mercoledì 18 ottobre 2017

Traditë - Histori


FSHATI KRYEZJARRTH


Nga B. Dylgjeri - anëtar i rregullt i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

     Vetëm pak kilometra në jug të Elbasanit ndodhet një fshat i vogël i quejtun Kryezjarrth. Ky fshat ban pjesë në grupin prej 19 fshatrash të Shpatit të Ulët dhe sipas gojëdhanave, ky fshat asht shumë i vjetër dhe banohet prej shekujsh. Asht fshat i bukur kodrinor, me banorë të qetë e shumë punëtorë. Ullishtat përreth dhe kopshtijet e sistemueme e të mbjella me perime të ndryshme, të japin ndjesinë sikur ke përballë një pejsazh të gjallë të Van Gogh-ut. Por, të bȃn përshtypje emni i tij, emni Kryezjarrth. Nuk dihet saktë se kur ȃsht quejtun kështu ky fshat, si e ka pasun emnin fillestar, kush e quejti etj.
     Por le të ndalojmë ke emni, që ka sot, Kryezjarrth. Âsht nji nativizim krejt shqip, emën i përbȃmë nga fjalët “krye” dhe “zjarr-th” e që i ka rezistue me kryeneçësi huturbisë së sllavizmave që kanë kaplue shumicën e toponimeve tona.
Në mes të fshatit dhe buzë nji p’rroi që dredhon aty pranë, gjindet nji kodër të cilën vendasit e quejnë Bregu. Kjo kodër, Bregu, ka nji pozicion topografik të favorshëm për zonat përreth dhe që aty shikon lirshëm Bregoren e fshatit Shelcan, dhe Fushën e Kuqe të Gjinarit.
    Bregu i Kryezjarrthit adhurohej nga të moçmit se ȃsht vend i lidhun me historinë e kryengritjeve antiosmane. Duke qenë fshat afër Elbasanit, fshatarët e tij kishin mundësi me shikue çdo lëvizje të trupave osmane kur dilnin nga qyteti. Tradita gojore e fshatit na bȃn me dije se sa herë që ekspeditat ndëshkimore osmane e lëshonin fortesën e Elbasanit dhe kapërcenin Shkuminin për me shtypun kryengritësit shpatarakë, ke Bregu ndizej nji zjarr shumë i madh. Aq i madh bȃhej zjarri, sa flakët dhe ndriçimi i tij dukeshin edhe ditën prej disa kilometrave larg. Ky zjarr ishte shenjë dhe kod për me komunikue dhe njoftue fshatrat e tjerë për me u mbrojt nga rreziku. Ishte mënyra mȃ e shpejtë për me lajmërue, kur nuk kishte rrugë dhe as mjete të tjera komunikimi. Pra, në “krye” të herës (në fillim) “zjarri” i parë njoftues ndizej këtu, për të vijue me zjarre të tjerë të ngjashëm në fshatrat e malësisë si, Gjinar, Zavalinë, Polis etj. Lajmi merrte dhenë për pak orë dhe burrat e aftë për luftë zinin prita në grykat dhe honet ku do kalonte ushtria e huej, ndërsa merrnin masat për pleqtë, gratë, fëmijët dhe bagëtinë të cilët i strehonin në pyll.
     Thuhet se prej kësaj historie ngeli emni i fshatit Kryezjarrth.
     (Këtë histori e ka rrëfyer i ndjeri Petër Oga, nga ky fshat, i cili ka ndërrue jetë në moshën 96 vjeçare).
Kryezjarrthi, Elbasan 

martedì 17 ottobre 2017

Fshati Karakullak

Traditë - Histori

FSHATI KARAKULLAK


Nga B. Dylgjeri - Anëtar i rregullt i grupit "Gjuha Shqipe pa gabime"

Në largësi prej 3-4 kilometrash në perëndim të Elbasanit e pranë përroit të Kushës ndodhet fshati i bukur Karakullak. Është një fshat i vogël, me toka të begata dhe bujq mjaft punëtorë. Aty pranë rrjedhin ujrat e përroit të Kushës dhe pak më në veri ndodhet Manastiri i Shën Joan Vladimirit. Mirëpo, emri i këtij fshati nuk ka sesi të mos tërheqë vëmendjen e kujtdo: Karakullak. Pa asnjë diskutim është një nga toponimet e pakta osmane në zonën e Elbasanit. 

Fshati Karakullak
Por, si quhej më parë ky fshat, çdo të thotë Karakullak, kur e mori këtë emër të çuditshëm dhe kush ishte arsyeja, nuk dihet. Më kujtohet se dikur pata pyetur një plak nga ai fshat për emrin e fshatit të tij dhe a e dini se ç’më tregoi? 
"Karakullak" do të thotë: rreth i zi. Gojëdhana thotë se aty nga fillimi i viteve 1900, dy oficerë të lartë osmanë që ishin duke kryer misione verifikimi në terren, pasi kaptuan kodrat me ullishta, ranë poshtë në fushë e aty hasën një bujk vendas rreth dyzet vjeç, që ishte duke lëruar arën e tij me një pendë ku ishin mbrehur dy qe. Megjithëse kishte trup muskuloz puna e rëndë po e mundonte bujkun dhe nga rrudhat e ballit i kullonin djersët çurgë. Kafshët e gjora u trembën nga prania e beftë e dy burrave dhe shkallmuan kularin e u lëshuan si të tërbuara nëpër arën gjysmë të punuar. Bujku i fuqishëm shtangu për një çast dhe hodhi vështrimin nga të huajt. Pa bërë zë, ai u vërsul mbi njërin ka të pendës së tij dhe pasi e mbërtheu nga brinjët atë e qetësoi duke e fërkuar nën gushë dhe e dërgoi tek kulari i pendës ku e lidhi. Po kështu veproi me kaun tjetër dhe rinisi punën e tij të zakonshme. Fuqia dhe mençuria e atij bujku i bënë shumë përshtypje oficerëve të huaj të cilët u afruan dhe pyetën si quhet. Njëri prej tyre diç shënoi në një bllok. 

Pas pak vitesh në Stamboll po zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare sportive e mundjes së lirë dhe një mundës anglez i fuqishëm i kishte palosur të tërë mundësit turq që i kishin dalë në ring. Të turpëruar nga këto humbje që “cënonin lavdinë e Perandorisë”, organizatorët vendas nuk po dinin çfarë të bënin. Pikërisht, në njërën nga këto ndeshje kishte qëlluar të jetë shikues edhe njëri prej atyre oficerëve që kishin parë bujkun shqiptar që nënshtori me lehtësi të dy qetë e hazdisura. Menjëherë ai njoftoi komisionin për bujkun shqiptar dhe po atë mbrëmje u nisën kalorësit turq të cilët e morën bujkun dhe pas pak ditëve u kthyen në Stamboll. Dhe ja tani, në ring u vendosën shqiptari i veshur vetëm me brekushe të gjata, i ndrojtur, i turpshëm dhe i hutuar nga britmat e mijëra tifozëve. Përballë tij anglezi i gjatë, flokëkuq dhe i fuqishëm. Ky i fundit e pa me mospërfillje kandidatin e radhës dhe për ta ofenduar sikur donte të thoshte ku ma gjetët këtë dordolec, e qëlloi me shuplakë në fytyrë. I rrufeshëm ishte reagimi i bujkut tonë i cili u ndje i fyer nga dacka që hëngri turinjve përpara gjithë atij mileti që nuk pushonte së klithuri. Me një lëvizje të shpejtë bujku shqiptar e goditi anglezin flokëkuq në bark me gishta të zgjatur por të bashkuar si një thikë. I çau atij barkun atij dhe me dorën tjetër e mbërtheu prej fyti dhe e rrëzoi për tokë. Gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë. Rivali flokëkuq u shtri sa gjatë e gjerë në ring dhe nuk dha asnjë shenjë të vazhdimit të lojës. Ndërhyrja e arbitrit përcaktoi fundin e ndeshjes dhe fare papritur bujku shqiptar u shpall fitues. Britmat dhe ulërimat e mijëra të tifozëve për fitoren oshëtinin nga të katër anët dhe shqiptari u bë i famshëm brenda natës. 

E pra, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje për këtë fitore e për më tepër që vuri në vend “krenarinë e Perandorisë”, pushteti osman i përjashtoi të gjithë banorët e atij fshati nga detyrimet tatimore apo ua lehtësoi ato. 
Që nga ajo kohë, për t’u dalluar nga të tjerët, ky fshat u shënua në hartë me një rreth të zi (karakullak). Fjala “kara-kullak”, që në gjuhësi quhet kompozitë, është me origjinë osmane dhe do të thotë: Rreth i Zi, i qarkuar me rreth të zi etj... 
E gjithë kjo histori ngjan si një përrallë, por unë po ritregoj atë që kam dëgjuar. Vetëm kur të bëhet e mundur hapja e regjistrave osmanë do të verifikohet kur dhe pse iu dha ky emër fshatit që ne ende sot e quajmë Karakullak. Ku i dihet….!