lunedì 10 giugno 2019

1878 - Lidhja është gjallë


LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

10 qershor 2019

    141 vjet më parë, më 10 qershor 1878, filloi organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është kjo njëherit një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare, pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës, të marsit të vitit 1444, nën organizimin e GJ. K. Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princërve shqipëtarë në shekullin e XV. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar shqiptar.

     Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”.
     Rusia i kishte bërë presione shumë të mëdha Turqisë pas luftës ruso-turke, që pasoi me traktatin e Shën Stefanit dhe daljen e Rusisë në detin Mesdhe, që ishte e papranueshme për Anglinë si superfuqi e asaj kohe. Sërbia, Mali i zi, Rumania fituan pavarësi, Bosnja nën protektoratin austro hungarez. Rusia akoma më shumë i zgjeroi teritoret e saja. Situata të tensionuara vazhduan edhe më tej deri në kulminacionin e tyre të Luftës së Parë Botërore.
     Pas traktatit famëkeq të Shën Stefanit ku Rusia dhe Turqia vendosën që Shqipërisë të mos i jepej asnjë pëllëmbë tokë. Në kohën e Perandorisë Osmane vendi ynë ishte i ndarë në katër vilajete: Vilajeti i Kosovës, Vilajeti Shkodrës, Vilajeti Manastirit dhe Vilajeti i Janinës.
     Duke parë kalbëzimin e Perandorisë Osmane dhe rrezikun e zhdukjes si komb, patriotët shqiptarë nga të katër vilajetet u mblodhën si Lëvizje Kombëtare Shqiptare, me 10 qershor 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit.
     Shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.
Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizes lindore. Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj.   Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.
     Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878. Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.
     Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 141 vjetësh, është e ngulitur thellë në mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtar të kombit shqiptar.

     Sa për t’i kujtuar, këto ishin pikat kryesore të LSHP-së:

Ø  Mbrojtja e trojeve shqiptare nga rreziku i coptimit nga shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi dhe Greqi
Ø  Bashkimi i vilajeteve shqiptare për ti hapur rrugën shtetit të ri shqiptar.
Ø  Shërbimi ushtarak në kohë paqeje.
Ø  Përdorimi i gjuhës shqipe dhe hapja e shkollave shqipe me alfabet latin.
Ø  Kontrolli i financave.

     (Për blogun dhe faqen "Gjuha shqipe pa gabime", përgatiti Xhemi Hajredini, administrator)

sabato 8 giugno 2019

Bukëbardhë - Nga Xhemi Hajredini


Poezi

BUKËBARDHË

Trutharë e mujsharë,                       
në mejdan për të sharë,                    
ti i durueshëm e fisnik,                     
pa u stepur, rri besnik.      

Në një sofër të durueshmit,
bukëbardhët, të afrueshmit,
bukëharamët në një tjetër,
si dikur n’regjim të vjetër.

Për të ngrënë vëngëronin,
në grahmat e fundit lëngonin,
sot të mbledhur në garë,
kush të lëpijë më parë.

Lum kush të rrojë,
bukëbardhët t’i shikojë,
që deri dje ëndrra hanin,
e mbi shpinë goditje mbanin.

Lumturia s’vjen me dreqësi,
por me vërtetësi e drjetësi,
lumturoju o bukëbardhë,
ti do të rrosh faqebardhë!

©Xhemi Hajredini
Strugë, 8 qershor 2019


giovedì 30 maggio 2019

Më falni, një biletë për në ferr, ju lutem!


     Fundbota

Nga Xhemi Hajredini

     
     







     
     Dëshpërim e kotashpresë,                     
     zhgënjim në çdo shtresë,                                   
     hidhërim dhe  zi e më zi,  
     udhëheqësit ç’lemeri!

     Më falni, një biletë për n’xhehnem!
     Më ka mbetur vetëm një vajtje-ardhje…
     Ç’vajtje-ardhje mor i uruar?!
     Vetëm vajtje për t’më harruar.

     S’ka bileta vajtje-ardhje sot,    
     si më parë e kamot ...
     ka vetëm largim e lëngim,        
     ka vetëm rënkim e mallkim.

     Po ikin të gjithë nga kjo skëterrë,
     larg e më larg, në fundbotë, në ferr.
     Kërkimfalje o im at,
     s’ka më florifjalë, nuk shtyhet me inat.


     Strugë, 30 maj 2019


mercoledì 22 maggio 2019

Lavirja


Lavirja

(satirë)

Lavirja me parashumë,
hedh një gur në lumë...
pa bërë llaf,
pa i rënë askujt në qaf’,
pa mendjemadhësi e krenari,
dhuron ca lekë në xhami.

Jo, tha hoxha, i zemëruar,
ti je grua e çnderuar.
Zonja me trup venitur,                                
e turpëruar, e poshtëruar,
niset për t’u larguar...
dhe xhemati aty pranë,
merri efendi se tonat janë!

Ç’thoni kështu more të mjerë,
a merret para nga një e  pander?!
Të pander' kemi qenë qëmoti,
s’rrohet vetëm, kot së koti.
Pa shiko or efendi,
erdhi tjetra në xhami,
të lajë edhe ajo ca të palara,
kthen kusur dhe ecën përpara.

Tani zgjidh e merr or zotni,
do para apo ndershmëri?!

Nga Xhemi Hajredini
Strugë, 22 maj 2019



sabato 4 maggio 2019

Të shpresojmë...


Shpresa










Nga Xhemi Hajredini

I varfër e i këputur
sikur të jesh,
ti mos u dëshpro,
mos u trishto,
mos protesto!

Tek i shpresës dyqan,
zotnia me duhan e mbi divan,
të gjitha pa lekë do t’na i shesë,
të padukshmen, të paprekshmen,
e të pamundshmen.

Pra shend e verë,
si n’dimër e n’verë
kokën lart e këndo,
se besimi, qetësia e dashuria,
do t’kthehen për këdo.
 
A t’besojmë o Perëndi,
janë t’vërteta a shpoti,
barkzbrazur presim një shkresë,
se pafund jetojmë me shpresë,
kush i pari do të vdesë?!

Strugë, maj 2019


venerdì 26 aprile 2019

Lumëmadhi


LUMËMADHI
Nga Xhemi Hajredini













Durimshumë o lumëmadh,
sa ngjarje të trishta,
t’kanë duruar sytë,
t’kanë gërryer besimin,
t’kanë sprovuar durimin?!

Tmerr e lemeri o njeri,
në varfëri e mjerí,
në vatër pa njeri,
barkanjozët të fajësuan,
tekanjozët të përçmuan!

Ngushëllime o lumëmadh!
Ata deri në fyt nga mëkati,
ti me durim si Sokrati.
Më lini rehat se s’ua kam ngenë,
nuk prish paqen për legenë.

Strugë, 26 prill 2019





















***
Kam dëgjuar të thonë se për të qenë durimmadh duhet të kesh fuqinë njerzore e përbërë nga durimi dhe koha. Sokrati e duroi shumë gruan e tij. Epo ta durosh gruan nuk është punë e lehtë! 

giovedì 18 aprile 2019

Zotëria famëzi


Zotëria famëzi



Aty në oborr,
i prekur në sedër,
si qenushi n’zhavorr,
shgarraviste një letër.

Zotërisë famëzi,
s’ia fishkëllente njeri,
harroi “pushtetploti”,
se kish ngordhur qëmoti.

Nuk je si ne kuqezi,
ekuilibro ndjenjat o fatzi,
janë ca gjëra që s’i blen dot,
mos shfry mllefin kot e kot!

Hem qeros, hem qibar,
bishtpërjetë si dhi zgjebosur,
ti ke vendin në qilar,
se je goxha i zgjyrosur.

Nga Xhemi Hajredini
Strugë, 18 prill 2019