giovedì 5 novembre 2020

Ndërroi jetë Remzi Përnaska, një nga gjuhëtarët më të shquar të kombit

 

Nga Prof. dr. Valter Memisha & Prof. dr. Tomorr Plangarica

 05.11.2020

In memoriam


REMZI PËRNASKA - gjuhëtari i shquar, mësuesi e pedagogu i përkushtuar i shqipes e kulturës shqiptare

 


 

Është tejet e dhimbshme në çdo rast humbja e largimi nga jeta e një njeriu të afërt, e një shoku a miku, humbje që shkakton boshllëk e trishtim për familjarët, shokët e miqtë; por kjo dhimbje fiton përmasë edhe më të madhe kur njeriu i larguar nga jeta lë një vepër në shërbim të njerëzve e kontaktet me ta i ka pas vendosur përmes veprës së tij, veprimtarisë së tij, përkushtimit dhe përmbushjes së një misioni. Rasti i studiuesve e dijetarëve, i mësimdhënësve universitarë është ndër më domethënësit e zgjerimit të kësaj dhimbjeje, sepse breza të tërë janë lidhur shpirtërisht e intelektualisht me dijetarin a mësimdhënësin, duke krijuar lidhjen e përhershme edhe pa qenë pranë me ta. E tillë është dhimbja edhe për largimin nga jeta, më 4 nëntor 2020, i prof. Remzi Përnaskës, studiuesit të devotshëm të shqipes e kulturës shqiptare, mësimdhënësit të pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë.

Profesor doktor Remzi Përnaska është gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. Fusha ku ka punuar më shumë është sintaksa e gjuhës shqipe ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike.

Ka lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960, kur u dërgua për të studiuar orientalistikë në Institutin e Gjuhëve të Lindjesnë Moskë. Më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i kreu më 1963.

Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi prej vitit 1963 deri në vitin 1974.

Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe ndoqi kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet, si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca : "Doktor Shteti".

Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris, si edhe në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës si profesor.

Që nga viti 1975 ka qenë anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës, që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997).

Pas kthimit në atdhe më 1982, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991.

Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare "Studime filologjike", "Studia albanica", "Studime", "Gjurmime albanologjike" etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si "Cahiers balkaniques", "Faits de langue", "Travaux du cercle des linguistes de l'INALCO", "Presses Universitaires de France", etj.

Është autor i dy krerëve ( kundrina, rrethanori) të veprës madhore Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpëliesë.

Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës "Studime filologjike", anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë.

Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde.

Ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe në universitete të huaja si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, Sankt-Peterburg, etj.

Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar.

Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, në janar 1994, nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, në tetor 1995, në qershor 1996, në qershor 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj. Ka marrë pjesë me kumtesa në tri Konferencat Ndërkombëtare të organizuara në Sankt-Peterburg, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si edhe në shkurt 1999, në Marsejë, etj. Po ashtu, ka marrë pjesë në tubimet shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në seminaret e konferencat shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës.

Profesor Përnaska ka mbrojtur tri disertacione, dy në Francë dhe një në Shqipëri.

Në vitin 1994 paraqiti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës i dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin "Nxënës i vjetër i Sorbonës".

Ka mbrojtur një disertacion me temën "Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe" dhe ka fituar gradën "Doktor i shkencave" në Shqipëri. Ky disertacion është botuar si libër në Kosovë (Pejë).

Ka mbrojtur një disertacion me temën "Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)" dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca : "Docteur d'Etat és lettres et sciences humaines", si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash. Kjo doktoratë e mbrojtur në Departamentin e gjuhësisë teorike të Universitetit Paris VII, i dha titullin "Profesor" në Francë dhe u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe.

Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë "Professeur associé" në Ecole pratique des hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe.

Profesor Përnaska ka botuar katër libra në Francë. Ka hartuar një libër me titullin "Parlons albanais", që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese " L'Harmattan " dhe u ribotua deri më tani tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu dy doracakë Glossaire et guide militaire de conversation français - albanais, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe Eléments de grammaire albanaise, Complément au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f.

Është autor tekstesh shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, i dhjetëra artikujve shkencorë, botuar në revistat tona shkencore dhe në ato të huaja, i dhjetëra artikujve në shtypin e përditshëm shqiptar. Bibliografia e punimeve të tij është mjaft e pasur. Në vitet 2015, 2018 ka botuar katër vëllimet e para të veprës së tij “Gjuhësi..., ...gjuhësore”, të parashikuar në shtatë vëllime. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kritikës shkencore në albanologji e më gjerë.

Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Osnabruck të Gjermanisë dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali, në Zagreb e Beograd.

Ka qenë i ftuar në universitetet shqiptare të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku ka mbajtur ligjërata për çështje të gjuhësisë teorike e të shqipes së sotme; për vite me radhë mbajti edhe një kurs special të gjuhësisë teorike pranë Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, të cilit i dhuroi bibliotekën e vet albanologjike dhe të gjuhësisë teorike, me rreth 2000 vëllime.

Ka përkthyer nga frëngjishtja këta tre libra : Luan Starova, Faik Konic dhe Guillaume Apollinaire - une amitié européenne, L'Esprit des Péninsules, Paris, 1998, 239 f. ; Christian Gut, Pasco Vassa (1825 - 1892), Prishtinë, 2008, 760 f. ; Gabriel-Xavier Culioli, La terre des seigneurs, Un siècle de la vie d'une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986, 181 f.

Deri ditët e fundit të jetës ka punuar për përfundimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë, si edhe për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale Supérieure në Fontenay/Saint-Cloud.

Prej shumë vitesh profesor Përnaska ka punuar, gjithashtu, për ngritjen e një monumenti me kalë të Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër në Paris.

Është Doctor Honoris Causa i Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, është dekoruar me urdhrin "Naim Frashëri" të klasit të dytë dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës më 2016, me motivacionin: “Për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në botë, si pedagog e pjesëmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.”

Përvoja e tij e gjatë në fushën e studimit dhe botimit, trajtimet e thelluara në shqyrtime, angazhimi njëherazi në probleme nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat që parashtronte dhe parashtron ngutshëm zhvillimi i mendimit gjuhësor në etapa të caktuara e, për më tepër, angazhimi në studime e botime qysh në rini e deri në moshë të mbrame, kanë përvijuar natyrshëm vendin e merituar të kontributeve të tij në fusha të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe e historisë së saj; e në këtë kontekst, vepra e tij i ka siguruar praninë në panteonin e vlerave tona shkencore.

 

giovedì 29 ottobre 2020

Nga Xhemi Hajredini

Lotët e nënës









Ishe qielli im, isha deti yt,
kur buzëqeshje ti, më shkëlqenin syt’.
Vrenjtur kur më rrije,
unë mblidhja dëshpërimin,
për engjëllin tim, kërkoja shërimin.
Kur hapej qielli dhe ndriçonte sërish,
unë dhe ti qëndronim përbri,
flisnim e qeshnim me plot dashuri.
Ç’të të them o bir, tani që nuk je,
kam mbledhur shuk dhimbjet,
lotët rrëke,
zorrët e barkut kujt t’ia rrëfe’?!
Jetëzeza nënë, me zemër copëtuar,
të fala qiellit nga deti i trazuar!













Strugë, 29 tetor 2020

 

sabato 7 marzo 2020

Dy poezi me rastin e Ditës së Mësuesit nga Xhemi Hajredini



"MËSUESI" dhe "NËNA DHE MËSUESJA"

Prof. Xhemi Hajredini











MËSUESI

Në mbretërinë e fantazisë me ndjesi,
u ke dhënë mend e mundësi,
u ke hapur zemrën, ke qenë besues,
ti ke bërë tënden zoti mësues.

Jo të gjithë janë në bokë,
turma, gjithandej, pa kokë!
Formulë magjike ti nuk ke,
mos u mërzit e mos u nxe’!

Pasi i qetove e u hoqe frikën,
prit tani kur të ta ngulin thikën!
Sot për ata s’ka shumë rëndësi,
në ke bërë detyrën me pastërti.

A u keni thënë vetë se diploma s’ka vlerë,
se janë lojëra të tjera që hapin çdo derë?!
Janë qenie të gjalla, të dashur profesorë,
pa u tunduar janë bërë dhe doktorë.

Arsimi është çelësi, more të mjerë,
kaladibrançe nuk luhet ngaherë!
Daullja bie për ata që kanë vesh’,
iku shoqëria, mësues, iku për lesh.

Iku koha e besatarëve dhe dietarëve,
është lojë e shthurur e trutharëve.
Jetë e shëndet të nderuar arsimtarë,
fjalëpakë, besëplotë e kursimtarë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, qershor 2019



NËNA DHE MËSUESJA

Nga shtëpia në mësonjëtore,
shkojnë fëmijët dorë për dore,
nga një kujdestare te një tjetër,
mësojnë të shkruajnë mbi letër.

Besimplotë te nëna, shumë dashuri,
të ëmbël te mësuesja, plot fisnikëri.
Nëna e durueshme, e qeshur, e mirë,
mësuesja e qartë, e qetë, e dëlirë.

Detyrat e klasës me mësuesen si zana,
n’ato të shtëpisë, përfshihet dhe nëna.
Shkruajnë, ngjyrosin, flasin dhe këndojnë,
valle fëmijësh dëgjojnë e vallëzojnë.

Ecin fëmijët si barka mbi liqen,
duan natyrën, gjithçka u pëlqen.
Emra, folje, fjalë, për bukuri,
tani dinë të thurin pareshtur fjali.

Lum si ne, me mësuese dhe nëna,
që na japin dritë ashtu si hëna.
Gëzuar festat, shëndet dhe jetë,
admirim e mirënjohje, përjetë!

© Xhemi Hajredini
Strugë, 10 shkurt 2020

giovedì 16 gennaio 2020


Dy poezi nga Prof. Xhemi Hajredini

Xhemi Hajredini














Errësirë 

Errësirë shpelle, 
gjithë të vdekur në gjumë,

qyteti me udhë të braktisura.

Grykëderdhja gurgullonte,
një lypës murmuriste
një lutje.
Errësirë,
dikush gjakftohtë,
kërkonte të grabiste,
qetësinë dhe dashurinë
e natës.
Agu i dritës po vinte,
errësira e mendjes
e prishi rehatinë e natës.
Dashuria e ëndërruar
mori fund,
errësira e natës kish ndërruar vend
me errësirën e mendjes.
Tani lypsen krahë,
për nder të bukurisë,
dashurisë dhe pafajësisë
së vrarë.
Natë, buzë Liqenit të Strugës (Ohrit)


















Si stinët...

Ashtu si stinët,
që faqe ndërrojnë
kur njëra-tjetrën kalojnë...
Si pranvera për zogj,
për agime të trëndafilta,
filiza dhe erë lulesh...
Vera për ngrohtësinë e diellit
dhe kthjelltësinë e qiellit...
Vjeshta për t’bukurën
natyrë me ngjyrë...
Dhe dimri,
(me sythat e pranverës)
që kërkon shi dhe bardhësi...
Ashtu dhe unë kam nevojë,
për pak metamorfozë e bojë,
për pak dashuri e fantazi,
për paqe dhe... ndonjë poezi.

Grykëderdhja e Drinit të Zi gjatë 4 stinëve - Strugë











©Xhemi Hajredini
Strugë, 20 janar 2020

(Foto nga Amer Demishi)



martedì 10 dicembre 2019

Në Parmën e Xhuzepe Verdit

LUTJE SHQIP NË KATEDRALEN E PARMËS
Parma, 9 dhjetor 2019 
Përgatiti Xhemi Hajredini - Administrator i grupit "Gjuha shqipe pa gabime"
Xhemi Hajredini

Mbrëmja e ditës së shtunë, 7 dhjetor 2019, në Parmën e Xhuzepe Verdit, ishte shumë e veçantë për komunitetin shqiptar që jeton në këtë qytet. Ishte e veçantë edhe për ne që shkuam si mysafirë enkas për t’i nderuar dhe përgëzuar për të gjitha aktivitetet kulturore që i organizojnë shqiptarët në Itali. E veçanta tjetër, kësaj radhe, ishte se Katedralja madhështore e Parmës kishte hapur dyert për bashkëpunim me komunitetin shqiptar për të organizuar një meshë lutje për shpirtrat e 51 viktimave nga tërmeti tragjik që përfshiu Shqipërinë, më 26 nëntor të këtij viti.
Mesha i dedikohej edhe heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Ishin momente të një shtrëngim duarsh në shenjë paqeje e shprese, momente solidarizimi me mesazhe për bashkëjetesë dhe tolerancë ndërfetare, si vlera të çmuara të popullit tonë.
Me mesazhe të këtilla u paraqitën prifti katolik Dom Elia Matia, Myftiu i Strugës Salim Sulejmani, publicisti Xhemi Hajredini si dhe gazetari Ndue Lazri.   

Myftiu i Strugës, Salim Sulejmani, i deleguar i BFI-së në RMV, mbajti një fjalim mbresëlënës, kushtuar bashkëjetesës ndërfetare në trojet shqiptare, ku ndër të tjera tha:


“Misioni i krijesës më të mrekullueshme të Zotit, njeriut, është shpërndaja e dashurisë mes njerëzve dhe respektimi i diveristetit kombëtar dhe fetar.

Një nga modelet më të shkëlqyera të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare është kjo që kemi ne shqiptarët. Për këtë na ka zili edhe bota. Një zhvillim i këtillë, i palëkundshëm, i kësaj atmosfere, është forcuar ndër breza. Me këto vlera të çmuara identifikuese të shoqërisë dhe familjes sonë duhet të ndihemi krenarë karshi popujve të civilizuar të botës.

Bashkëjetesa ndërfetare, lirshëm mund të them, përçon një mesazh që është në dobi dhe në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, në dobi të vlerave morale të shqiptarëve dhe jo vetëm. Shqiptarët sot, krahas kulturës me vlerë glorifikuese, si besa dhe mikpritja, një element tjetër të fort dallues, ndër popujt e botës, kanë tolerancën ose më saktë mirëkuptimin ndërfetar. Ky fakt përbën një nga profilet më të spikatura të modelimit kulturor, evident jo vetëm në të kaluarën por edhe në ditët tona.

Si popull multifetar, me një bashkëjetesë tradicionale, jo vetëm në shtetin amë (në Shqipëri) por edhe në trojet të tjera etnike dhe multietnike, lirisht mund të them se ne pasqyrojmë një shembull të veçantë të harmonisë ndërfetare në historinë e popujve të Ballkanit dhe më gjerë.

Edhe sot shqiptarët e kultivojnë bashkëjetesën ndërfetare dhe ndëretnike, pa përçarje dhe diskriminim. Edhe shembulli juaj, i integrimit të shkëlqyeshëm këtu në qytetin e Parmës në Itali, tregon dhe vëreton se ne jemi një popull dashamirës dhe paqedashës.

Të bashkuar jemi më të fuqishëm. I madhi i kombit, hoxhë Mulla Idriz Gjilani thotë se “I kemi tri fe, por të përbashkët, kemi vetëm një atdhe”.

Do t’i tjekalojmë të gjitha vështirësitë por vetëm duke qëndruar njëri pranë tjetrit, jemi popull i vogël për të qenë i ndarë. Largësia juaj nga atdheu nuk paraqet pengesë për ta shfaqur dashurinë ndaj tij, për ta shfaqur dashurinë ndaj njerëzve të një gjaku.

Dhëntë Zoti i gjithëmadhërishëm, që zemrat e thyera nga gjëma dhe pasojat që përjetuam nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u godit perla e Shqipërisë, t’i kalojmë nëpërmejt veprimeve të përbashkëta, me një solidarizim të këtillë siç kemi bërë dhe po bëjma akoma.”



Prof. Xhemi Hajredini, publicist nga Struga, duke e përshëndetur komunitetin shqiptar dhe qytetarët italianë të Parmës, në katedralen e këtij qyteti të vjetër univesritar dhe kulturor do të shtonte: 
    


“Ne, me qytetërim arbnor, duhet të krenohemi me historinë dhe personazhet e historisë sonë.
E shikoni se ç’bëhet sot, këtu në Parma, edhe pas pas 550 vjetësh emri i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, arrin të bashkojë popuj. Emri i shenjtores sonë, Nënë Tereza, vazhdon t’i ngroh akoma zemrat e besimtarëve dhe varfanjakëve.
Jeronim De Rada te Skënderbeu, nuk admironte vetëm njeriun me kurajo, strategun e aftë, por edhe krijuesin e një ideje të vëllazërimit, ai që kishte ndezur një zjarr të shenjtë në zjarrin e fisit e që ua kishte mësuar njerëzve të lidhur nga i njëjti gjak dhe e njëjta gjuhë, me qëllim që të konsiderohen bij të së njëjtës nënë.
Nga personalitete dhe historianë të huaj, ai ka marrë edhe epitetin “Ideatori i aleancës së parë euroatlantike”.
E shikoni se ç’bëhet në Durrës e rrethinë, pas rënies së tërmetit?! Ka ndodhur bashkimi i paparë i kombit, një strukturë antisizmike, një solidarizim i vrullshëm, një fisnikëri vëllazërore. Gjaku, edhe pse i shprishur, që thonë arbëreshët, nuk bëhet ujë.
Kjo quhet atdhedashuri.
Atdheu do punë, do mend e dashuri, jo inate, mllef e kokëfortësi. Kështu do të bëhet edhe rindërtimi i Shqipërisë.
N’daç me gzue t’bukrën liri
mos shkel fis, as mik, as fe,
pse n’kto sheja bota mbarë
na dallon se jem shqiptarë... (At Gjergj Fishta)

 "Trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme." (Faik Konica)   
                    
Apostull i idesë kombëtare është shqiptarizmi. SHQIPTARI duhet të falet, t’i lutet Zotit, të jetojë e të vdes si shqiptar. Luftërat fetare janë të panjohura për shqiptarët. Shqiptari para së gjithash është shqiptar, e kanë konfirmuar edhe të huajt këtë konstatim. Diga mbrojtëse, diga e rezistencës kundra sfidave aktuale politike dhe jo vetëm është shqiptarizmi.
Shqiptarë, kosovarë, arbëreshë, shqiptarë të Maqedonisë, shqiptarë muslimanë, katolikë apo ortodoksë, janë të gjithë SHQIPTARË. Duke mbrojtur vlerat tona kombëtare, tolerancën e trashëguar ndërfetare, trashëgiminë kulturore, do të jemi komb më i dashur dhe më i respektuar nga të tjerët.
Arshi Pipa, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, që ka vepruar në SHBA, duke modifikuar paksa thënien e Fishtës, ka thënë: “Ne i kemi të ndryshme Bajram e Pashkë, por besë e nder i kemi bashkë
Atdhedashuria, shqiptarizmi, janë ndjenja të thella shpirtërore dhe këto nuk mund të injorohen. Me këto virtyte kemi bërë miq e dashamirë të kombit e të vendit tonë. Vlerat e shqiptarizmit janë letërnjoftimi i shqiptarëve. Atdhedashuria është pjesë edhe e besimeve fetare. Nuk besoj të ketë ndonjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj atdheut dhe dashurisë së tij ndaj Zotit. Imazhi i kombit në botë pasqyrohet nëpërmjet vlerave kombëtare: gjuhës, kulturës, traditave, trimërisë, zhvillimit ekonomik, nëpërmjet paraqitjes së natyrës së bukur e të mbrojtur, sigurisë, të qenurit shqiptarë të mbarë, të mirë, të lirë…
Mirënjohës ndaj të gjithëve por më shumë ta duam vetveten dhe atdheun tonë, sidomos tani që po lëngon!”

Koj mbrëmje lutjesh u shoqërua me një pjesë artistike nga flautistja Monika Bekolli dhe sporanoja Anila Hoxha Gjermeni, pastaj grupi i fëmijve te kostume kombëtare, vallëtarë dhe nxënës të shkollës shqipe në Parma, me flamur kuqezi. 
Gjatë po kësaj dite në po këtë qytet, nga "Skanderbeg
Parma" u përurua busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në kuadër të  edicionit të 13-të të muajit të kulturës shqiptare, në parkun Eunice Kennedy u vendos busti i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ishte një kënaqësi e vërtetë por të gjithë, pa përjashtim, kishin një vërejtje të drejtë se pjesa bazë ku qëndronte busti  i heroit ishte shumë e ulët. Arsyetimi i organizatorëve ishte se këto përmasa ua kishin lejuar autoritetet e Komunës së Parmës por në një të ardhme të afërt me ndonjë kërkesë plotësuese edhe mund të modifikohet.
Një bravo për Forumin e Grave të Pavarura, me seli në Parma, për punën e tyre të palodhshme dhe organizimin e kësaj ngajrje të veçantë (meshë - lutje për shqiptarët) në Katedralen e Parmës.