martedì 10 dicembre 2019

Në Parmën e Xhuzepe Verdit

LUTJE SHQIP NË KATEDRALEN E PARMËS
Parma, 9 dhjetor 2019 
Përgatiti Xhemi Hajredini - Administrator i grupit "Gjuha shqipe pa gabime"
Xhemi Hajredini

Mbrëmja e ditës së shtunë, 7 dhjetor 2019, në Parmën e Xhuzepe Verdit, ishte shumë e veçantë për komunitetin shqiptar që jeton në këtë qytet. Ishte e veçantë edhe për ne që shkuam si mysafirë enkas për t’i nderuar dhe përgëzuar për të gjitha aktivitetet kulturore që i organizojnë shqiptarët në Itali. E veçanta tjetër, kësaj radhe, ishte se Katedralja madhështore e Parmës kishte hapur dyert për bashkëpunim me komunitetin shqiptar për të organizuar një meshë lutje për shpirtrat e 51 viktimave nga tërmeti tragjik që përfshiu Shqipërinë, më 26 nëntor të këtij viti.
Mesha i dedikohej edhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Ishin momente të një shtrëngim duarsh në shenjë paqeje e shprese, momente solidarizimi me mesazhe për bashkëjetesë dhe tolerancë ndërfetare, si vlera të çmuara të popullit tonë.
Me mesazhe të këtilla u paraqitën prifti katolik Dom Elia Matia, Myftiu i Strugës Salim Sulejmani, publicisti Xhemi Hajredini si dhe gazetari Ndue Lazri.   

Myftiu i Strugës, Salim Sulejmani, i deleguar i BFI-së në RMV, mbajti një fjalim mbresëlënës, kushtuar bashkëjetesës ndërfetare në trojet shqiptare, ku ndër të tjera tha:


“Misioni i krijesës më të mrekullueshme të Zotit, njeriut, është shpërndaja e dashurisë mes njerëzve dhe respektimi i diveristetit kombëtar dhe fetar.

Një nga modelet më të shkëlqyera të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare është kjo që kemi ne shqiptarët. Për këtë na ka zili edhe bota. Një zhvillim i këtillë, i palëkundshëm, i kësaj atmosfere, është forcuar ndër breza. Me këto vlera të çmuara identifikuese të shoqërisë dhe familjes sonë duhet të ndihemi krenarë karshi popujve të civilizuar të botës.

Bashkëjetesa ndërfetare, lirshëm mund të them, përçon një mesazh që është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, në dobi të vlerave morale të shqiptarëve dhe jo vetëm. Shqiptarët sot, krahas kulturës me vlerë glorifikuese, si besa dhe mikpritja, një element tjetër të fort dallues, ndër popujt e botës, kanë tolerancën ose më saktë mirëkuptimin ndërfetar. Ky fakt përbën një nga profilet më të spikatura të modelimit kulturor, evident jo vetëm në të kaluarën por edhe në ditët tona.

Si popull multifetar, me një bashkëjetesë tradicionale, jo vetëm në shtetin amë (në Shqipëri) por edhe në trojet të tjera etnike dhe multietnike, lirisht mund të them se ne pasqyrojmë një shembull të veçantë të harmonisë ndërfetare në historinë e popujve të Ballkanit dhe më gjerë.

Edhe sot shqiptarët e kultivojnë bashkëjetesën ndërfetare dhe ndëretnike, pa përçarje dhe diskriminim. Edhe shembulli juaj, i integrimit të shkëlqyeshëm këtu në qytetin e Parmës në Itali, tregon dhe vëreton se ne jemi një popull dashamirës dhe paqedashës.

Të bashkuar jemi më të fuqishëm. I madhi i kombit, hoxhë Mulla Idriz Gjilani thotë se “I kemi tri fe, por të përbashkët, kemi vetëm një atdhe”.

Do t’i tjekalojmë të gjitha vështirësitë por vetëm duke qëndruar njëri pranë tjetrit, jemi popull i vogël për të qenë i ndarë. Largësia juaj nga atdheu nuk paraqet pengesë për ta shfaqur dashurinë ndaj tij, për ta shfaqur dashurinë ndaj njerëzve të një gjaku.

Dhëntë Zoti i gjithëmadhërishëm, që zemrat e thyera nga gjëma dhe pasojat që përjetuam nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u godit perla e Shqipërisë, t’i kalojmë nëpërmejt veprimeve të përbashkëta, me një solidarizim të këtillë siç kemi bërë dhe po bëjma akoma.”



Prof. Xhemi Hajredini, publicist nga Struga, duke e përshëndetur komunitetin shqiptar dhe qytetarët italianë të Parmës, në katedralen e këtij qyteti të vjetër univesritar dhe kulturor do të shtonte: 
    


“Ne, me qytetërim arbnor, duhet të krenohemi me historinë dhe personazhet e historisë sonë.
E shikoni se ç’bëhet sot, këtu në Parma, edhe pas pas 550 vjetësh emri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, arrin të bashkojë popuj. Emri i shenjtores sonë, Nënë Tereza, vazhdon t’i ngroh akoma zemrat e besimtarëve dhe varfanjakëve.
Jeronim De Rada te Skënderbeu, nuk admironte vetëm njeriun me kurajo, strategun e aftë, por edhe krijuesin e një ideje të vëllazërimit, ai që kishte ndezur një zjarr të shenjtë në zjarrin e fisit e që ua kishte mësuar njerëzve të lidhur nga i njëjti gjak dhe e njëjta gjuhë, me qëllim që të konsiderohen bij të së njëjtës nënë.
Nga personalitete dhe historianë të huaj, ai ka marrë edhe epitetin “Ideatori i aleancës së parë euroatlantike”.
E shikoni se ç’bëhet në Durrës e rrethinë, pas rënies së tërmetit?! Ka ndodhur bashkimi i paparë i kombit, një strukturë antisizmike, një solidarizim i vrullshëm, një fisnikëri vëllazërore. Gjaku, edhe pse i shprishur, që thonë arbëreshët, nuk bëhet ujë.
Kjo quhet atdhedashuri.
Atdheu do punë, do mend e dashuri, jo inate, mllef e kokëfortësi. Kështu do të bëhet edhe rindërtimi i Shqipërisë.
N’daç me gzue t’bukrën liri
mos shkel fis, as mik, as fe,
pse n’kto sheja bota mbarë
na dallon se jem shqiptarë... (At Gjergj Fishta)

 "Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme." (Faik Konica)   
                    
Apostull i idesë kombëtare është shqiptarizmi. SHQIPTARI duhet të falet, t’i lutet Zotit, të jetojë e të vdes si shqiptar. Luftërat fetare janë të panjohura për shqiptarët. Shqiptari para së gjithash është shqiptar, e kanë konfirmuar edhe të huajt këtë konstatim. Diga mbrojtëse, diga e rezistencës kundra sfidave aktuale politike dhe jo vetëm është shqiptarizmi.
Shqiptarë, kosovarë, arbëreshë, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë muslimanë, katolikë apo ortodoksë, janë të gjithë SHQIPTARË. Duke mbrojtur vlerat tona kombëtare, tolerancën e trashëguar ndërfetare, trashëgiminë kulturore, do të jemi komb më i dashur dhe më i respektuar nga të tjerët.
Arshi Pipa, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, që ka vepruar në SHBA, duke modifikuar paksa thënien e Fishtës, ka thënë: “Ne i kemi të ndryshme Bajram e Pashkë, por besë e nder i kemi bashkë
Atdhedashuria, shqiptarizmi, janë ndjenja të thella shpirtërore dhe këto nuk mund të injorohen. Me këto virtyte kemi bërë miq e dashamirë të kombit e të vendit tonë. Vlerat e shqiptarizmit janë letërnjoftimi i shqiptarëve. Atdhedashuria është pjesë edhe e besimeve fetare. Nuk besoj të ketë ndonjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj atdheut dhe dashurisë së tij ndaj Zotit. Imazhi i kombit në botë pasqyrohet nëpërmjet vlerave kombëtare: gjuhës, kulturës, traditave, trimërisë, zhvillimit ekonomik, nëpërmjet paraqitjes së natyrës së bukur e të mbrojtur, sigurisë, të qenurit shqiptarë të mbarë, të mirë, të lirë…
Mirënjohës ndaj të gjithëve por më shumë ta duam vetveten dhe atdheun tonë, sidomos tani që po lëngon!”

Koj mbrëmje lutjesh u shoqërua me një pjesë artistike nga flautistja Monika Bekolli dhe sporanoja Anila Hoxha Gjermeni, pastaj grupi i fëmijve te kostume kombëtare, vallëtarë dhe nxënës të shkollës shqipe në Parma, me flamur kuqezi. 
Gjatë po kësaj dite në po këtë qytet, nga "Skanderbeg
Parma" u përurua busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në kuadër të  edicionit të 13-të të muajit të kulturës shqiptare, në parkun Eunice Kennedy u vendos busti i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ishte një kënaqësi e vërtetë por të gjithë, pa përjashtim, kishin një vërejtje të drejtë se pjesa bazë ku qëndronte busti  i heroit ishte shumë e ulët. Arsyetimi i organizatorëve ishte se këto përmasa ua kishin lejuar autoritetet e Komunës së Parmës por në një të ardhme të afërt me ndonjë kërkesë plotësuese edhe mund të modifikohet.
Një bravo për Forumin e Grave të Pavarura, me seli në Parma, për punën e tyre të palodhshme dhe organizimin e kësaj ngajrje të veçantë (meshë - lutje për shqiptarët) në Katedralen e Parmës.