mercoledì 31 ottobre 2018

Prindërit dhe mësuesit janë të trembur nga niveli i arsimit


Prindërit dhe mësuesit janë të trembur nga niveli i arsimit

Arsimi publik
Xhemi Hajredini
Sistemi publik arsimor është i vjetëruar, sistemi arsimor është i trazuar...
Ankohen mësimdhënësit, ankohen prindërit, ankohen qytetarët.
Ka qenë më mirë dikur, është më mirë sot...
Mësimdhënësit nuk na bëjnë, cilësia e mësimdhënies çalon, prindërit nuk na ndihmojnë, nxënësit nuk na varin veshin, nxënësit vishen mirë, por edukohen keq dhe opinione të ngjashme rreth arsimit publik sot, si te ne ashtu edhe në botë.  
Kuadri ligjor nuk ndihmon shumë nëse organet drejtuese, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit nuk janë në nivelin e duhur. Secili duhet të punojë me përgjegjësi të plotë duke i kryer me vullnet detyrat e ngarkuara. Askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë. Trekëndëshi i bashkëpunimit mes nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve nuk guxon të mungojë.
Ne jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, ndryshimet sipërfaqësore dhe formale nuk sjellin sukses. Lypset një bashkëpunim i fortë, një sistem i ndërvarur, një përkrahje aktive dhe krijuese mes palëve të përfshira.

Ditë më parë në të gjitha mediat vendore dhe botërore, sidomos në rrjetet sociale,  qarkulloi një letër e një mësueseje në pension e cila ka shkruar një letër të çiltër dhe të hapur, nëpërmjet së cilës i fajëson prindërit.
Prindërit e kanë fajin, thotë mësuesja Lisa Roberson, nga Wrensi (SHBA).

“Mësuesit nuk mund ta bëjnë në të njëjtën kohë edhe punën e tyre edhe atë të prindërve të nxënësve.”

Ky është edhe thelbi i letrës së mësueses Lisa, drejtuar prindërve të papërgjegjshëm.
E kemi dëgjuar shpesh nga prindërit të thonë se mësuesit duhet t’ua mësojnë edukatën dhe mirësjelljen. Po ata vetë ç’duhet të bëjnë?! A nuk duhet ata t’ua mësojnë edukatën bazë fëmijëve të tyre?! 

Ja ç’shkruan ajo më tej: 
"Si mësuese në pension, jam e trishtuar nga njerëz që nuk dinë asgjë për shkollat ​​publike ose nuk kanë qenë për një kohë të gjatë në një klasë dhe nga ana tjetër dëshirojnë ta rregullojnë sistemin arsimor.
Mësuesit nuk janë problemi! Prindërit janë problemi! Ata nuk u mësojnë fëmijëve mënyrën e sjelljes, respektit apo edhe njohuritë e përgjithshme sesi të bashkëjetojnë me të tjerët.
Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se e gjithë veshja e mësuesit, por nuk kanë as laps as fletore. Kush ua siguron ato? Mësuesit sigurisht.
Kur të dëgjoni se shkollat nuk funksionojnë, përqëndrohuni te prindërit dhe nxënësit. A vijnë prindërit në takimet prindërore? A flasin ata rregullisht me mësuesit? A sigurohen nëse fëmijët e tyre janë përgatitur dhe furnizuar me gjërat e nevojshme? A sigurohen nëse fëmijët e tyre i kanë bërë detyrat e shtëpisë? A i nxisin fëmijët (nxënësit) të marrin shënime në klasë? A dëgjojnë nxënësit në klasë apo janë shkaktarë të ndërprerjes së mësimit?
Kur t’i vlerësoni këta faktorë, do të bindeni se faji është i prindërve dhe nuk bie te shkollat  "e dështuara”, siç thonë. Mësuesit nuk mund të bëjnë punën e tyre dhe punën e prindërve. Derisa prindërit të ndryshojnë dhe të bëjnë punën e tyre, gjërat nuk do të përmirësohen!" – thotë ndër të tjera mësuesja amerikane, Lisa Roberson.

Tani për ne, çka mbeti për të diskutuar?
A vërtet prindërit janë problemi apo na çalon i gjithë sistemi?!


Përgatiti: Xhemi Hajredini
Administrator i "Gjuha shqipe pa gabime"

lunedì 29 ottobre 2018

TE apo TEK


PËRDORIMI I PARAFJALËVE "TE" DHE "TEK"


Xhemi Hajredini - Administrator

Parafjalë f. gjuh.
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që përdoret si fjalë shërbyese përpara një emri, një përemri a një numërori (në një rasë të caktuar) ose përpara disa ndajfoljeve, për të shprehur marrëdhëniet midis gjymtyrëve në një togfjalësh (p.sh. në, mbi, me, pa, nga, për, prej, nëpër etj.). Parafjalë e thjeshtë (e përbërë). Përdoret me (pa) parafjalë.

Kur duhet të përdorim parafjalën "te" dhe kur "tek"?
Që të mos kemi dilemë gjatë përdorimit të tyre duhet t’i konsultojmë rregullat e përcaktuara drejtshkrimore.

Ø Parafjala TE përdoret gjithmonë kur fjala që vjen pas fillon me bashkëtingëllore. P.sh.: Arla shkoi te gjyshi (te tezja, te halla). Unazën ia la te pragu i derës. U mbështetën te miqtë. 
Shembuj të tjerë : "te lagjja", "te miku", "te zyra përballë", "te spitali" etj.

Ø  Parafjala TEK përdoret gjithmonë kur fjala që vjen pas fillon me zanore. P.sh.: Mësuan tek Era, shoqja e tyre e klasës. Ato i përsëritën të gjitha mësimet tek unë (tek oborri).
Shembuj të tjerë : tek ura, tek unë, tek Era, tek i ati (e ëma), tek ana e lumit, tek anija etj.

Për të diskutuar:
Parafjala dialektore "ke" që ka gjetur një përdorim të gjerë, p.sh. Ke shtëpia, ke ura, ke muri, ke e ëma – i zëvendëson të dyja parafjalët dhe shmang dilemën e përdorimit të parafjalëve “te” dhe “tek”.  

Dilema tjetër është nëse parafjala “tek”, përveç përpara fjalëve që fillojnë me zanore të përdoret edhe përpara fjalëve që fillojnë me bashkëtingëlloren e shurdhët "t". P.sh. "tek ti" dhe jo "te ti"; tek traktoristi dhe jo “te traktoristi"...
Gjithashtu kohët e fundit po kërkohet që parafjala TEK të përdoret dhe para fjalëve që fillojnë me bashkëtingëllore të tingullt, si: m, n, nj, l, ll, si dhe bashkëtingëlloret e shurdhëta t (që e përmendëm më sipër) dhe k, për shkak të përplasjes së bashkëtingëllores k të parafjalës TEK me fjalët që fillojnë me këto bashkëtingëllore, por deri tani këto hipoteza nuk janë kthyer në norma, ndaj dhe ne duhet t’i ndjekim rregullat e përcaktuara të drejtshkrimit.
Dilema e fundit (është thënë e stërthënë) është nëse ka ardhur koha që disa rregulla të përmirësohen dhe disa fjalë të shtohen në fjalorët tanë ekzistues! 

(Material i përmbedhur nga diskutimet e grupit "Gjuha Shqipe pa gabime", Fjalori i gjuhës shqipe dhe Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe.)