venerdì 27 settembre 2019

Toponimia vendëse


STRUGA DHE VENDBANIMET E SAJ

Shkruan Prof. Xhemi Hajredini

Strugë, 27 shtator 2019
Xhemi Hajredini
Studimi i toponimisë, një fushë aspak e lehtë. Që t’i emërtosh vendet, qytetet, fshatrat, lumenjtë, malet, luginat etj., duhet ta njohësh aspektin historik, argumentet e popullatës vendëse, të folmet e vendbanimeve dhe sigurisht njohjen dhe zbatimin e rregullave të drejtshkrimit të shqipes standarde. Sadoqë dikujt mund t’i duken rregullat shumë të ngurta por pa rregulla situata mund të koklavitet edhe më shumë.
Çështjen e emërtimeve të vendbanimeve në rrethin e Strugës e kemi biseduar këto ditë me disa miq që merren me shkrime e që herë-herë tregohen të lëkundur dhe të pavendosur nëse një emër vendi shkruhet në këtë trajtë apo në një trajtë tjetër. Është kjo trajta e rregullt për këtë emër katundi apo jo?!
Nuk dua të tregohem guximmadh dhe të trajtojë gjithçka, me të gjitha hollësirat. Po marr në shqyrtim vetëm emërtimet e vendbanimeve të qytetit të Strugës. Si duhet t’i shqiptojmë dhe t’i shkruajmë ato?
Fjala “strugë” sipas fjalorit të gjuhës shqipe do të thotë mbulesë e leshtë që hidhej krahëve si rrobë ose që përdorej si shtrojë. Shpjegimi tjetër e përshkruan si vend me ujë; vend i ulët, si gropë, që mban ujë edhe gjatë verës, vijë uji. Në shkrime të ndryshme e kemi hasur se emërtimi strugë vjen nga fjala shtrungë, shteg i ngushtë afër derës së vathës ku kalojnë dhentë a dhitë kur i mjelim; vend i rrethuar brenda vathës për bagëtitë që do të milen; vathë, i futi dhentë në shtrungë. Shtrungë (shtrunga) është gjithashtu shteg për të kthyer ujin në arë, vedër, mjelcë. Sa e bukur fjala mjelcë, enë ku mjelim bagëtinë.
Por sipas disa miqëve që etimologjinë e fjalës e kanë pasion, thuhet se fjala strugë vjen nga “STRUG", G:K jep "STRUK". "STRUK" është një qytetërim i hershëm i mbledhur brenda mureve. Në rastin konkret bëhet fjalë për një vendbanim të rrafshët, në breg të lumit e liqenit. Vendbanim i strukt/strukët - vendbanim i mbledhur.
          Le të fillojmë me emërtimet e vendbanimeve sipas rregullave të drejtshkrimit:

       1.   Strugë – emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Struga. Banorët e qytetit të Strugës quhen: strugan,ë; strugane. Psh. Unë jam strugan. Ju strugane jeni? Po, të gjithë struganë jemi.

(Struga - Foto nga Amer Demishi)

2.   Vreshtat – lagje e qytetit të Strugës. Siç e dimë fjala vresht është e gjinisë mashkullore, vresht,i por në shumës bën vreshta(t). Emërtimi i është vënë nga banorët e lagjes dhe qytetit pasi që më parë ky vend ka qenë i mbushur plot me vreshta. Pra fjala vresht është emër i dygjinishëm, në njëjës emër i gjinisë mashkullore e në shumës gj. femërore, vreshta (t). Vresht,i; vreshtar,e, vreshtarë, vreshta,t.

3.  Ladorisht – emër i gjinisë mashkullore, në trajtën e shquar Ladorishti. Banorët e këtij fshati quhen ladorishtar, ladorishtare (ladorishtarë).

4.   Labunisht – Labunishti (m.)
Emërtimin e saktë për Labunishtin o nuk duan ta mësojnë o ashtu u do qejfi. Është emër i gjinisë mashkullore dhe në trajtën e shquar bën Labunishti. Toponimet janë përmendore të kujtesës njerzore. Baza e fjalës/emrit Labunisht është lab,i. (m.) Pse, qysh, tek në ndonjë rast tjetër. Vendësit quhen labunishtarë (labunishtar, e). Jo Llabunishta, Llabunishtës po Labunisht, Labunishtit, nga Labunishti etj. Ashtu sikur toponimi Ladorisht,i.
5. Veleshtë – emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Veleshta. Veleshtar, veleshtare, veleshtarë.
6.   Ermëz,i është emërtimi i vjetër i fshatit Mali Vllaj. Mali Vllaj – Mali Vllaji. Si Ermëzi ashtu edhe Mali Vllaji janë emra të gjinisë mashkullore.
7.  Teferiç – gj. mashkullore, në trajtën e shquar Teferiçi. Fshat apo lagje e Strugës.
8.   Një fshat i moçëm i Strugës është Toska. Aktualisht pa banorë. Toponimi Toska është emërtim nga trajta e pashquar Tosk. Tosk/ë, a.
9.   Fierishtë (vend me fier) – emër i gjinisë femërore, trajta e shquar Fierishta. Fierishta ndodhet mes Ladorishtit dhe Frëngovës.  
10. Frëngovë, emër i gjinisë femërore, në trajtën e shquar Frëngova. Frëngovar,e. Frëngovarët janë punëtorë të vyer.
Le t’i përmendim shkurt, disa vendbanime më të vogla, në trajtën e shquar dhe të pashquar.
11.     Pohum – Pohumi (m.)
12.     Drenok – Drenoku (m.)
13.     Lukovë – Lukova (f.)
14.     Modriç – Modriçi (m.) Fshat pa banorë.
15.     Shum – Shumi (m.)
16.     Zagraçan – Zagraçani (m.)
Për më shumë rreth vendbanimeve Shum dhe Zagraçan, etimologjisë së emrave të këtyre dy vendbanimeve të Komunës së Strugës, lexoni veprën e Islam Baftiarit.
17.     Jablanicë – Jablanica (f.)
18.     Bezovë – Bezova (f.)
19.     Bixhovë – Bixhova (f.)
20.     Bogovicë – Bogovica (f.) Bogovica është një fshat malor.
21.     Borovec – Boroveci (m,)
22.     Bërçevë – Bërçeva (f.)
23.     Vishnjë – Vishnja (f.) Fshati Vishnjë... Vishnja është një fshat...
24.     Piskupshtinë – Piskupshtina (f.)
25.     Nerez – Nerezi (m.)
26.     Lakavicë – Lakavica (f.) Fshat pa banorë.
27.     Vranisht – Vranishti (f.) Në version zyrtar është Vranishtë, a.
28.     Draslajcë – Draslajca (f.)
29.     Zbazhd – Zbazhdi (m.)
30.  Kalisht – Kalishti (m.) Është emër i gjinisë mashkullore, ashtu sikur Bilisht, Bilishti. Kalisht, kalishtar,e. Në të gjitha dokumentet e gjetura deri më tani, emërtimi korrekt i këtij katundi është Kalisht,i.
31.      Lozhan – Lozhani (m.)
32.      Misleshovë – Misleshova (f.)
33.  Morovishtë/Moroishtë – Morivishta (f.) Siç e shikoni emërtimi i këtij vendbanimi është i dyllojshëm dhe na shfaqet në të dyja trajtat si Mosrovishtë ashtu edhe Moroishtë. Për mendimin tim duhet të mbetet vetëm versioni i parë Morovishtë – Morovishta.
34.      Selcë – Selca (f.)
35.      Burinec – Burineci (m.)
36.      Tashmarunishtë – Tashmarunishta (f.)
37.      Prisovjan – Prisovjani (m.)
38.      Globoçicë – Globoçica (f.)
39.      Radozhdë – Radozhda (f.)
40.      Dobovjan – Dobovjani (m.)
41.      Oktis – Oktisi (m.)
42.      Novoselë – Novosela (f.) Popullsia vendëse e shqipton Novosellë,a.
43.      Zhepin – Zhepin (m.)
44.   Tatesh, i (m.) Në rrethin e Strugës kemi dy vendbanime me emrin Tatesh. Njëri është Tatesh i Epërm(m.) e tjetri Tatesh i Poshtëm(m.). Vendësit e të dy vendbanimeve quhen tatesharë (tateshar,e).
45.      Ngjashëm e kemi edhe rastin me dy vendbanimet të tjera që emrin bazë e kanë Belicë, a (f.). Belica e Poshtme(f.) dhe Belica e Epërme(f.). Belicarët janë të përzier, toskë e gegë si kokrrat në një shegë. 
46.      Dollogozhdë – Dollogozhda (f.)
47.    Koroshisht – Koroshishti (m.) E di se tek emërtimi i këtij fshati do të ketë hamendje, ashtu sikur për Kalishtin, Podgorcin, Livadhinë apo edhe për emërtimin e f.Vranisht(i). Për mendimin tim, Koroshisht (i) – është emërvend i gjinisë mashkullore. 
48.  Livadh/i (m.) – Livadhia (f.). Ky toponim duhet të trajtohet më hollësisht. Vendësit i thonë dhe e shkruajnë Livadhi, a. Drejtshkrimi sikur nuk e gjen veten mirë në këtë toponim. Ashtu siç theksova edhe më sipër se aspekti historik luan një rol të rëndësishëm. Duhet të respektohet qëndrimi dhe gjuha e vendësve.
49.  Mislodezhdë – Mislodezhda (f.) Haset edhe trajta me ll, Misllodezhdë, a. Duhet me l.
50.  Podgorc – Podgorci (m). Edhe për këtë emërtim do të ketë mospajtim dhe kundërshtim. E mbështesin versionin e dytë, Podgorcë, a (f.). Ndoshta duhet të konsultohen institucionet përkatëse me dokumente historike. Podgorc - Podgorci si Pogradec – Pogradeci.  
51.  Qafë Thanë –  Qafë Thana (f.), pika kufitare (doganore) mes Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut, 15 km larg qytetit të Strugës.

Uroj të kem dhënë një ndihmesë për të gjithë ata që shkruajnë, për personat publikë, për mësimdhënësit dhe të gjithë të interesuarit mbi emërtimet korrekte të vendbanimeve të rrethit të Strugës. Sigurisht që jam i hapur për të pranuar sugjerime dhe argumente të tjera që mund të vërtetojnë një version ndryshe nga ç’e kam thënë më sipër.  
Le të mos lejojmë që emrat e vendbanimeve, sidomos ato të gurrës së moçme, t’i shkruajmë gabim e aq më shumë të imitojmë të tjerët kur i kemi trajtat tona të drejta.



giovedì 26 settembre 2019

Të zotërosh një gjuhë të huaj është pasuri e vërtetë


Dita Evropiane e Gjuhëve

Strugë, 26 shtator 2019

Përgatiti Xhemi Hajredini - Drejtues i faqes "Gjuha shqipe pa gabime" 

Sot është 18 vjetori i Ditës Evropiane të Gjuhëve.
Që nga viti 2001 Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Komisionin Evropian e shpallën 26 shtatorin si një festë të gjuhëve me qëllim të respektimit të diversitetit kulturor dhe gjuhësor si dhe nxitjen e mësimit të gjuhëve të huaja nga secili dhe kudo.
Më shumë se kurrë gjuha dhe komunikimi përfaqësojnë aspekte qendrore të shoqërisë sonë. Mësimi i gjuhës ofron një mënyrë për të hapur mendjet tona ndaj perspektivave dhe kulturave të reja. Dita Evropiane e Gjuhëve është një mundësi për të festuar pasurinë gjuhësore që përfaqësohet nga 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
Kjo festë e gjuhëve është një kujtesë për përfitimet e shumta nga të mësuarit e gjuhëve, për zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave njohëse e rrëzimin e barrierave kulturore. Kjo festë u hap derën miqësive të reja dhe mundësive profesionale.
Një nga objektivat e përgjithshme të Ditës Evropiane të Gjuhëve është të inkurajojë të nxënit gjatë gjithë jetës, brenda dhe jashtë shkollës, për studime, nevoja profesionale, udhëtime për kënaqësi, shkëmbime miqësish etj.

Ne duhet të jemi të hapur me të tjerët, ta ushqejmë tolerancën dhe ta refuzojmë gjuhën e urrejtjes. Rruga drejt vlerave nënkupton edhe njohjen e më shumë se dy gjuhëve të huaja (së paku gjysma e popullsisë botërore janë dygjuhësh ose shumëgjuhësh). Çdo zë, pa marrë parasysh se në ç’gjuhë thuhet, duhet të respektohet. Këto janë vlerat e Këshillit të Evropës, organizata më e vjetër ndërqeveritare në kontinent, e cila feston 70 vjetorin e saj këtë vit.
Dygjuhësia dhe shumëgjuhësia sjellin avantazhe ekonomike si për shembull punët gjenden më lehtësisht nga ata që flasin gjuhë të huaja, kompanitë shumëgjuhëshe janë faktor konkurrues më të mirë se ato njëgjuhëshe.
Gjuhët janë të lidhura me njëra-tjetrën si anëtarët e një familjeje.
Si rezultat i fluksit të emigrantëve dhe refugjatëve, Evropa është bërë gjerësisht shumëgjuhëshe. Vetëm në Londër fliten rreth 300 gjuhë. 
Aktualisht në botë ka rreth 7000 gjuhë të folura nga 7.7 miliardë njerëz. Në Evropë, ndërkaq, ka 225 gjuhë, afërsisht 3% e totalit botëror.

















Por kujdes me gjuhët e huaja pa mësuar bukur gjuhën amtare!

Filip Shiroka ka thënë: “Ne kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qyteterohet me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet."
“Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës se tij"- Eqerem Çabej.
Ne duhet të jemi të lumtur sepse gjuha shqipe ka pasuri fjalësh, plot jetë e gjallëri, thotë Fishta, e nëpërmjet saj mund të përkthehen veprat e çdo kombi dhe të çdo kohe.
“Komunikimi duhet të jetë në themelin e arsimit gjuhësor.” 
“Të dish dhe të zotërosh një gjuhë të huaj është një pasuri e vërtetë.”  
Gjuha është e lidhur me komunikimin, ajo nuk është thjesht një ushtrim gramatikor, fjalor ose fjalim, por një grumbull mjeshtërish të njeriut, dëshira dhe motivacioni për të biseduar.

Këshilli i Europës shpreson se Dita Evropiane e Gjuhëve do të shënohet si nga autoritetet kombëtare në shtetet përkatëse ashtu edhe mes politikëbërësve (për
shembull masa të veçanta dhe diskutime mbi çështjet e politikave gjuhësore);
mes publikut të gjerë (rritje të ndërgjegjësimit për objektivat e përgjithshme të ditës, duke përfshirë rëndësinë e të nxënit gjatë gjithë jetës, që mund të fillosh të mësosh në çdo moshë, në mjedise shkollore, punë etj.); mes sektorit vullnetar (aksione të veçanta nga OJF, shoqata, kompani etj).

Një pjesë e informatave zyrtare janë marrë nga web faqja: 




giovedì 19 settembre 2019

Poezi... Me urtësi...


Me urtësi

Xhemi Hajredini















Kur dikujt i kullot hunda lart,
kur prishet mendsh e flet përçart,
kur turiderri të përmbyt me llafe,
ty një lëmsh të ngatërrohet për qafe.


Kur duhet duruar një bjerraditës,
që i kris mendja gjatë tërë ditës,
mos iu turr me vrull e furi,
merre shtruar, me takt e urtësi!


Kur diku s’ka mirënjohje e vlerësim,
mos humb kohë me pleqërim!
Me diplomaci e qetësi, ndërro faqe,
me të gjithë s’mund të lidhësh paqe.


Largohu diku tjetër për t’u sprovuar,
në një vend të gjithë, s’është e shkruar.
Nga të hardallosurit gjë mos prit,
ec rrugës drejt dhe shndrit!


Diku çmohet mendja, diku babëzia,
diku plandos skamja, diku pangopësia,
ti ndërro vend e kënd, me diplomaci,
gjithsecili në shtrofkën e tij.

© Xhemi Hajredini
Strugë, shtator 2019

lunedì 16 settembre 2019

Gjuha shqipe “linguam illiricam”…


Leibniz: "Gjuha e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam… mendoj se është e denjë  të studiohet"

16 shtator 2019

Enciklopedisti dhe filozofi gjerman nuk shprehu interes vetëm për gjuhën shqipe, sikurse njihet Lajbnici, por edhe për shqiptarët si popull dhe trevat e tyre.

Interesi për gjuhën shqipe

Në disa letra në periudhën 1704-1715 Gotfrid Vilhelm Leibniz (Lajbnici), ka shprehur disa mendime rreth diakronisë së gjuhës shqipe. Me shënimet e tij për prejardhjen e gjuhës shqipe, për përkimet dhe marrëdhëniet e saj me gjuhë të tjera indoeuropiane dhe njëkohësisht për mëvetësinë e saj nga gjuhët sllave apo greqishtja, ai nxiti në radhët e studiuesve debatin shkencor për origjinën e gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu, ai është edhe nismëtari i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe.

Populli dhe trevat e shqiptarëve

I pajisur me dije të mëdha enciklopedike shënimet për shqiptarët dhe trojet e tyre gjenden që në shkrimet relativisht të hershme të Lajbnicit. Por më pas shqiptarët do të zënë vend në shkrimet e tij politike me një synim të caktuar. Fjala është për Perandorinë Osmane dhe parandalimin e rrezikut prej turqve për Evropën dhe për mundësinë e përfshirjes së popullsive të krishtera, ndër të tjera edhe të shqiptarëve të krishterë, në luftë kundër Portës së Lartë. Pas këtij shkrimi në vitin 1672, ai merret më intensivisht me shqiptarët, gjatë një qëndrimi në Vjenë, në periudhën 1688-1689.

Mendimet mbi shqipen, Lajbnici i shprehu në letërkëmbimet e tij (1705 – 1715) me shkencëtarë, studiues e intelektualë të kohës – gjithsej 5 letra mbi shqipen (FESH). Ja si shkruante Lajbnic – ndër të parët, në mos i pari albanolog që e renditi shqipen në hartën e botës së studimieve gjuhësore:


“Sa për gjuhën e shqiptarëve, e njohur si Linguam Illiricam…mendoj se është e denjë të studiohet….Të dhënat që kam tregojnë se shqipja përmban shumë latinisht dhe pak gjermanisht. Dhe ky është mendimi im mbi disa fjalë shqipe: ‘hundë’ nga keltishtja e vjetër ka dhënë gjermanishten ‘wen’ – ‘qen’, kafshë që karakterizohet nga përdorimi i hundës ‘nose’ – ‘nuhatje’. Fjala ‘gjueti’, anglisht “hint” – ‘gjurmë’ – ‘shenjë’; gjermanisht ‘spuhr’, nga ‘kunde’ – ‘dije, njohje’. Fjala ‘krah’ lidhet me ‘krezzen, crabbe’ – ‘gaforre’ nga rrjedhin kthetër, zvarrë, rrafsh, zero. ‘Gaforrja’ mund të ketë lidhje edhe me ‘furkën, pirunin’. Fjala ‘burrë’ mund të jetë e lidhur me ‘brautigam’ ‘dhëndër’. Ndërsa fjalët shqipe për numrat nuk kanë asgjë që mund të rrjedhin nga gjuhët fqinje, por, duke ditur shumë gjuhë të tjera, studiuesi mund të jetë në gjendje të kuptojë shumë fjalë të shqipes; fjala ‘det’ nga Delt, dmth Thalassa, Thellësi, Perendia e Detit në mitologjinë greke. Është e qartë se reliket e ilirishtes janë ruajtur në gjuhët moderne, veçanërisht në atë të shqiptarëve”, – shkruan Leibniz, në “Opera Philologica”, përkthyer nga frengjishtja në anglisht, nga Robert Elsie.

Vlera e ideve të Lajbnicit qëndron edhe në faktin se, si shkencëtar serioz, ai tërhoqi vemendjen e shkencëtarëve të tjerë për t’u marë me studime në fushë të shqipes. Ky interesim i Lajbnicit mund të shpjegojë ndoshta edhe arsyen pse albanologjia ka tërhequr vazhdimisht shkencëtarë, gjuhëtarë e filologë ndër më të shquarit gjermanë e nga bota. Lajbnic shkroi kryesisht frëngjisht e latinisht, më pak në gjermanisht.
Shumica e shkrimeve të tij ndodhen ende të pa botuara dhe janë marrë në mbrojtje nga UNESKO. Në vitin 1985, qeveria gjermane krijoi çmimin “Leibniz”, duke ofruar një shpërblim vjetor prej 1 milionë e 550 mijë euro për rezultate praktike dhe 770 mijë euro për ato teorike në shkencë. Ky është çmimi më i lartë në botë, për arritjet shkencore.

Marrë nga Mekuli Press
Për blogun, përgatiti Xhemi Hajredini - adm. i grupit "Gjuha shqipe pa gabime"

mercoledì 28 agosto 2019

Gjuha e nënës

GJUHA SHQIPE DHE TË SHKRUARIT DREJT

Nga Xhelal Zejneli
Gjuha mësohet nga nëna. Prandaj i thonë: gjuhë e nënës apo gjuhë amtare. Në raste të caktuara, fëmija e mëson gjuhën amtare, jo nga e ëma por nga gjyshja apo nga anëtarët e tjerë të familjes. Pas kësaj, fëmijët e mësojnë gjuhën amtare nga mjedisi ku jetojnë. Me një fjalë, e mësojnë gjuhën popullore. Në vitet e fundit, fëmijët e mësojnë gjuhën shqipe dhe e përdorin atë edhe nëpër çerdhe apo kopshte fëmijësh. Në moshën 6-vjeçare apo 7-vjeçare, fëmijët, tanimë nxënës shkolle, shqipen e përdorin në shkollë. Në çerdhe dhe në shkollë fëmijët dhe nxënësit komunikojnë dhe flasin në gjuhën letrare. Njëherazi, shkolla është vendi apo institucioni në të cilin nxënësit e mësojnë shqipen sipas normave dhe rregullave të caktuara. Në shkollë, nxënësi edhe i zgjeron njohuritë për gjuhën amtare. Për ta mësuar shqipen ndihmon me të madhe edhe të lexuarit e veprave letrare artistike – e romaneve, e vëllimeve poetike, e krijimeve dramaturgjike, e eseve - të autorëve shqiptarë, duke filluar që nga Meshari i Gjon Buzukut e këndej. Shqipen e mësojmë edhe kur i lexojmë veprat e autorëve të huaj, të përkthyera në shqip nga përkthyesit e Shqipërisë. Përkthyesit shqiptarë kanë përkthyer në shqip kryesisht nga frëngjishtja, nga gjermanishtja, nga anglishtja, nga italishtja, nga spanjishtja, nga rusishtja ... Janë përkthyer vepra të klasikëve botërorë. Vitet e fundit vijnë në shqip edhe vepra të krijuesve bashkëkohorë. 
Gjuha nuk mësohet prej mediumeve. Me fjalë të tjera, gjuha nuk mësohet prej gazetave, prej revistave, prej portaleve, prej emisioneve televizive apo prej filmave dhe serive televizive. Gjuhën e mësojmë në shtëpi, në mjedisin ku jeton si dhe në shkollë. S’ka dyshim se përdorimi i drejtë i shqipes në jetën publike, në mediume dhe në institucione ndikon pozitivisht në ngritjen e kulturës së komunikimit të qytetarëve. Gjuha nuk mësohet nëpër kurse. Ajo përvetësohet në shkollë dhe me ndihmën e teksteve shkollore - në shtëpi.

Shqiptarët shqipen e trashëgojnë prej të parëve të tyre – ilirëve. Shqipja është bijë e ilirishtes. Studiuesi gjerman Franc Bop (Franc Bopp, 1791-1867) është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është autor i studimit “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Bopi është i pari dijetar i cili e argumentoi shkencërisht karakterin indoevropian të gjuhës shqipe. Sipas tij, shqipja bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane (indogjermane). Linguisti gjerman August Shllajer (August Schleicher, 1821-1867) është krijues i Trungut gjenealogjik të gjuhëve indoevropiane. Shqipen e ka vënë mu në rrënjën e kësaj peme. 
Gjuha shqipe flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, ndër çamë. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare: në Evropë dhe në ShBA. Shqipja flitet sot e gjithë ditën edhe tek arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë. Flitet edhe në lagjen Arbanasi të Zarës. Shqipen e përdorin edhe shqiptarët nëpër ngulime sikundër janë ato në Bullgari, në Rumani, në Ukrainë. Shqiptarë ka edhe në Turqi.
Shqiptarët komunikojnë duke përdorur të folmet e tyre, nëndialektet apo dialektet të cilave u përkasin, si dhe duke zbatuar gjuhën letrare. Një pjesë e shqiptarëve në shtëpi e përdorin të folmen e zonës të cilës i përkasin ose nëndialektin apo dialektin të cilit i përkasin. Edhe jashtë shtëpisë e përdorin të folmen e zonës nga vijnë apo nëndialektin dhe dialektin të cilit i përkasin. Një pjesë e shqiptarëve gjuhën letrare shqipe e përdorin vetëm në shkollë, madje vetëm gjatë orës mësimore apo gjatë procesit mësimor. Sapo bie zilja e shkollës, nxënësit, përfshi edhe një pjesë të caktuar të studentëve, e lënë letraren për të vazhduar në të folmet, në nëndialektet dhe në dialektet e tyre.
Gjuha shqipe është një. Ajo është e pandashme. Shqipja nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është edhe komponentë e rëndësishme, në mos kryesore dhe vendimtare e identitetit kombëtar. Naimi dhe Fishta e quajtën shqipen gjuhë e Perëndisë. Nuk ka gjuhë shqipe dhe gjuhë kosovare. Kjo pikëpamje është thellësisht antikombëtare. Nuk ka dhe kurrë s’ka për të pasur gegërishte letrare që do të përdorej në Kosovë. Ekzistimin e një gegërishteje letrare dhe përdorimin e saj në jetën publike e mbështesin akademikët serbomëdhenj dhe antishqiptarët përreth. 
Norma letrare e shqipes është përcaktuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë, prej 20 deri në 25 nëntor 1972. Gjuha është si një organizëm i gjallë që vazhdimisht zhvillohet. Megjithëkëtë, zhvillimi i shqipes s’ka të bëjë me parimet themelore të tubimit gjithëkombëtar të sipërthënë. Pikëpamjet se kongresi i drejtshkrimit u mbajt në kohën e komunizmit apo të diktaturës, janë kryekëput të pajustifikueshme. Gjuha nuk është politikë. As ideologji. 

Gjuha letrare shqipe duhet të përdoret, si në jetën publike ashtu edhe në atë private. Letrarja duhet të përdoret në familje, në rrugë, pra kudo. Letrarja duhet të përdoret, jo vetëm kur jemi në detyrë zyrtare, por kur ndodhemi edhe jashtë saj. Ka raste kur shqipen letrare s’e përdorin ndër vete mësuesit, arsimtarët dhe profesorët. Ndodh që ndonjë mësues, arsimtar apo profesor gjuhën letrare të mos e përdorë edhe në klasë gjatë orës mësimore. Kjo është e tmerrshme, e palejueshme. Kjo sjellje meriton qortim dhe vërejtje. Në shumë raste, gjuha letrare nuk gjen zbatim edhe te bashkëshortët, ndonëse që të dy janë me arsimim universitar. Në shumë raste, prindër me formim universitar, me fëmijët e vet flasin në gjuhën popullore. 
Midis të folurit shqip dhe të shkruarit në shqip, nuk duhet të ketë dallim. Ka që thonë se mënyra e përdorimit të gjuhës është pasqyrë e nivelit të kulturës të një individi. Sidoqoftë, kur njeriu flet, nuk lë gjurmë, por shkruan, në letër lë gjurmë. Tanimë duket sesi e ka thënë atë që ka dashur ta thotë. Gjurmëve s’u ik dot kush. 
Gabime ndodhin, jo vetëm kur e flasim shqipen, por edhe kur e shkruajmë atë. Gabime në të shkruar hasen me të madhe, duke filluar prej te mësuesja deri tek anëtari shqiptar i Akademisë së Shkencave. Gjatë të shkruarit, gabimet që bëhen janë: drejtshkrimore, fonetike, morfologjike dhe sintaksore. Asnjë gabim nuk duhet të tolerohet. Megjithëkëtë, gabimi drejtshkrimor ka më pak peshë se ai sintaksor. Personi me njohuri të kufizuara të shkrimit të shqipes mendon se një shkrim apo një punim duhet të korrigjohet vetëm në aspektin drejtshkrimor. Korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore ai e konsideron lektorim. Ai nuk e di se me lektorimin e një teksti nënkuptohet në radhë të parë kontrollimi i anës sintaksore të tij. Ai që s’i del zot anës sintaksore, s’është në gjendje t’i eliminojë si duhet as gabimet drejtshkrimore. Disa gabime drejtshkrimore detektohen edhe me vënien në veprim të programit kompjuterik. Por, ai që pandeh se korrigjimi i një teksti mund të bëhet nëpërmjet programit kompjuterik, është larg njohurive mbi gjuhën. Programi i lartpërmendur mund të ndihmojë jo më shumë se 20 për qind. Thelbi i një gjuhe është historia e saj dhe gramatika e saj. 
Pjesë e gabimeve gjuhësore janë edhe ato terminologjike. Çdo fushë apo lëmë e ka terminologjinë e vet. Popujt me tradita shtetërore dhe me shkallë të lartë të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe tekniko-teknologjik kanë terminologji të zhvilluar për lëmenj të ndryshëm. Popujt me shtetësi të vonuar dhe me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik, shoqëror, tekniko-teknologjik terminologjinë e huazojnë prej të tjerëve, d.m.th. prej gjuhëve të tjera si anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja. 
Gabime gjuhësore hasen në gazetat ditore dhe në revista. Dikur shkrimet që u janë dërguar gazetave ditore, para se të ishin botuar, kanë kaluar nëpër duart e lektorëve dhe të redaktorëve. Një gjë e tillë, sot praktikohet më pak. Gabime hasen edhe në shkrimet e disa autorëve që botohen në mediumet elektronike, nëpër portale të caktuara. Përgjegjësia në këtë mes, më parë se mbi kryeredaktorët, redaktorët, lektorët e gazetave, të revistave, të mediumeve elektronike, të portaleve – bie mbi autorët e artikujve. Përse?! Për arsye se gati të gjithë ata që shkruajnë, janë persona me arsimim universitar. Madje, midis tyre ka edhe të profilit të gjuhës shqipe apo të gjuhëve të huaja – anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes. Personi me përgatitje universitare, pavarësisht se ç’degë ka studiuar, duhet të posedojë njohuri solide në të shkruarit e gjuhës shqipe. Kurrë s’mund të jesh avokat, noter apo gjyqtar i mirë po qe se nuk ke njohuri solide për gjuhën amtare. Ai që s’ka njohuri të mirëfillta për gjuhën amtare kurrë nuk mund të bëhet pedagog, mësues, arsimtar apo profesor i mirë. Njohja e gjuhës amtare është conditio sine qua non për arritjen e suksesit në një fushë të caktuar.
Shkrime me gabime gjuhësore botojnë edhe persona me tituj akademikë, magjistar dhe doktorë të dijes. Personat që shkruajnë, sidomos këta me tituj akademikë, para se t’i dërgojnë shkrimet e veta për botim, është mirë që paraprakisht t’i dërgojnë në lektorim. Ndryshe, komprometohen dhe e diskreditojnë veten.
Në hapësirat shqiptare gabime gjuhësore hasen edhe në emisionet radio-televizive. Gabime gjuhësore, ku më shumë e ku më pak, hasen në të gjitha studiot televizive, përfshi edhe ato të Shqipërisë. Shtëpitë televizive, materialet e emisioneve informative i sigurojnë prej agjencive të lajmeve. Disa shtëpi televizive informatat i sigurojnë apo i përkthejnë vetë. Shumë përkthyes të agjencive informative apo të studiove televizive nuk e njohin sa duhet punën e përkthimit, ndonëse me vite merren me këtë punë. Për të përkthyer në shqip nga një gjuhë tjetër, në radhë të parë duhet ta dish mirë gjuhën amtare, d.m.th. shqipen. Ai që s’e di mirë gjuhën amtare, nuk mund ta njohë mirë asnjë gjuhë tjetër. Tjetër është të komunikosh në anglisht apo në gjermanisht, krejt tjetër është t’i njohësh si duhet këto gjuhë. Shqiptarët që punojnë në Hamburg, komunikojnë në gjermanisht, por s’mund ta përkthejnë Gëten, Kafkën apo Fridrih Niçen. 
Punimet e magjistraturave apo tezat e doktoratave të disa universiteteve shqiptare, që kanë kaluar pa iu nënshtruar lektorimit, kanë pasur një mori gabimesh gjuhësore. Detyrimi i lektorimit të tyre ka qenë zgjidhje e drejtë. Gabime gjuhësore hasen edhe në aktet administrative të pushtetit vendor, të organeve të gjyqësisë, të njësive rajonale etj. Gabime gjejmë nëpër mbishkrime të ndryshme si dhe nëpër emërtimet e institucione. Gabime gjuhësore dhe terminologjike hasen edhe në materialet bankare, financiare, postare ...
Gabimet gjuhësore bëhen edhe kur shkruajmë shqip, ngase nuk kemi njohuri të duhura për gjuhën, por edhe kur përkthejmë në shqip, ngase nuk kemi njohuri të mjaftueshme në lëmin e përkthimit. Po qe se çdo gjë shndërrohet në biznes, atëherë gabimet gjuhësore do të jenë të pashmangshme. Ka të tillë të cilët të shkruarit e shndërrojnë në zanat. Ai i cili nga shkrimi krijon zanat, ai nuk shkruan. Ai është kalemxhi.

Duhet shtuar se në hapësirat shqiptare, në jetën publike është në përdorim gjuha letrare shqipe dhe norma letrare e saj. Çdo familje shqiptare në bibliotekën familjare duhet ta ketë Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe, Gramatikën e gjuhës shqipe – fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën, Historinë e gjuhës shqipe, Fjalorin e fjalëve të huaja etj. Ata që shkruajnë, librat apo tekstet e sipërthëna duhet t’i vënë në zbatim. 
Në shkollat shqipe, gramatika e gjuhës shqipe duhet të ligjërohet si lëndë e veçantë dhe jo sikur tani, gjuhë e letërsi bashkë. 
Historia e një gjuhe është historia e atij populli!


venerdì 21 giugno 2019

"Arbëreshe" nga Xhemi Hajredini



                              Poezi

                                      ARBËRESHE

Adelaide Barbuto, arbëreshe nga Garaffa (Carrafa di Catanzaro)
Fotografuar nga Italo Elmo, arbëresh nga Shën Mitri (Cosenza)

Vajzë e bukur n’Kalabri,
nga vjen e kush je ti?
Kur flet, këndon e luan valle,
vjen si poezi, si sorkadhe,
ti bukuroshe lule alle,
si një nuse shtojzovalle.

Jam arbëreshe, vij nga deti,
me rrënjë e kulturë mbreti.
Jam e fjas arbërisht,
si mbreti im arbëror.
Gjuhën e sotit varfërisht,
ruaj atë amënor e atëror.

Ti je si u’ shqiptar,
apo nga Kosova, kosovar?
Po, të gjithë jemi shqiptarë
jemi vëllezër e të pandarë.
Gjak i shprishur jemi pak,
por një ditë do të zëmë një cak.

©Xhemi Hajredini
Strugë, qershor 2019

giovedì 20 giugno 2019

Rrëmujë e madhe... Faji është jetim...


Nuk është faji im

Nga Xhemi Hajredini

Nuk është faji im,
vargje lirike s’shkruaj dot,
në këtë vorbull shqetësimesh
e buzëqeshje trishtimesh,
ka vetëm ndrydhje e lot.

Ndjesë o Perëndi,
s’është faji im, tha edhe Ademi,
kur mëkatuan me Havanë,
mollën e ndaluar, të mos e hanë.

Në të bukurën hava,
plot sherr, dava e hata,
një mishmash andej e këtej,
nuk është faji im,
faji është jetim.

Apo të gjithë jemi fajtorë,
që s’lëvizim gjë me dorë,
ush e quksh si gomarë,
na urdhërojnë e heqin zvarë.
I kujt është faji, or ti?
Nuk e di, na shpëtoftë Zoti! 


Strugë, qershor 2019