lunedì 22 gennaio 2018

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Janar, 2018
Pesëqind e pesëdhjetë vjet bashkim
“Bashkimi bën fuqinë!” - Gjergj Kastrioti - Skënderbeu

Drita A. Bala
Përgatiti: Drita Arapi Bala – administratore e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”

"Gjuha Shqipe pa gabime" përkujton heroin kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun...

Që në fillim mund të konstatojmë se vendlindja dhe datëlindja e Skënderbeut vazhdon të mbetet e diskutueshme... Sipas disa burimeve thuhet se ka lindur në rrethin e Dibrës e sipas disa shënimeve të tjera në rrethin e Mirëditës (në Ermadhe)... Viti i lindjes sipas disa historianëve është v.1403 e sipas disa të tjerëve Skënderbeu ka lindur në 6 maj të vitit 1405. Të gjithë e duan këtë hero. Prandaj disa thonë se ishte dibran, disa mirditor e disa matian, disa thonë se ishte ortodoks, disa katolik e disa musliman... Ka dhe të huaj që duan të na marrin...

Gjergj Kastriot – Skënderbeu ishte vetëm shqiptar, sepse është në zemrën e çdo shqiptari pa marrë parasysh krahinë e fe...
Ishte fëmija i katërt dhe më i vogli nga djemtë e Gjon Kastriotit, Zot i principatave të Krujës e Mirëditës. Për të pasur të sigurt nënshtrimin e të atit, Gjergji, në moshë të mitur, u mor "peng" nga Sulltani, i cili pasi vuri re zgjuarsinë e jashtëzakonshme të djalit, vendosi ta edukojë atë sipas ligjit të oborrit otoman. Zotësia e djaloshit për të përvetësuar artin luftarak, aftësitë e udhëheqësit, drejtimit dhe organizimit e çuan atë t'i japë emrin "Skënder" për hir të Aleksandrit të madh dhe titullin "bej" që tregonte rangun e tij të lartë...

Skënderbeu u kthye në mëmëdhe si udhëheqës i një ushtrie të vogël prej 300 trupash, me të cilën arriti t'u marrë Krujën uzurpatorëve turq. Në Krujë, Gjergji nisi luftën për çlirim e bashkim. Përpos atdhetarizmit disa nga vlerat më të spikatura që ai mbarte, ishin ato morale e fetare. Vlerat e tilla nuk lanë indiferent as Vatikanin. Shpata e Gjergjit pengoi ëndrrën e Sulltanit të shtrijë Perandorinë e tij deri në Romë. Për këtë Papa Callisto III duke vlerësuar Skënderbeun si mbrojtës i paqes, i akordoi titullin “Atlet i Krishtit”.
 

Të mëdhenjtë si Fan Noli, Naim Frashëri, Ismail Kadare dhe shumë shkrimtarë të huaj i kanë “kënduar” gjestet e Skënderbeut mbi letër. Shkruante Naimi... “Kruj', o qytet i bekuar! Prite, prite Skënderbenë, Po vjen si pëllump i shkruar, Të shpëtonjë mëmëdhenë Shqipëtarët t'i shpëtonjë Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë, Edhe ty të të nderonjë, Që je krej'i Shqipërisë, Ka pas trima shqipëtarë, Që s'u trembet syri kurrë, Ndë zëmërt të tij ka zjarrë, Ësht' i urt' e trim e burrë. Mirë se erdhe, o verë! Që na prure mirësinë, Dhe për shumë vjet të tjerë, e zbukurofsh Shqipërinë. O Shqipërizë! gëzohu, Se të erdhi prapë dita, Lulëzohu, zbukurohu, Të zbriti nga Zoti drita!”

Strateg, gjeneral, ideator bashkimi.
Për dikë i dërguar i Perëndisë, legjendë, krenari e mbret i Epirit.
Dragua në ëndrrat e së ëmës e i lartë tre metra në përrallat e gjyshërve tanë ndër breza. I frikshëm, i mbinatyrshëm e i pavdekshëm për armiqtë.
Këto janë disa nga emërimet që iu dhanë heroit nga anëtarët e grupit “Gjuha Shqipe pa gabime”.

Gjergj Kastrioti... i vetmi që mban titullin HERO KOMBËTAR.
Është mahnitës fakti se edhe pas 550 vitesh figura e tij bashkon shqiptarët në një ideal, në SHQIPTARI. Ky njeri i madh vdiq më 17 Janar të 1468 në Lezhë, duke lënë një Shqipëri të lirë e të bashkuar.
Gjergj Kastrioti luftoi për lirinë e popullit të tij dhe popujve fqinj.
Veprat e Skënderbeut ndezin krenari në çdo zemër arbëri, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Çamëri e Kalabri... kudo qoftë zemër shqiptari, ka gjak Kastrioti.

Kjo qasje e shkurtër mbi figurën e Mbretit të shqiptarëve ka për qëllim vetëm të ngacmojë ndërgjegjen kombëtare për veprën dhe bëmat e një heroi me përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai është vlerësuar lart nga shumë personalitete të shquara të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti se për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë që kanë shkruar për kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare janë Marin Barleti, Naim Frashëri, Fan NoliSabri Godo, Fatos Daci dhe shumë të tjerë.


domenica 21 gennaio 2018

12 vjet nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova

Burrështetasi bashkëkohor me imazhin më perëndimor   
Ibrahim Rugova (1944-2006)

Anton Blakja
Shkruan: Anton Blakja, anëtar i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Ibrahim Rugova, lindi më 2 dhjetor të vitit 1944, në Cerrcë (Istog). Pas vdekjes, nga janari i vitit 2007, i ndahet titulli i nderit "Hero i Kosovës".   

Ai ishte doktor i shkencave në fushën e letërsisë por kur Kosova po lëngonte nga pushtuesi serb ai do të deklaronte: "Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugët e Kosovës vdesin njerëzit e mi."
Kur u njoftua formimi i LDK-së së Kosovës, pakkush besoi se ajo lëvizje e re do të kishte sukses. Jo se nuk kishte të drejtën më vete, por ngaqë përballë kishte një mal me pengesa dhe armiq të shumtë. Ajo "davidke" heroike do të rritej për çdo ditë dhe do të triumfonte mbi "goliathin" serb. Një nga arsyet e asaj mrekullie ishte se në krye të saj u vu studiuesi, intelektuali dhe patrioti i patundur Ibrahim Rugova. Rugova çuditi dynjanë me atë Lëvizje paqësore.
Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova
Askush në Ballkan nuk kishte menduar as guxuar t'i fitonte luftrat me mjete paqësore. Shumica ishin pesimistë deri në tallje, të tjerë ishin dashakeqës, disa u treguan armiqësor. Kështu mendonte edhe ish anëtari i politbyrosë së Partisë së Punës, Xhelil Gjoni. Ky komunsit kollovar i bllokut komunist, pa iu dridhur dora, në tri numra të gazetës "Koha jonë" volli vrer aso kohe, kundër Ibrahim Rugoves. Mendjeshkurtëri xhebrail (Xhelil) arriti deri aty sa t'i ngarkonte Dr.Rugovës edhe mëkatet e Xhaferr Devës, ndërkohë qe i ati i Dr.Rugovës ishte masakruar nga serbët.
Pengesat e shpifjet nga keqdashësit dhe armiqtë nuk e ndalën dhe nuk e lëkundën doktor Rugovën në rrugën e rezistencës paqesore.
"Satyagraha shqiptare" do ta quante bota përparimtare. Satyagraha ose qëndrimi i palëkundur për të vërtetën u artikulua për herë të parë nga Mahatma Gandi pas "Marshimit të kripës". Vendosmeria e së vërtetës shqiptare, e Ibrahim Rugoves, edhe pse më e shenjtë se çdo lëvizje e tillë, kishte shumë më shumë vështirësi nga "Satyagraha" e Gandit.
Marshi i shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës, nën udhëheqjen e Rugovës, bëri bashkimin e shqiptarëve duke sjellë fitoren në arenën ndërkombëtare. Presidenti Rugova, me qëndrimin e tij, i çudiste vizitorët e huaj, gazetarët, politikanët apo zyrtarët e lartë që e vizitonin Kosovën. Ai fliste gjithmonë qetë, buzagaz e me një logjikë të hekurt.
Në kabinetin e tij mbante një bust të Gjergj Kastriotit, një portret të Nënë Terezës, Krishtin e mbërthyer në kryq dhe një portret të Papa Gjon Palit. Citonte me buzëqeshje etërit e kombit amerikan duke i lënë gojëhapur bashkëbiseduesit me diturinë dhe thjeshtësinë e tij.
Për Dr.Rugoven dy ishin qendrat, prej te cilave mund të shpresohej zgjidhja e çështjes shqiptare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (aleat i shqiptarëve dhe garantues të lirisë) dhe Vatikani. Ai zbatonte urtësitë dhe ecte rrugës së Fan Nolit tonë të ndritur.
Presidenti Ibrahim Rugova ishte politikani ndryshe. Një veprimtar tjetërqysh, shumë dritë larg këtyre gërthitësve të neveritshëm.
Me këtë rast, të 12 vjetorit të vdekjes së Presidentit, kësaj figure të ndritur të kombit tonë, dua të kujtoj dy momente, me dy njerëz të ndryshëm, që më kanë mbetur në kujtesë.
Momenti i parë ishte ballafaqimi me armikun, përbindëshin Millosheviç. Në Gjykatën e Hagës Sllobodani, gjakpirësi i shqiptarëve, i bëri këtë pyetje Dr.Rugoves:
- "A mendon dëshmitari se serbët kanë hequr dorë nga Kosova?"
- Të lutem, - i tha Dr.Rugova, me atë buzëqeshjen e tij shpotitëse.
- Për cilët serbë e ke fjalën? Për serbët e Kosovës apo të Beogradit?! Po ta keni fjalën për serbët e Kosovës, ata nuk duhet të heqin dorë, nëse më pyesni për ata të Beogradit, ata tanimë kanë hequr dorë ose duhet të heqin dorë një ditë e më parë nga Kosova.

Momenti i dytë është vizita e fundit e Fatos Nanos,  si kryeministër në Kosovë. Pas takimit me President Rugovën, në pyetjen e gazetarëve nëse kanë folur për pavarësinë e Kosovës, ai u pergjigj me atë shtrembërimin e buzës dhe kapadaillëkun e tij karakteristik: -
- "Pavarsia është diçka e largët... !
Të pranishmit shikuan President Rugovën i cili duke qeshur thjeshtësisht shtoi:
- "Megjithatë ne po punojmë ta afrojmë." I tillë ishte President Rugova.
Sot, kur President Rugova nuk është fizikisht mes nesh, ne përulemi me respekt përpara veprës së tij. Vepra e Rugovës do të jetojë e do të kujtohet sa të jetojë Shqipëria, Kosova dhe e gjithë shqiptaria.
At Zef Pllumi, i cili vuajti 26 vjet burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë:
“U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.

sabato 6 gennaio 2018

Dialektet dhe besimet fetare

DIALEKTET DHE BESIMET FETARE JANË PASURI KOMBËTARE

Nga Kasam SHAQIRVELA
Kasam Shaqirvela
Për popullin shqiptar, sot, është e paktë të mësohet edhe gegërishtja (gegnishtja), kuptohet e unifikuar. Madje duke patur parasysh strukturën konfesionale të kombit tonë do të ishte i domosdoshëm mësimi i konfesioneve fetare që frymojnë ndër ne shqiptarët sot e tërë ditën. Kjo, bashkë me mësimin e gegërishtes, perveç pasurimit të dijes do të forconte edhe bashkimin kombëtar, sepse bashkimi kombëtar nuk bëhet i njëanshëm, ai ështe i gjithanshëm! Individi që ka vlera krijuese të mirëfillta, ai, penën e vet e ngjyen në dy ngjyrat po aq sa i ka flamuri i jonë kombëtar; në ngjyrën e zezë të truallit stërgjyshor dhe në ngjyrën e kuqe të gjakut arbëror. Që të dyja ngjyrat çojnë drejt rrënjëve tona, pra njerëzit e penës ia kanë për borxh kombit t'ia pasurojnë gjuhën dhe jo t'ia varfërojnë apo dhe më keq t'ia ndryshojnë atë duke futur fjalë të huaja në formë të neologjizmave, vend e pa vend. Shumë fjalë që sot janë në fjalorin e gjuhës shqipe, në formën siç janë, shqiptohen me vështirësi kurse të njëjtat fjalë janë të gjalla në gegnishten e që shqiptohen me lehtësi.
Çdo standard gjuhësor duhet të zbatohet gjithsesi por dhe duhet të punohet në pasurimin dhe përparimin e tij. Në pjesën lindore të shqiptarisë ka fjalë të gegnishtes që janë të njëjta me ato të toskërishtes, nuk e kanë vetem ë-në në fund, ka dhe shumë fjalë që janë të gjalla, pra i përdor populli por nuk janë përfshirë në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (FGJSSH). Mos të flasim për studimet gjuhësore të cilat do të ishin të mangëta pa njohjen e thellë të gegërishtes.
Pra, gjuha shqipe është një!
Kombi shqiptar është një!
Madje kultura dhe historia shqiptare është një, tjetër s’ka?!
Dialektet dhe konfesionet janë pasuria e jonë që duhet ruajtur me respekt të ndërsjellë, ato nuk e prekin boshtin dhe nuk mund ta dëmtojnë asesi atë, për arsye se boshti është SHQIPTARIZMI dhe ai është i gjallë njësoj te të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo dialekti, krahine apo rajoni! Po ky bosht, pikërisht ky bosht i qëndron besnik vertikales së vet me mijëra vjet, para e pas Krishtit. Ka sfiduar shumë e shumë momente torzioni nga forcat përdredhëse që i vinin si nga jashtë e si nga brenda. S'ka forcë që e përdredh këtë bosht, sepse, ai është monolit dhe homogjen në nëntëdhjetenëntë fije, një fije të vetme e ka ndryshe e cila fije asesi nuk ngren peshë sado që të jetë e veçantë!
Shqiptarizmi mbetet gjithmonë shqiptar, ai përmes emblemës së vet mijëvjeçare të shqiponjës dykrenore; me njërin sy e shikon lindjen e Diellit e me tjetrin sy e ndjek perëndimin e Diellit...
Pra këto dy koka trupin e kanë të përbashkët, e kanë një, e mbajnë pingul, aty në mes, në mes të Ballkanit, te SHQIPTARIA e shtrirë në trojet e stërgjyshërve, në truallin e lashtë të Atit Pellazg!