DITA E VERËS
A mund të ketë lidhje midis festës së Ditës së Verës,
perëndeshës ilire Zana dhe vendit të quajtur Rrapi i Mansit?
|
Bukurosh Dylgjeri |
Përgatiti: Bukurosh DYLGJERI
Që prej moteve të shkuara popullsia qytetare elbasanase
feston më datë 14 mars të çdo viti, Ditën e Verës. Është festë dukshëm e
Elbasanit, ndonëse me rite të ndryshme dhe më të zbehta kjo ditë festohet edhe
nga banorët e zonave përreth. Por, ç’është kjo ditë dhe kujt i kushtohet, kur
ka lindur kjo festë dhe pse është caktuar data 14 mars… janë disa prej pyetjeve
që natyrshëm i vijnë në mendje çdo njeriu.
Nga gojëdhanat kuptojmë se është festë iliro-pagane e që
e ka zanafillën nga mugëtira e shekujve të harruar. Çuditërisht kjo Ditë e
Bekuar u festua si gjatë pushtimit osman, ligjet e të cilit (Sheriati Islamik)
ndalonin rreptësisht praktikimin e çdo forme të idhujtarisë politeiste, ashtu
edhe gjatë diktaturës komuniste e cila fillimisht e shpërfilli fenë derisa në
vitin 1967 e ndaloi me ligj atë. Por, është fakt se gjatë 45 vjetëve të kësaj
diktature, Dita e Verës vazhdoi të festohet nga komuniteti qytetar elbasanas,
pothuajse me një miratim të heshtur dhe gjysmëzyrtar të tyre. Për këtë të
fundit flitet se mund të ketë ndikuar ndërhyrja e ndonjë elbasanasi me
influencë pranë diktatorit të cilit duhet t’i ketë shpjeguar se kremtimi i
kësaj feste nuk ka lidhje me praktikat monoteiste, se është një festë
iliro-shqiptare, që ka të bëjë me kulturën e lashtë dhe parahomerike të
popullit tonë etj.
Megjithatë, kemi të drejtë të pohojmë me krenari se
festimi i Ditës së Verës si pjesë e kulturës sonë shpirtërore, ka zënë vend si
guri i qoshit në kujtesën qytetare elbasanase dhe i ka mbijetuar shkulmeve
haxhiqamiliste të çdo kohe. Po kështu, duhet theksuar se kjo festë nuk është e
“importuar” nga Orienti siç rreket ndonjë të na mbushë mendjen. Të paktën
turqit nuk e kanë festuar dhe as nuk e festojnë këtë ditë, e nëse ka popuj të
tjerë në botë që e festojnë atë, shpjegimi duhet kërkuar tjetërkund.
Ndoshta disa ngatërrojnë festën tonë të Ditës së Verës me
Nev-Ruz që do të thotë Dita e Re e që festohet më datë 22 mars të çdo viti nga
bektashinjtë të cilët e kanë prejardhjen nga krahina e Horasanit në Iran. Siç
dihet persët e lashtë ishin njohës shumë të mirë të astronomisë dhe data e
mësipërme i referohet ekuinoksit pranveror pas të cilit ditët fillojnë e bëhen
më të gjata se nata. Por, nëse festa jonë rajonale, Dita e Verës, do të ishte
festë e bektashinjve, atëhere si ka mundësi që banorët e rajoneve të tjera të
vendit tonë e veçanërisht nga Berati deri në Tepelenë ku ndodhen me shumicë
bektashinjtë nuk e njohin fare këtë ditë? Për të kundërshtuar deri në fund
pretendimet mbi origjinën persiano-islame të Ditës së Verës do të shtojmë edhe
faktin se çuditërisht Dita e Verës festohet në të njëjtën ditë, pra më 14 mars,
por me rite të veçanta edhe nga banorët e zonës së Shpatit në malësinë jugore
të Elbasanit të cilët i përkasin besimit orthodhoks.
Por, ç’është pra, kjo ditë!?
Fatkeqsisht ne nuk kemi në dorë dokumentacion të
nevojshëm pasi siç dihet që nga antikiteti deri në mesin e shekullit XX vendi
ynë u bë pa dëshirën tonë rrugë-kalimi dhe fushë-betejash i keltëve, romakëve,
barbarëve, normanëve, sllavëve, kryqtarëve, bizantinëve, osmanëve,
austro-hugarezëve e më pas i italianëve e gjermanëve. Por, gjeniu popull na ka
dhënë dëshmi të shumta nëpërmjet përrallave, gojëdhanave, këngëve, miteve,
legjendave, toponimeve etj. Nga këto gojëdhana mësojmë se Dita e Verës i
kushtohet perëndeshës iliro-pagane Zana dhe simbolizon rilindjen e jetës me
ardhjen e pranverës luleshumë, begatinë, mirësinë, çeljen e gjethit të ri…pas
dimrit të ashpër me cingërimë dhe erë të ftohtë. Është festë kolektive ku
gëzojnë me hare të gjithë, pavarsisht moshës, besimit fetar, kamjes dhe pozitës
shoqërore.
Dikur festa kishte ritet e veta dhe niste që në buzëmbrëmjen e një dite më parë
kur nënat e gjyshet tona të urta dhe bujare sipas një kodi tradicional e duke
mërmëritur në heshtje formula magjike e dogma, përgatisnin në enë bakri
ëmbëlsirat tona tipike: ballokume dhe revani. Këto janë ëmbëlsira të thata e
mund të merren lehtësisht me vete. Të nesërmen në mëngjes të rriturit vendosnin
plisa dheu të feskët nëpër parvazet e dritareve apo dyerve, djemtë e vegjël
shkëmbenin me të afërmit “hisen” e ëmbëlsirave gjatë ritit të të bërit “kamë”
etj. Më pas fillonte rrugëtimi i qytetarëve grupe-grupe në vendet piktoreske të
ngarkuar me bohçet e mbushura me ëmbëlsira, mish të pjekur shpendësh, arra,
pala fiku, portokalla, vezë e misra të zier etj. Në lëndinat me bar dhe lule të
sapoçelura mblidheshin së bashku familjet e çdo fisi të cilët pasi shtroheshin
në shesh, hanin e pinin, këndonin, gëzonin, organizonin lojra popullore etj.
Siç shihet, karakteristikë e kësaj feste është se ajo festohet vetëm në vende
të hapura në natyrë, çka përputhet me panteizmin pagan ilir që adhuronte vetëm
natyrën dhe fenomenet natyrore. Ndër vendet më të preferuara për këtë qëllim
ishin Rrapi i Mansit, Busheku, Kroi i Kalit, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Burimi
i Ali Xhinsit, Burimi i Bangës, Tepja etj. Por, vendi më i pëlqyeshëm që i
tërhiqte si magnet njerëzit ishte padyshim Rrapi i Mansit! Por, pse ndodhte
kjo, çfarë i shtynte njerëzit që të drejtoheshin në mënyrë të pavetëdijshme
atje, çfarë fsheh ky vend i mistershëm?
Që në krye të herës, ky vend idilik që ndodhet buzë një
kodre në anën lindore të qytetit të Elbasanit njihej dhe thirrej nga vendasit
me emrin: Ledhja e Madhe, duke iu referuar një grumbulli rrënojash antike që
ndodheshin atje e me famë të madhe dikur. Siç dimë nga historia, pas pushtimit
romak dhe gjatë ndërtimit të udhës tokësore Egnatia prej tyre, ata ngritën
shumë mansio (stacione) përgjatë kësaj rruge që shërbenin si vend çlodhje për
karvanet etj. Një mansio i tillë u ngrit edhe këtu ku ishte Ledhja e Madhe.
(Prej këtij “mansio” dhe drurit të një rrapi të madh që ka mbirë aty, lindi
toponimi i ri që përdoret ende sot: Rrapi i Mansit. (Po kështu, edhe përroi që
gjarpëron aty pranë quhet Manasdere).
Në segmentin rrugor nga Elbasani deri në vendin e quajtur
Ura e Haxhi Beqarit në fshatin Mirakë, prej ku Egnatia shkëputet nga bregu i
djathtë i Shkumbinit për të vijuar në malet e Polisit, një nga këta stacione u
emërtua prej romakëve me emrin Add Dianam Candaviensis (Diana) i cili mendohet
se është varianti latin identik i Zanës ilire. Ka të ngjarë që mansio Diana të
jetë ngritur pikërisht në vendin ku më parë duhet të ketë qenë tempulli
hijerëndë i Zanës ilire (Ledhja e Madhe!), të cilët më pas bashkë me
kështjellën e Skampës (Elbasanit) u shkatërruan në vitin 479 e.s. prej duhisë
së barbarëve gjermanikë të udhëhequr nga Theodoriku në fillimet e Mesjetës, të
cilët pasi shkatërruan Romën më herët në vitin 476 e.s. i ranë Ballkanit tej e
tej duke e djegur dhe plaçkitur.
Semantika e fjalës Zana e cila në gjuhësi i përket gjinisë femërore, nënkupton
funksionin natyror të pjellorisë e ripërtëritëse të jetës çka është në
përputhje të plotë me vetë motivin e festës.
Shekuj më vonë, dhe pikërisht në vitin 1802 mbi gërmadhat
e Ledhes së Madhe ilire që u shndërrua në mansio prej romakëve, u ndërtua
Teqeja e Madhe e Bektashinjve ose Teqja e Fakri e Xhefai Babait. Mbiemrin
cilësues maxhoritiv “E Madhe”, teqeja në fjalë e trashëgoi nga toponimi
fillestar (Ledhja e Madhe), sepse nuk ka asnjë arsye që kjo teqe të quhet e
madhe, ajo nuk ka përmasa shumë të mëdha, është e vetme aty dhe nuk është e
shoqëruar me teqe të tjera apo teqe më të vogla. Nga historia dimë se me
pushtimin osman të territoreve të Ballkanit, nga Lindja vërshuan edhe dhjetra
urdhëra fetarë mistiko-sufistë të Islamit heterodoks. Karakteristikë e këtyre
sekteve, ku bëjnë pjesë edhe bektashinjtë, ishte qartësisht preferenca për ngritjen
e objekteve të tyre të kultit shpesh në vendet ku dikur shkëlqenin me plot
madhështi tempujt e ilirëve paganë. Për të përforcuar këtë fakt kujtojmë se ky
sekt u ngul edhe në Orakullin (e Dodonës!) e malit Tomorr. Që në lashtësi
Homeri e cilësonte malin në fjalë me gojën e Akilit si “fron të Zeusit
pellazgjik”. Ngritjen e teqeve bektashiane në vende të shenjta pagane e vëren
edhe studiuesi amerikan bashkëkohor S.J. Shaw i cili shkruan: “…Shpesh vendet e
praktikave të këtilla (bektashinjve-shën.im) ndërtoheshin në kulte të
mëherëshme jomyslimane…… praktikat e adhurimit ndaj tyre (themeluesve të
urdhërave) shpesh zhvilloheshin në mënyrë të atillë që diferencat ndërmjet
adhurimeve të shenjtëve paganë dhe jomyslimanë nuk kishin ndryshime të mëdha
…”.(Hist. Perandorisë Osmane…, Vol.I, fq. 191). Në vazhdim të këtij shpjegimi
mund të përmendim edhe një rast tjetër, atë që sot quhet Vendi i Mirë në
Krastë. Ky vend, sipas gojëdhanave ka qenë në lashtësi Orakulli i Fatit të Mirë
dhe ndodhet përkarshi Rrapit të Mansit, mu në shpatin verior të kodrës së
Krastës e në një reliev shumë të thyer. Njerëzia shkojnë ende atje të yshtur
nga supersticionet e lashta e luten me qëllim që të ndjellin fatin për lidhje
bashkëshortore të djemve apo vajzave të tyre të pamartuar ende. Mirëpo, termi
“Vend i Mirë” që mori më pas, është term tipik i vend-adhurimeve që praktikojnë
këta urdhëra sufistë, ndonëse aty deri më tash nuk është ndërtuar ndonjë objekt
kulti i tyre. Në fakt, poshtë në këmbët e Krastës dhe afër këtij orakulli ka
pas ekzistuar një “vend i mirë” që quhej Tyrbja e Shutrit, por nuk dihet se
çfarë lidhje mund të ketë pasur midis tyre.
Pra, si përfundim mund të themi se ka shumë gjasa që nën
themelet e Teqesë së Madhe të Bektashinjve në Elbasan, vend i cili njihej dikur
edhe me emrin Ledhja e Madhe, apo sot me emrin Rrapi i Mansit, të gjenden
gjurmët e hershme të Tempullit të Perëndeshës ilire Zana dhe për rrjedhojë aty
mund të fshihen gjurmë të vlefshme historike të vazhdimësisë iliro-shqiptare,
të kulturës së lashtë të kësaj treve. Mbetet të hulumtohet se kur u vendos data
14 mars për festimin e kësaj dite, pasi festa e Ditës së Verës është shumë më e
vjetër se kalendari Gregorian që ne përdorim sot.
|
Teqja e Madhe (Teqja e Fakri e Xhefai Babait) dhe Rrapi i mansit |