”Shqiptarët janë më të
vjetër se grekët, kjo s’ka dyshim, tingulli monosilabik është provë për këtë.
Origjina e shqipes dhe e greqishtes nxjerr në pah në mënyrë të padiskutueshme
raportin e vërtetë mes tyre, atë të prejardhjes së greqishtes nga gjuha shqipe:
nëna e saj.” (Robert d’Angely)
Sa e vjetër është gjuha shqipe, në cilat koordinata gjeografike është
folur, si ka evoluar, cilët popuj janë marrë vesh përmes saj dhe dialekteve,
cilat janë raportet e saj historike me greqishten e vjetër dhe latinishten...?
Larg pretendimeve hipotetike dhe të paargumentuara, larg dëshirës së
ndikuar nga nacionalizmi, më poshtë po japim vlerësimin e disa prej studiuesve
më në zë të globit në lidhje me prejardhjen dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe.
Faktet janë tronditëse nëse do të vihen përballë asaj pjese të pranuar
“zyrtarisht” deri tani nga gjuhëtarë, historianë e studiues shqiptarë e të
huaj. As më pak dhe as më shumë historiografia shqiptare përballë fenomenit të
vjetërsisë, prejardhjes, mbase edhe kohës së shkrimit të shqipes, ka nevojë të
jetë më e qartë dhe këtë e kanë pohuar edhe gjigantë të kalibrit të Eqrem
Çabejt.
Gjithsesi brezi i ri, por edhe i vjetër i studiuesve shqiptarë tashmë ka
dhënë shenja se janë duke dalë nga kornizat e vjetra. Fatmirësisht shenjat janë
të mira dhe të dukshme. Këtë duket ka pasur parasysh edhe akademiku Shaban
Demiraj, kur ka shkruar në veprën e tij monumentale “Gjuha shqipe dhe historia
e saj”, se: ”Hulumtimi dhe shpjegimi i elementëve ‘pellasgjike’ (më saktë, para
ilire), që shqipja i ka trashëguar nëpërmjet ‘nënës’ së saj, mbeten një nga
detyrat e rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe”. Po le të shohim se në
ç’përfundime kanë dalë kolegët e Demirajt në të gjithë globin, kur janë
përballur me faktet për shqipen e lashtë.
Franz Bopp’i përcaktoi i pari se gjuha shqipe “i përket në
mënyrë të sigurt familjes indoevropiane, por në elementet e saj themelore nuk
ka ndonjë lidhje më të ngushtë, ose, aq më pak, ndonjë lidhje prejardhjeje me
asnjërën nga motrat sanskrite (= indoevropiane) të kontinentit tonë”.
Vinçenc Xoberti, filozof italian (1801- 1852) nënvizon:
“Latinishtja është një gjuhë pellazgjike, që rrjedh nga eolishtja dhe e afërt
me ato gjuhë që përdoreshin në Greqi para vërshimeve “Deukalonike”, d.m.th., me
ata të huaj që flet Herodoti”.
Nieburi shkruan: “Në latinisht gjendet një fond gjysmë grek dhe se
origjina e tij nga pellazgjishtja nuk duket e dyshimtë.”
Johan Seferin Fater (1771 – 1826) shpreh mendimin se përputhjet e
shqipes me latinishten mund të kenë një origjinë të përbashkët të bartësve të
këtyre gjuhëve.
Jernei Bartolomeo
Kopitar ka arritur në
përfundimin: “Kështu, pra, deri në kohën e sotme, në veri të Danubit, në
Bukovinë, Moldavi e Vllahi, Transilvani, Hungari, si dhe në anën tjetër të
Danubit, në Bullgarinë e mirëfilltë, pastaj në të gjithë vargun e Alpeve të
Ballkanit, në kuptimin e vjetër më të gjerë të këtij vargmali, nga njëri det në
tjetrin, në vargmalet e Maqedonisë, në Pind dhe përmes Shqipërisë sundon vetëm
një formë gjuhësore, por me tri lloje lënde gjuhësore (nga të cilat një është
vendase, ndërsa dy të tjerat kanë ardhur nga Perëndimi dhe nga Lindja.”
Xylanderi shkruan: “Fjalët e gjuhës shqipe, pa ndryshime thelbësore
e pjesërisht nga rrënja, gjenden edhe në gjuhët e tjera, si në greqishten e
vjetër e greqishten e re, në latinishte, në gjuhët romane, gjermanishten e
vjetër, të re, suedisht, danisht, anglisht, sllavisht, persisht, arabisht,
keltisht, baskisht e indishten e vjetër”. Xylanderi shton se prapashtimi i
nyjës shquese dhe fleksioni i saj më i zhvilluar se në baskisht, islandisht,
suedisht e danisht, nuk gjendet në ndonjërën prej atyre gjuhëve të popujve që
kanë ndikuar mbi shqipen. Përputhjet me sanskritishten tregojnë lidhje afrie të
drejtpërdrejtë sesa të ndërmjetme, lidhje të afërt me trungun e përbashkët sesa
me popujt që dolën më vonë në histori. Të njëjtën dukuri vë re edhe Franc
Bopp-i.
Vicens Dorsa (studiues arbëresh) shkruan se në shqipe ruhen
rrënjët e dialektit (digamës) eolik parahomerik.
Jeronim De Rada shkruan: “Analiza gjuhësore e përligj opinionin se
në greqishten e vjetër gjendet një shtresë fjalësh, e cila i përgjigjet një
periudhe më të vjetër të shqipes. Teza e Blumentalit rezulton e saktë”.
Elia Lates pohon se nuk ka asnjë arsye që të mos pranohet
origjina ilire e popujve italikë.
Alfredo Trombeti pohon se fiset ilire u përhapën në tërë
Gadishullin Italik, nga Venediku gjer në Pulia e Kalabri.
Ribezzo gjen përputhje të shumta mes onomastikës venete,
japigje, ilire e shqiptare.
Jani Vreto thekson se rrënjët e fjalëve shqipe nuk gjenden as
tek Homeri dhe as tek Hesiodi, sepse janë më të vjetra se ato.
Eqrem Çabej shprehet se në greqishten e vjetër ka disa fjalë,
që shpjegohen vetëm me anë të shqipes. Një degë e shqipes vjen nga Egjeu, është
egjeane, por nuk e shtjellon më tej këtë die
Adelungu te “Mithridati” shkruan: “Meqë trakishtja është
një nga gjuhët e njohura më të lashta, ajo do të ketë ruajtur gjurmë më të
shumta të një gjuhe më të lashtë, sesa gjuhët e fqinjëve të saj të afërt e të
largët. Në gjuhën e mëvonshme greke nuk duken shumë fjalë rrënjë të keltishtes,
gjermanishtes…, sepse, pasi u formua gjuha dhe populli i tyre, ata nuk u
ndodhën në lidhje të drejtpërdrejtë me këta popuj, ajo duhet parë si një
mbeturinë e trakishtes; trakët ishin fqinjët më të afërt të këtyre popujve jo
vetëm në Evropë, por edhe në vendbanimin e tyre të parë në Azi, ku duhet të
jenë formuar prej një burimi të përbashkët”.
Ëilly Borgeau në veprën “Ilirët në Greqi dhe në Itali” këmbëngul
se Beotia, Akarnania, Etolia, mandej Argosi dhe Sparta janë të mbushura me
antroponime e toponime ilire, se Boitoia dhe Argosi në zanafillë janë krijime
ilire, d.m.th., pellazge. Të njëjtën pikëpamje mbron edhe gjuhëtari italian
Bonfante.
Albrech Blumental ka gjetur gjurmë të shumta gjuhësore ilire në
territorin e Greqisë. Kretçmeri, Budimiri, Krahe, Bonfante etj., kanë gjetur
fosile të shqipes së moçme (të periudhës së bronzit) në Mikenë e më gjerë.
Maks Myler profetizon: “Do të vijë dita kur kjo gjuhë do të
bëhet çelësi i shpjegimeve të sekreteve të mëdha”.
Malte-Brun përcakton: “Gjuha e ilirëve të lashtë, ose e
shqiptarëve të sotëm është një gjuhë e veçantë, prejardhja e së cilës shkon
deri në lashtësinë e thellë e madje në një kohë kur filluan të formoheshin
secila në sferën e saj edhe gjuhët greqishte, latinishte, iberishte, keltishte,
sllavishte, teutonishte dhe gotishte”.
Johan Georg von Han, hedh idenë e prejardhjes së përbashkët
“tireno-pellazgjike” të ilirëve, epirotëve e maqedonasve, të cilët formojnë një
degë të veçantë të rëndësishme të lashtësisë, krahas grekëve e romakëve. Hani
nga mitologjia greko-romake përqas me gjuhën shqipe këto fjalë: Uranus, Rhea,
Kronos, Kyklopea, Venus, Anna, Perenna, Anaitis, Zeus, Ge, Dhemeter, Deukalion,
Thetis, Oceanus, Dif, Diel, Kybelle, Atlas, Vulkanus, Tinias, Tina, Ceres,
Kore, Hermakes, Turms, Merkuris, Nemesis, Ruana, Pales.
M. Saqellari, gjuhëtar i sotëm grek, pranon se ka mjaft
elemente, që dëshmojnë për hierarkinë parahelene, pellazge, të hyjnive të
Olimpit”.
N. P. Elefteridhi pohon se greqishtja në pjesën më të madhe u formua
gati e tëra nga gjuha pellasgjike.
Jakov Thomopullo dëshmon se ka lexuar mbishkrimet eteo-krete
nëpërmjet gjuhës shqipe.
Enzo Gatti shkruan: “Gjeografia e lashtë e Evropës Mesdhetare
është pothuaj e gjitha ilire …Emrat gjeografikë të Kretës, Korfuzit, Qipros,
Sicilisë, Sardenjës, Baleareve… “.
Historiani francez Kantu shkruan:
“…Në përgjithësi është pranuar se shqiptarët i përkasin racës pellasgjike… ata
përbëjnë një racë mitike, si titanët dhe ciklopët… Faktet dëshmojnë se
pellazgët sollën në Greqi, jo vetëm disa arte, por një sistem të tërë besimi,
artesh dhe germash. Ajo ishte një racë po aq sa bujare, edhe e pafat. Gjuha e
tyre, më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten, u ruajt në dialektin
eolian dhe në atë epirot, që helenët i cilësonin si barbarë”.
George Fred Uilliams, studiues amerikan, që në vitin 1914 shprehej se
“po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’i këndonin hyjnive
dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i
njohur me emrin Pellazg. Shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, e
Aleksandërit të Madh dhe e Pirros së Epirit”.
Robert d’Angely shkruan: ”…Shqiptarët janë më të vjetër se grekët,
kjo s’ka dyshim, tingulli monosilabik është provë për këtë. Origjina e shqipes
dhe e greqishtes nxjerr në pah në mënyrë të padiskutueshme raportin e vërtetë
mes tyre, atë të prejardhjes së greqishtes nga gjuha shqipe: nëna e saj”.
Eqerem Çabej vërente me mprehtësi se kontributi i shqipes për
gjuhët e tjera ballkanike do studiuar më gjerë. Pyetja trashëgim a huazime
shtrohet sot e gjithë ditën për një sërë fjalësh. Ka emra visesh me një pamje
mjaft të moçme, fjalë që s’u dihet kuptimi. Nisur nga gjendja e njohurive të
atëhershme, Çabej shprehej se ka një kundërvënie mes historisë dhe gjuhësisë
përsa i përket vendit dhe kohës së formimit të gjuhës shqipe. Nuk shohim asnjë
kundërvënie mes arkeologjisë, historisë dhe gjuhësisë; këto shkenca përputhen
në përfundimet e tyre, duke ndjekur secila rrugën e vet të pavarur të studimit.
Çabej shprehte pikëpamjen se prehistoria e shqipes mund të ketë vazhduar në
Gadishullin e Ballkanit, veçse gjuhësisht ajo s’mund të ndiqet. Akademiku Shaban Demiraj në veprën monumentale
“Gjuha shqipe dhe historia e saj”, shkruan: ”Hulumtimi dhe shpjegimi i
elementëve “pellasgjike” (më saktë, para ilire), që shqipja i ka trashëguar
nëpërmjet “nënës” së saj, mbeten një nga detyrat e rëndësishme të historisë së
gjuhës shqipe”.
Si përfundim,
mund të themi se shqipja përfaqëson zhvillimin gradual të gjuhës së lashtë
vendase, autoktone ilire, përgjatë mijëvjeçarëve e dhe shekujve deri në ditët
tona. Mendimi i Miklosiçit, gjuhëtar i dëgjuar, se: “…kështu, ne jemi të prirë,
që, në mos të gjitha, të paktën shumicën e dukurive të shqyrtuara këtu t’ia
atribuojmë elementit të vjetër vendas dhe besojmë që ky element të ketë qenë i
një rrënje me shqipen e sotme, të cilën ne e shohim si vazhduese të
ilirishtes”, është i bazuar dhe i drejtë. G. Meyer pranonte se shqipja
përfaqëson një fazë të re të ilirishtes së moçme, ose më saktë të njërit prej
dialekteve të moçme ilire. Ndërsa Kretchmeri shtonte se kjo është kaq e
vërtetdukshme, saqë njeriu duhet të sillte arsye shumë të rëndësishme për ta
kundërshtuar atë. Duke bërë një sintezë të këtyre veçorive gjuhësore, Çabej
arrin në përfundimin e sigurt se shqipja buron prej shkallës më të lashtë,
pavarësisht se me cilën gjuhë jo greke të Gadishullit Ballkanik të kohës antike
është identike ajo shkallë e lashtë.