Dy poezi nga Prof. Xhemi Hajredini
Xhemi Hajredini |
Errësirë
Errësirë shpelle,
gjithë të vdekur në gjumë,
qyteti me udhë të braktisura.
Grykëderdhja gurgullonte,
një lypës murmuriste
një lutje.
Errësirë,
dikush gjakftohtë,
kërkonte të grabiste,
qetësinë dhe dashurinë
e natës.
Agu i dritës po vinte,
errësira e mendjes
e prishi rehatinë e natës.
Dashuria e ëndërruar
mori fund,
errësira e natës kish ndërruar vend
me errësirën e mendjes.
Tani lypsen krahë,
për nder të bukurisë,
dashurisë dhe pafajësisë
së vrarë.
Si stinët...
Ashtu si stinët,
që faqe ndërrojnë
kur njëra-tjetrën kalojnë...
Si pranvera për zogj,
për agime të trëndafilta,
filiza dhe erë lulesh...
Vera për ngrohtësinë e diellit
dhe kthjelltësinë e qiellit...
Vjeshta për t’bukurën
natyrë me ngjyrë...
Dhe dimri,
(me sythat e pranverës)
që kërkon shi dhe bardhësi...
Ashtu dhe unë kam nevojë,
për pak metamorfozë e bojë,
për pak dashuri e fantazi,
për paqe dhe... ndonjë poezi.
Grykëderdhja e Drinit të Zi gjatë 4 stinëve - Strugë |
©Xhemi Hajredini,
Strugë, 20 janar 2020
(Foto nga Amer Demishi)