pikërisht në vendin e quajtur Rrapi i Mansit apo Ledhja e Madhe e dikurshme. Ky vend ndodhet, në lindje të Elbasanit dhe mbi rrugën e sotme automobilistike e cila është mbishtresëzim i udhës antike Egnatia, vend të cilin elbasanasit e adhurojnë ende sot. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh që fiset antike ilire të Partinëve e Kandavëve takoheshin mu në luginën e rrjedhës së mesme të lumit Shkumbin, pra në Elbasanin e sotëm, ashtu siç shkruhet në Tabelën romake. Ndërsa udha antike Egnatia nuk ka kaluar asnjëherë nëpër Çermenikë.

Megjithatë, unë besoj se miti i Zanës është festuar edhe në Çermenikë, Polis dhe Shpat apo edhe në vende të tjera të Ilirisë antike (Dukagjin: – t’shitoftë Zana!), por gjithashtu besoj se jo rastësisht kreu i këtij zinxhiri festimesh, adhurimesh dhe nderimesh të hyjneshës Zana dhe Ditës së Verës, u ruajtën me kaq fanatizëm vetëm në Elbasan.
 Qyteti i Elbasanit 

Gëzuar ditën e verës


DITA E VERËS

A mund të ketë lidhje midis festës së Ditës së Verës, perëndeshës ilire Zana dhe vendit të quajtur Rrapi i Mansit?

Bukurosh Dylgjeri
Përgatiti: Bukurosh DYLGJERI 

Që prej moteve të shkuara popullsia qytetare elbasanase feston më datë 14 mars të çdo viti, Ditën e Verës. Është festë dukshëm e Elbasanit, ndonëse me rite të ndryshme dhe më të zbehta kjo ditë festohet edhe nga banorët e zonave përreth. Por, ç’është kjo ditë dhe kujt i kushtohet, kur ka lindur kjo festë dhe pse është caktuar data 14 mars… janë disa prej pyetjeve që natyrshëm i vijnë në mendje çdo njeriu. 
Nga gojëdhanat kuptojmë se është festë iliro-pagane e që e ka zanafillën nga mugëtira e shekujve të harruar. Çuditërisht kjo Ditë e Bekuar u festua si gjatë pushtimit osman, ligjet e të cilit (Sheriati Islamik) ndalonin rreptësisht praktikimin e çdo forme të idhujtarisë politeiste, ashtu edhe gjatë diktaturës komuniste e cila fillimisht e shpërfilli fenë derisa në vitin 1967 e ndaloi me ligj atë. Por, është fakt se gjatë 45 vjetëve të kësaj diktature, Dita e Verës vazhdoi të festohet nga komuniteti qytetar elbasanas, pothuajse me një miratim të heshtur dhe gjysmëzyrtar të tyre. Për këtë të fundit flitet se mund të ketë ndikuar ndërhyrja e ndonjë elbasanasi me influencë pranë diktatorit të cilit duhet t’i ketë shpjeguar se kremtimi i kësaj feste nuk ka lidhje me praktikat monoteiste, se është një festë iliro-shqiptare, që ka të bëjë me kulturën e lashtë dhe parahomerike të popullit tonë etj.
Megjithatë, kemi të drejtë të pohojmë me krenari se festimi i Ditës së Verës si pjesë e kulturës sonë shpirtërore, ka zënë vend si guri i qoshit në kujtesën qytetare elbasanase dhe i ka mbijetuar shkulmeve haxhiqamiliste të çdo kohe. Po kështu, duhet theksuar se kjo festë nuk është e “importuar” nga Orienti siç rreket ndonjë të na mbushë mendjen. Të paktën turqit nuk e kanë festuar dhe as nuk e festojnë këtë ditë, e nëse ka popuj të tjerë në botë që e festojnë atë, shpjegimi duhet kërkuar tjetërkund.
Ndoshta disa ngatërrojnë festën tonë të Ditës së Verës me Nev-Ruz që do të thotë Dita e Re e që festohet më datë 22 mars të çdo viti nga bektashinjtë të cilët e kanë prejardhjen nga krahina e Horasanit në Iran. Siç dihet persët e lashtë ishin njohës shumë të mirë të astronomisë dhe data e mësipërme i referohet ekuinoksit pranveror pas të cilit ditët fillojnë e bëhen më të gjata se nata. Por, nëse festa jonë rajonale, Dita e Verës, do të ishte festë e bektashinjve, atëhere si ka mundësi që banorët e rajoneve të tjera të vendit tonë e veçanërisht nga Berati deri në Tepelenë ku ndodhen me shumicë bektashinjtë nuk e njohin fare këtë ditë? Për të kundërshtuar deri në fund pretendimet mbi origjinën persiano-islame të Ditës së Verës do të shtojmë edhe faktin se çuditërisht Dita e Verës festohet në të njëjtën ditë, pra më 14 mars, por me rite të veçanta edhe nga banorët e zonës së Shpatit në malësinë jugore të Elbasanit të cilët i përkasin besimit orthodhoks.
Por, ç’është pra, kjo ditë!?
Fatkeqsisht ne nuk kemi në dorë dokumentacion të nevojshëm pasi siç dihet që nga antikiteti deri në mesin e shekullit XX vendi ynë u bë pa dëshirën tonë rrugë-kalimi dhe fushë-betejash i keltëve, romakëve, barbarëve, normanëve, sllavëve, kryqtarëve, bizantinëve, osmanëve, austro-hugarezëve e më pas i italianëve e gjermanëve. Por, gjeniu popull na ka dhënë dëshmi të shumta nëpërmjet përrallave, gojëdhanave, këngëve, miteve, legjendave, toponimeve etj. Nga këto gojëdhana mësojmë se Dita e Verës i kushtohet perëndeshës iliro-pagane Zana dhe simbolizon rilindjen e jetës me ardhjen e pranverës luleshumë, begatinë, mirësinë, çeljen e gjethit të ri…pas dimrit të ashpër me cingërimë dhe erë të ftohtë. Është festë kolektive ku gëzojnë me hare të gjithë, pavarsisht moshës, besimit fetar, kamjes dhe pozitës shoqërore.
Dikur festa kishte ritet e veta dhe niste që në buzëmbrëmjen e një dite më parë kur nënat e gjyshet tona të urta dhe bujare sipas një kodi tradicional e duke mërmëritur në heshtje formula magjike e dogma, përgatisnin në enë bakri ëmbëlsirat tona tipike: ballokume dhe revani. Këto janë ëmbëlsira të thata e mund të merren lehtësisht me vete. Të nesërmen në mëngjes të rriturit vendosnin plisa dheu të feskët nëpër parvazet e dritareve apo dyerve, djemtë e vegjël shkëmbenin me të afërmit “hisen” e ëmbëlsirave gjatë ritit të të bërit “kamë” etj. Më pas fillonte rrugëtimi i qytetarëve grupe-grupe në vendet piktoreske të ngarkuar me bohçet e mbushura me ëmbëlsira, mish të pjekur shpendësh, arra, pala fiku, portokalla, vezë e misra të zier etj. Në lëndinat me bar dhe lule të sapoçelura mblidheshin së bashku familjet e çdo fisi të cilët pasi shtroheshin në shesh, hanin e pinin, këndonin, gëzonin, organizonin lojra popullore etj. Siç shihet, karakteristikë e kësaj feste është se ajo festohet vetëm në vende të hapura në natyrë, çka përputhet me panteizmin pagan ilir që adhuronte vetëm natyrën dhe fenomenet natyrore. Ndër vendet më të preferuara për këtë qëllim ishin Rrapi i Mansit, Busheku, Kroi i Kalit, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Burimi i Ali Xhinsit, Burimi i Bangës, Tepja etj. Por, vendi më i pëlqyeshëm që i tërhiqte si magnet njerëzit ishte padyshim Rrapi i Mansit! Por, pse ndodhte kjo, çfarë i shtynte njerëzit që të drejtoheshin në mënyrë të pavetëdijshme atje, çfarë fsheh ky vend i mistershëm?

Që në krye të herës, ky vend idilik që ndodhet buzë një kodre në anën lindore të qytetit të Elbasanit njihej dhe thirrej nga vendasit me emrin: Ledhja e Madhe, duke iu referuar një grumbulli rrënojash antike që ndodheshin atje e me famë të madhe dikur. Siç dimë nga historia, pas pushtimit romak dhe gjatë ndërtimit të udhës tokësore Egnatia prej tyre, ata ngritën shumë mansio (stacione) përgjatë kësaj rruge që shërbenin si vend çlodhje për karvanet etj. Një mansio i tillë u ngrit edhe këtu ku ishte Ledhja e Madhe. (Prej këtij “mansio” dhe drurit të një rrapi të madh që ka mbirë aty, lindi toponimi i ri që përdoret ende sot: Rrapi i Mansit. (Po kështu, edhe përroi që gjarpëron aty pranë quhet Manasdere).
Në segmentin rrugor nga Elbasani deri në vendin e quajtur Ura e Haxhi Beqarit në fshatin Mirakë, prej ku Egnatia shkëputet nga bregu i djathtë i Shkumbinit për të vijuar në malet e Polisit, një nga këta stacione u emërtua prej romakëve me emrin Add Dianam Candaviensis (Diana) i cili mendohet se është varianti latin identik i Zanës ilire. Ka të ngjarë që mansio Diana të jetë ngritur pikërisht në vendin ku më parë duhet të ketë qenë tempulli hijerëndë i Zanës ilire (Ledhja e Madhe!), të cilët më pas bashkë me kështjellën e Skampës (Elbasanit) u shkatërruan në vitin 479 e.s. prej duhisë së barbarëve gjermanikë të udhëhequr nga Theodoriku në fillimet e Mesjetës, të cilët pasi shkatërruan Romën më herët në vitin 476 e.s. i ranë Ballkanit tej e tej duke e djegur dhe plaçkitur.
Semantika e fjalës Zana e cila në gjuhësi i përket gjinisë femërore, nënkupton funksionin natyror të pjellorisë e ripërtëritëse të jetës çka është në përputhje të plotë me vetë motivin e festës.
Shekuj më vonë, dhe pikërisht në vitin 1802 mbi gërmadhat e Ledhes së Madhe ilire që u shndërrua në mansio prej romakëve, u ndërtua Teqeja e Madhe e Bektashinjve ose Teqja e Fakri e Xhefai Babait. Mbiemrin cilësues maxhoritiv “E Madhe”, teqeja në fjalë e trashëgoi nga toponimi fillestar (Ledhja e Madhe), sepse nuk ka asnjë arsye që kjo teqe të quhet e madhe, ajo nuk ka përmasa shumë të mëdha, është e vetme aty dhe nuk është e shoqëruar me teqe të tjera apo teqe më të vogla. Nga historia dimë se me pushtimin osman të territoreve të Ballkanit, nga Lindja vërshuan edhe dhjetra urdhëra fetarë mistiko-sufistë të Islamit heterodoks. Karakteristikë e këtyre sekteve, ku bëjnë pjesë edhe bektashinjtë, ishte qartësisht preferenca për ngritjen e objekteve të tyre të kultit shpesh në vendet ku dikur shkëlqenin me plot madhështi tempujt e ilirëve paganë. Për të përforcuar këtë fakt kujtojmë se ky sekt u ngul edhe në Orakullin (e Dodonës!) e malit Tomorr. Që në lashtësi Homeri e cilësonte malin në fjalë me gojën e Akilit si “fron të Zeusit pellazgjik”. Ngritjen e teqeve bektashiane në vende të shenjta pagane e vëren edhe studiuesi amerikan bashkëkohor S.J. Shaw i cili shkruan: “…Shpesh vendet e praktikave të këtilla (bektashinjve-shën.im) ndërtoheshin në kulte të mëherëshme jomyslimane…… praktikat e adhurimit ndaj tyre (themeluesve të urdhërave) shpesh zhvilloheshin në mënyrë të atillë që diferencat ndërmjet adhurimeve të shenjtëve paganë dhe jomyslimanë nuk kishin ndryshime të mëdha …”.(Hist. Perandorisë Osmane…, Vol.I, fq. 191). Në vazhdim të këtij shpjegimi mund të përmendim edhe një rast tjetër, atë që sot quhet Vendi i Mirë në Krastë. Ky vend, sipas gojëdhanave ka qenë në lashtësi Orakulli i Fatit të Mirë dhe ndodhet përkarshi Rrapit të Mansit, mu në shpatin verior të kodrës së Krastës e në një reliev shumë të thyer. Njerëzia shkojnë ende atje të yshtur nga supersticionet e lashta e luten me qëllim që të ndjellin fatin për lidhje bashkëshortore të djemve apo vajzave të tyre të pamartuar ende. Mirëpo, termi “Vend i Mirë” që mori më pas, është term tipik i vend-adhurimeve që praktikojnë këta urdhëra sufistë, ndonëse aty deri më tash nuk është ndërtuar ndonjë objekt kulti i tyre. Në fakt, poshtë në këmbët e Krastës dhe afër këtij orakulli ka pas ekzistuar një “vend i mirë” që quhej Tyrbja e Shutrit, por nuk dihet se çfarë lidhje mund të ketë pasur midis tyre.
Pra, si përfundim mund të themi se ka shumë gjasa që nën themelet e Teqesë së Madhe të Bektashinjve në Elbasan, vend i cili njihej dikur edhe me emrin Ledhja e Madhe, apo sot me emrin Rrapi i Mansit, të gjenden gjurmët e hershme të Tempullit të Perëndeshës ilire Zana dhe për rrjedhojë aty mund të fshihen gjurmë të vlefshme historike të vazhdimësisë iliro-shqiptare, të kulturës së lashtë të kësaj treve. Mbetet të hulumtohet se kur u vendos data 14 mars për festimin e kësaj dite, pasi festa e Ditës së Verës është shumë më e vjetër se kalendari Gregorian që ne përdorim sot.
Teqja e Madhe (Teqja e Fakri e Xhefai Babait) dhe Rrapi i mansit




venerdì 17 febbraio 2017

Ditë festimesh dhe reflektimesh

Nëntë vjetori i pavarësisë së Kosovës

Shkruan: Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Si sot nente vjet me pare, me 18 shkurt 2008 u shpall pavaresia e Kosoves. Kjo date do mbetet perjete ne kujtesen e mbare popullit shqiptare si nje hap tjeter i avancuar, mbas atij te shpalljes se pavaresise te Shqiperise ne nentor 1912, drejt realizimit te projektit te Rilindjes Kombetare Shqiptare.

Dite festimesh...

Ne Kosove, Shqiperi, Maqedoni, Mal te Zi, Presheve, ne mbare diasporen e vjeter dhe emigracionin e ri rreth 15 milione shqiptare sot festojne me legjitimitet dhe krenari per Kosoven e pavarur.

Ne kete dite historike kombetare mirenjohja me e thelle shkon per popullin martir te Kosoves qe per me shume se 100 vjet u perball me regjimin kolonial Serb, pa u dorezuar dhe pa hequr dore asnjehere per arritjen e lirise dhe pavaresise.
Ne menyre te vecante nderimi me i larte shkon per ata qe dhane jeten me pushke e pene, me dije dhe sakrifica sublime. Kujtimi i tyre do ndricoje nder shekuj rrugen e Shqiptareve per aspiratat legjitime Kombetare.

Ne kete dite, mbare Shqiptaret nderojne dhe u shprehin mirenjohje te thelle Aleateve te Medhenj Perendimore, ShBA, NATO, BE per mbeshtetjen maksimale per arritjen e Kosoves se pavarur.

Kjo dite eshte jo vetem mirenjohje per Aleatet e medhenj te lartpermendur, por edhe zotim per nje miqesi te perjeteshme te Kosoves e popullit te saj me ShBA, NATO dhe BE.
Arritjet e Kosoves ne keto nente vjet jane te pamohueshme nga askush brenda dhe jashte saj. Me arritjet e saj te ketyre nente viteve, Kosova deshmon se pavaresia e saj ka qene dhe mbetet plotesisht e merituar. Kosov tregon cdo dite se eshte modeli nje shteti demokratik te sukseshem. Rruga e saj mbetet e pakthyeshme.

Dite reflektimesh...

17 shkurti eshte edhe dite reflektimesh serioze per Kosoven dhe Shtetin e saj. Natyrisht ne dite festash nuk ka vend per analiza te thella. Por, padyshim ka vend per refleksione serioze qe pervjetoret e ardhshem ta gjejne Kosoven me te realizuar dhe popullin e saj me te lumtur.
1.Te ruhet uniteti politik
Uniteti politik ka qene guri i themelit ne keshtjellen e Kosoves se pavarur. Ky gure themeltare lypet te ruhet i pacenuar me cdo cmim dhe sakrifice. Uniteti nuk ruhet pa dedikimin e te gjithe aktoreve dhe faktoreve te shoqerise Kosovare. Uniteti nuk ruhet me protagonizma dhe diferencime. Uniteti ruhet me gjitheperfshirje, me respekt per kontributin e te gjitheve, me tolerance, mirekuptim dhe perkushtim per qytetaret e Kosoves dhe per Aleatet e tyre kudo ne bote.
2. Te ruhet kohezioni social
Kosova perbehet nga nje shoqeri demokratike dhe multietnike. Kjo shoqeri ka nevoje te investohet vazhdimisht per ruajtjen e kohezionit te saj social dhe multietnik. Kohezioni social dhe multietnik eshte deshmuar i suksesshem deri tani. Por, kjo arritje madhore kercenohet nga projekte te rrezikshme sic eshte asociacioni i komunave me shumice Serbe. Ky kercenim lypet te menjanohet me durim dhe mencuri, me profesionalitet dhe diplomaci.
3. Te arrihet zhvillim i qendrueshem ekonomik
Kosova, pavaresia, uniteti politik dhe kohezioni social e multietnik i saj kane nevoje per arritjen e nje zhvillimi te qendrueshem ekonomik. Kjo sfide eshte serioze ne nje kohe dhe mjedis krizash ekonomiko-financiare ne mbare eurozonen ku ben pjese edhe ekonomia Kosovare. Kosova ka nevoje per me shume ekonomi dhe me pak politike.
4. Te forcohet shteti ligjor
Themelet e Kosoves se pavarur ngrihen mbi shtetin ligjor, qeverine e vogel, lirine dhe te drejtat e njeriut dhe ekonomine e tregut te lire. Keto baza juridike kerkojne respekt per kushtetuten dhe ligjin, per forcimin e institucioneve demokratike, per rritjen e kapaciteteve administrative ligje-zbatuese dhe me prioritet forcimin e pavaresise, integritetit dhe profesionalitetit te sistemit te drejtesise.
5. Politike te jashtme dhe diplomaci me efikatese
Kosova e pavarur eshte njohur nga tre Fuqi te Medha dhe 110 shtete antare te OKB. Gjithashtu, Kosova ka progresuar ne politiken me fqinjet, ka hedhur hapa te mencur ne rrugen e normalizimit te marredhenieve me Serbine, ka shenuar perparime drejt integrimit rajonal dhe Europian.
Por, gjithsesi hyrja e Kosoves plotesisht ne sistemin dhe ne marredheniet nderkombetare ngelet nje sfide e veshtire afatgjate. Perballja me kete sfide lype nje politike te jashtme te bazuar ne nje strategji me te qarte dhe afatgjate, kerkon prioritete me te percaktuara dhe ne dinamike, nje diplomaci me proaktive dhe profesionale.

Epilogu
Si sot nëntë vjet më parë Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe multietnik. Arritjet e deritanishme e bëjne Kosovën projekt të suksesshëm, në një rrugë të drejtë e të parikthyeshme.
.

lunedì 6 febbraio 2017

Rrjetet sociale dhe Gjuha shqipe (me) pa gabime


Rrjetet sociale dhe Gjuha shqipe (me) pa gabime

“Kultura e gjuhës është e domosdoshme për çdo shkrimtar, për çdo gazetar, për çdo intelektual, për çdo njeri. Ai që nderon gjuhën, nderon atdheun. Përpikëria, qartësia, thjeshtësia dhe koloriti i gjuhës janë aq të nevojshme për çdo shkrimtar sa gjithë veglat e punës për punëtorin.” – Dritëro Agolli

Shkruan: Xhemi Hajredini – Administrator i grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”

Rrjetet sociale, kultura e gjuhës, kujdesi për të shkruar gjuhën shqipe pa gabime kanë qenë dhe janë çështje që janë diskutuar dhe diskutohen vazhdimisht. Janë hartuar vepra normative që kanë rregulluar drejtshkrimin dhe kulturën e gjuhës, që ne pasardhësit e veprimtarëve të Rilindjes kombëtare ta ruajmë pastërtinë e e gjuhës. Niveli kulturor i një individi tregohet nëpërmjet pastërtisë së gjuhës.
Problemet teorike dhe praktike vazhdojnë të jenë të pranishme dhe jo vetëm në rrjetet sociale. Gjuha shqipe sot është gjuhë e shumë grupeve virtuale, portaleve, gazetave, forumeve dhe blogeve në internet. Varietete me bollëk. Shkruajnë tutkunët e kalemxhinjtë mediokër. Stabilizimi i urave të komunikimit dhe zhvillimi i mendimit me kulturë gjuhësore është vështirësuar edhe përkundër mundësive të shumta teknologjike.
Megjithatë, nuk duhet hedhur shumë baltë e vrer rrjeteve sociale. Pse duhet përlloçur çdo gjë, me dhe pa të drejtë?! Edhe rrjetet sociale janë ura komunikimi, instrumente nëpërmjet të cilave ndajmë mendime, porosi dhe shoqëri me më shumë individë. Po të flasim për etikën e komunikimit, atëhere kemi të bëjmë me një temë tjetër.
Fejsbuku (facebook), për shembull, është një rrjet shqoqëror me mbi një miliard e gjysmë përdorues aktivë që sot mund të cilësohet si kryefjala e ditës për çdo njeri. Përdoret si një rrethanor në të cilin gjithsecili prej nesh kalon një pjesë të mirë të kohës, një mënyrë informacioni apo edhe vend reklamimi i vetes apo dhe i punës tënde, një vend ku shprehen ndjenjat dhe veprimet e së përditshmes, një vend ku takon dhe ndahesh me miq. FB, në një farë mënyre, është bërë një pjesë e pandashme e secilit prej nesh. Për shumë prej nesh FB mund të jetë një vend ku mund të marrësh dhe të japësh dije dhe njohuri në fusha të ndryshme të jetës, ku secili prej nesh, nëpërmjet grupeve të ndryshme që funksionojnë këtu, mund të bëhet pjesë me ato që di dhe të kërkojë shpjegim.

Alma Pire, një përdoruese e rrjeteve sociale, me profesion mësimdhënëse e gjuhës shqipe në një shkollë fillore, rrethi i Elbasanit, thotë se nga disa grupe, bloge dhe forume në FB, mund të përsosësh kulturën e komunikimit. Ngrihen probleme të ndryshme gjuhësore, trajtesa mbi gjuhën që nga zanafillat e saj më të hershme, e deri tek problemet më të mëdha, grupe që kërkojnë gabimet që nga fonemat e deri te tekstet shkollore. Një grup i tillë, me këtë tendencë pozitive, është edhe “Gjuha shqipe pa gabime”, me rreth 23 mijë anëtarë. Këto grupe në fejsbuk u vijnë në ndihmë edhe mërgimtarëve të cilët i djeg malli i mëmëdheut, i gjuhës shqipe, i dëshirës për t’u shprehur shqip. Grupet hartojnë rregullore duke kërkuar një komunikim të pastër dhe të bukur shqip. Janë të përhapur e zgjeruar në tërë kufijtë gjeografikë ku ka shqiptarë. Rrihen (trajtohen) dialektet, të folurat kalimtare të zonave të ndryshme, drejtshkrimi e drejtshqiptimi, njësitë frazeologjike dhe proverbat, thëniet e urta, termat e rinj, huazimet, turqizmat e barbarizmat. Këto grupe në rrjetet sociale, që kaq shumë i shajmë, nuk njohin moshë, të gjithë kërkojnë të kuvendojnë e të mësojnë, kërkojnë mënyra të tjera për t’i përsosur njohuritë, ku çdo anëtar nuk ka orar për të qëndruar pranë dijes, ku dialektet e gjuhës shqipe kanë peshën e tyre dhe standardi është kryefjalë e pazëvendësueshme.

Blerim Jashari, një aktivist i shoqërisë civile, nga qyteti i Tetovës, shpreh shqetësimin e tij se aktualisht të rinjtë harxhojnë shumë kohë në fejsbuk dhe rrjetet të tjera sociale. “Nuk e përjashtoj mundësinë që po në këto rrjete edhe mund të mësosh shumë por duhet patur kujdes në përzgjedhje. Janë disa grupe që na japin mundësinë dhe na mësojnë vërtet gjuhën tonë të bukur, si ta ruajmë, si ta kultivojmë e ta shkruajmë pa gabime. Gjithashtu, rrjetet sociale per mua, janë një mundesi më shumë për t’u njohur me njerëz të ndryshëm që jetojnë gjithandej globit.

Lejla Gorishti, një njohëse e mirë e gjuhës shqipe, nga qyteti i Vlorës, thotë se fejsbuku vërtet të ha shumë kohë, është e vërtetë që ka grupe qe nuk kanë pikë vlere, se nuk ke çfarë të përfitosh, por bie fjala grupi “Gjuha Shqipe pa gabime” kryen një veprimtari me vlera të çmuara. Këtu mësohen rregullat e drejtshkrimit. Është një kurs pa para. Shumë persona, nga çdo cep i botes, më shkruajnë e falënderojnë se ky grup po na ndihmon shumë për gjuhën. Edhe unë vet kam mësuar shumë nga grupi për përdorimin ose kuptimin e disa fjalëve sipas krahinave të ndryshme. Duke u nisur nga thënia e Holger Pedersen: “Gjuha shqipe është i vetmi mjet i ndriçimit dhe i përparimit moral. Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”, unë them se këtë vlerë e jep vetëm ky grup. Prandaj jo çdo gjë e fejsbukut është humbje kohe. Ai që mendon kështu le të shkojë e të kërkojë mundësi të tjera për t’u formuar si nga ana gjuhësore ashtu edhe nga ajo kulturore.

Frida Bushati, një vajzë e re nga Shkodra, ndër të tjera thotë: “Për mendimin tim, rrjetet sociale sot po “vuajnë” një paragjykim masiv. Përpos çdo aspekti negativ që mund të shihen (dhe që nuk mohoj se janë të vërteta, edhe pse nuk duhet përgjithësuar asgjë), rrjetet sociale kanë shumë anë pozitive: së pari, të japin mundësinë e komunikimit me shumë njerëz, njëkohësisht edhe të ndash mendimet me ta, qofshin të njohur apo të panjohur. Së dyti, të krijojnë hapësira për informim të gjerë, të cilin shpesh nuk mund ta marrësh në media. Së treti, mundësitë për të përvetësuar gjëra të reja (nëpërmjet grupeve që krijohen për këtë qëllim) janë të mëdha, mjafton të dish si t’i shfrytëzosh. Çdo gjë varet nga qëllimi i individit. Nëse ai niset për t’i përdorur rrjetet sociale për arsye, le t’i quajmë “banale”, atëherë e arrin. Por ama, nëse niset për t’i shfrytëzuar për qëllime të dijes apo informacionit, rrjetet sociale janë një mundësi për t’u marrë parasysh.”

Stefan Paloka, gjuhëtar nga qyteti i Lezhës, thotë se pakkush do ta kishte menduar se një grup si “Gjuha Shqipe pa gabime”, një grup i krijuar prej dy vjetësh do të mbërrinte brenda një periudhe kaq të shkurtër nivele të tilla sasiore dhe cilësore. Ishte emri i grupit ai që mblodhi rreth vetes dashuruesit e gjuhës sonë të perëndishme? A mos vallë ishte ky emër shkëndija që ndezi një zjarr kaq të madh në të cilin u shkrinë zemrat e mbi 22.000 shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të trojeve tona etnike?
Rëndësi ka që ne kemi arritur të fshijmë kufij gjeografikë, dialektorë e politikë dhe po shkruajmë një faqe të shkëlqyer të historisë së gjuhës sonë, të cilën as në ëndërr nuk kisha guxuar ta shihja! Para krijimit të këtij grupi mendoja se shqipja kishte marrë një të tatëpjetë që zor se po e vërente tjetërkush përveç meje dhe isha krejt i pashpresë për të ardhmen e gjuhës sonë të moçme sa vetë Evropa. U desh ky grup dhe kontributet e paçmueshme të anëtarëve të tij që shpirti im të këndellej sërish nga një dritë gëzimi dhe optimizmi të patreguar se ditë më të mira i presin shqipen dhe shqiptarët." Sipas z.Paloka, të promovosh një gjuhë të vogël përballë sfidave që sjell globalizmi dhe përfshirja në botën e lirë kërkon durim, punë dhe lënie mënjanë inatet e vockla, sedrën e sëmurë dhe meskinitetin provincial. Gjërat e bukura që krijohen me mund e djersë nuk duhet të shkatërrohen e shkërmoqen sa hap e mbyll sytë.

Bashkim Tërstena, profesor i gjuhës angleze, nga Ferizaji, shprehet: “Gjatë komunikimit dhe bashkëpunimit virtual njerëzit nuk transmetojnë emocione, prandaj, edhe shumë herë ndodh që të ketë keqkuptime, mosmarrëveshje, gjykime dhe vlerësime të gabuara. Gjuha si mjet i komunikimit, përmes komunikimit dhe bashkëpunimit virtual nuk përmban ngjyra emocionale, por është thjesht bardhë e zi, prandaj, duke marrë për bazë këtë aspekt shumë të rëndësishëm, të gjithë njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm se si i përgjigjen një kritike, vlerësimi, përmirësimi, sugjerimi, qortimi, i cili mund të jetë real, ironik, satirik, i drejtpërdrejtë, ngacmues, etj.
       Kam vrejtur se gjatë komenteve, shpeshherë ndodhin debate pikërisht për këtë mungesë emocioni të bashkëpunimit përmes virtualitetit, ndaj vëmendja në vështrimin më të thellë dhe më të kujdesshëm në atë që lexojmë mund të jetë i vetmi laborator i kuptimit dhe nënkuptimit të mundshëm të fjalës dhe fjalive.”

Pra edhe bashkësitë digjitale luajnë një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të njerëzve. Edhe rrjetet sociale, si ura komunikimi, përcjellin emocione. Edhe fejsbuku shpalos kulturën dhe etikën tonë të komunikimit. Nuk tregohen muskujt në rrjetet sociale, por edukata dhe kultura e komunikimit! Mos u frikësoni nga gjestet e mirësjelljes, paçka se të tjerët (të paedukuarit) ua marrin si shenjë dobësie.
Të gjithë besoj se e kanë mundësinë e blerjes së një fjalori, apo të shkarkimit të atij elektronik, secili prej nesh mund të blejë një Gramatikë të gjuhës shqipe apo një Fjalor të Drejtshkrimit, por duke lexuar këta libra nuk mund t’u gjesh përgjigje pyetjeve që të dalin, nuk arrin dot të rrahësh mendime, nuk i gjen përgjigje shumë “pse-ve”. Ndërkohë që ky grup virtual është si një familje e madhe, e ndarë në breza sipas moshës, në ide sipas praktikave, në gjykime sipas përvojave, në arsyetime sipas profesioneve dhe në vendimmarrje sipas zotësive. Ky grup është zhvillim, aty njeh miqësi, gjen mbështetje, kërkon zgjidhje, pranon sfida, pëlqen modernitetin. Dija nuk njeh moshë, i eturi për dije nuk e sheh kohën, zhvillimi do rrahje mendimesh. Në këtë grup ka zgjedhje dhe zgjidhje!