sabato 7 marzo 2020

Dy poezi me rastin e Ditës së Mësuesit nga Xhemi Hajredini



"MËSUESI" dhe "NËNA DHE MËSUESJA"

Prof. Xhemi Hajredini











MËSUESI

Në mbretërinë e fantazisë me ndjesi,
u ke dhënë mend e mundësi,
u ke hapur zemrën, ke qenë besues,
ti ke bërë tënden zoti mësues.

Jo të gjithë janë në bokë,
turma, gjithandej, pa kokë!
Formulë magjike ti nuk ke,
mos u mërzit e mos u nxe’!

Pasi i qetove e u hoqe frikën,
prit tani kur të ta ngulin thikën!
Sot për ata s’ka shumë rëndësi,
në ke bërë detyrën me pastërti.

A u keni thënë vetë se diploma s’ka vlerë,
se janë lojëra të tjera që hapin çdo derë?!
Janë qenie të gjalla, të dashur profesorë,
pa u tunduar janë bërë dhe doktorë.

Arsimi është çelësi, more të mjerë,
kaladibrançe nuk luhet ngaherë!
Daullja bie për ata që kanë vesh’,
iku shoqëria, mësues, iku për lesh.

Iku koha e besatarëve dhe dietarëve,
është lojë e shthurur e trutharëve.
Jetë e shëndet të nderuar arsimtarë,
fjalëpakë, besëplotë e kursimtarë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, qershor 2019



NËNA DHE MËSUESJA

Nga shtëpia në mësonjëtore,
shkojnë fëmijët dorë për dore,
nga një kujdestare te një tjetër,
mësojnë të shkruajnë mbi letër.

Besimplotë te nëna, shumë dashuri,
të ëmbël te mësuesja, plot fisnikëri.
Nëna e durueshme, e qeshur, e mirë,
mësuesja e qartë, e qetë, e dëlirë.

Detyrat e klasës me mësuesen si zana,
n’ato të shtëpisë, përfshihet dhe nëna.
Shkruajnë, ngjyrosin, flasin dhe këndojnë,
valle fëmijësh dëgjojnë e vallëzojnë.

Ecin fëmijët si barka mbi liqen,
duan natyrën, gjithçka u pëlqen.
Emra, folje, fjalë, për bukuri,
tani dinë të thurin pareshtur fjali.

Lum si ne, me mësuese dhe nëna,
që na japin dritë ashtu si hëna.
Gëzuar festat, shëndet dhe jetë,
admirim e mirënjohje, përjetë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, 10 shkurt 2020